E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fishekzjarret e panairit

Share

Nga Artan Mullaj

Panairi i Librit u mbyll me furinë e pashlyeshme të surprizave që la pas. Surpriza e parë ishte padyshim interesi i pazakontë i shqiptarëve për festën e librit! Gjithmonë interesi për librin interferon me ngushëllimin e zbehtë të krijuesve, që zakonisht shkruajnë por nuk shesin. Megjithatë, në garë midis tyre, disa autorë spikatën dhe shitën në mënyrë të pabesueshme, duke eklipsuar dhe surprizuar njëherësh të tjerët: Mijëra autografe të nxituara u shkarravitën mbi faqet e para të disa librave të supershitur në panair, në mënyrë që këto libra të shoqëronin me emocione më të mëdha lexuesit e tyre. Emocionet do të jenë ato që do të përcaktojnë ditë pas dite, fituesit reale të kësaj gare. Garë e fortë, e ashpër, që kish një fillim por do të ketë një vazhdim, dhe një fund natyrisht, mbas leximeve. Garë mes njerëzish publikë, që pasi janë shqyer së bëri politikë dhe moral, vite me radhë, synojnë të krijojnë një spektër të ri në ambiciet e tyre, krijimin. Një vlerë e shtuar mes mungesës barbare të vlerave, që vakuumon këtë vend kohë pas kohe.

Por ndërsa gara vazhdon, jashtë saj mbetën qindra krijues, të rinj e të vjetër, që si një bashkësi e dënuar, vazhdojnë të ndëshkohen me mosnjohje, nga panairi në panair.

Ne pamë se si emrat e spikatur të tregut të përshtypjeve në vend, ishin ata që i fituan përsëri përshtypjet sakaq. Kryetari i opozitës, në një rrëfim të sinqertë, si në një orvajtje të re për të krijuar një rrymë të re në publicistikë, të paqenë ndonjëherë, i ka trazuar shpirtrat e mbështetësve të tij me modestinë e fshehur në shpirtin lider të kryeministrit të ardhshëm. Dikush mund të thotë se sinqeriteti i shkruar i një politikani të rëndësishëm në karrierë është diçka që nuk ka të bëjë aq me modestinë, por me nevojën për të krijuar ekuilibra të rinj brenda vetes. Aq më mirë! Kujt më shumë se Edi Ramës do ti duhej një stabilitet shpirtëror në prag të finales magjike, pas së cilës mund edhe duhet të jetë në pushtet? Vetërrëfimi është diçka si digat shkarkuese të hidrocentraleve, autori, aq më shumë kur është një lider, e sidomos kur është një artist-thyerës i tabuve, duke shkruar, shkarkon stresin, ashtu si uji i  tepërt dhe i panevojshëm shkarkohet prej digave të centraleve për të mos i rrezikuar ato. Në fund të fundit, ndjesia e shkarkimit të stresit  ndihmon të besosh se edhe kur gjërat janë zi edhe sterrë, mundësitë fshihen diku, mjafton të këmbëngulësh dhe mjafton mos përsëritësh gabimet e së shkuarës, që nuk kanë qenë të shumta, por as të parëndësishme.

Natyrisht, kjo ndjeshmëri është tjetërlloj për deputetin shkrimtar Ben Blushi. Vështirë ky i fundit të ketë hedhur kaq shumë firma as në kohën kur ishte zyrtar dhe ministër, sa hodhi në faqet e librave të tij për lexuesit në panair. Ndryshe nga kryetari Rama, që tërhoqi vëmendjen e militantëve dhe simpatizantëve me sportivitetin e një libri të hatashëm të shkruar brenda dy muajsh, Blushi kish qenë tërhequr në heshtjen e tij të krijimit, në balzakërinë e tij, shumë muaj me radhë. Rikthimet e befta të Blushit në skenën e ngjarjeve shqiptare, herë me romane e herë me politikë, sa surprizojnë, aq të kujtojnë Hënën në ditët e plota, kur ndriçon thuajse sa Dielli. Si Hënë e plotë u shfaq edhe këtë herë Blushi, i cili spikat me aristokracinë që ka në mënyrën se si e shpenzon kohën e tij.  Duke shkruar letërsi surreale me personazhe reale, duke dashur të jetë mbi kokat e të tjerëve, si aleat i zotit, por jo si një engjëll i tij, ndërsa engjëjt personazhe lëvizin nëpër rreshta e shkallare për të ndriçuar me pafajësinë e tyre errësirën e vendit, historinë e vendit, figurat e vendit dhe afshin, ofshin, efshin gjenetik të shqiptarëve, pra nga ky pozicion, Blushi është i pari në mënyrën se si synon të tregtojë fisnikëri me shumicë, duke shkruar libra në kohën më të keqe të letërsisë, dhe kjo është thuajse tronditëse. Nga ana tjetër, i pari ose i treti, gazetari i njohur dhe mirënjohur Blendi Fevziu, për shkak të paqartësisë së gjërave dhe për shkak të suksesit marrafrymës që pati libri i tij për Enver Hoxhën, ashtu si Shën Pavllo në portën e parajsës, në këtë panair, gazetari vetë ishte si portieri në hyrjen e suksesit: Fevziu u ndodh atje fluturimthi më një libër historik, analitik, artistik, publicistik për ish-diktatorin, duke ndezur sa kuriozitet të panjohur më parë tek lexuesit, aq edhe njëherazi xhelozi dhe zhgënjim për krijuesit e tjerë, shkrimtarë e poetë që shkruajnë e vuajnë, meditojnë e trishtohen që vepra të mira, si librat e Fevziut dhe Blushit, vepra të shkruara me vullnet edhe dhimbje, nuk do të dalin në dritë asnjëherë, por do të shuhen dhe ndëshkohen përjetësisht e barbarisht me haresë.

E adhurueshme pasha e surprizave që këta tre-katër autorë, të cilët  u dogjën si fishekzjarre prej dashamirësisë për publikun gjatë dhënies së autografeve, i dhuruan këtij panairi. E adhurueshme që panairi i zhurmshëm joshi dhe ylberoi lavdinë e tyre të re, në art dhe publicistikë, por  po  aq e trishtueshme, ishte që ky panair, fundosi edhe më shumë anijen e vjetër me vela  të krijuesve të panjohur. Një engjëll  i shqetësuar  flatroi nëpër stendat e panairit, për të vërtetuar zhgënjimin e tyre: Zhgënjimin e shpirtrave të njerëzve që vazhdojnë të krijojnë. U soll vërdallë, mes zhurmës së njerëzve dhe zhurmës së madhe të famës së shpërndarë në dy, tre, apo katër pena. Ky engjëll i zhgënjimit ishte aty, sepse ky panair errësoi edhe më shumë të ardhmen dhe lëngëzoi e lëndoi zemrën e poetëve të thjeshtë e të talentuar, që shkruajnë për askënd në vetminë e tyre. Dhe u largua thellë qiejve, pikërisht për këtë gjë

I parë kështu, ky panair krijoi një polarizim të shëmtuar. Diferencat dhe krahasimet nuk patën atë dinamikë ndershmërie që kërkon nevoja njerëzore për promovimin e  talenteve të reja. As talente të reja dhe as libra të rinj nuk u shquan mbas reklamës rrëzëllitëse që ju bë autorëve politikanë dhe mediatikë, që pushtojnë ekranet, kur janë, por edhe kur nuk janë të nevojshëm. Mendoni se si do të zhvendosej rëndesa e vëmendjes sikur këtë herë, të kish shkruar një roman dashurie edhe Sali Berisha. Shyqyr që jo! Sepse do të kish një betejë më të egër luanësh të mëdhenj e të fuqishëm, për të rrëmbyer lavdinë. Do bllokohej panairi nga militantët demokratë dhe fansat që çast më të rëndësishëm të jetës së tyre kanë një autograf nga një njeri që del në televizor.

***

Nëse panairi, si një promovim i kulturës kombëtare, organizohet edhe për të shpërndarë mjegullën e padrejtësisë që zakonisht mbulon fatin e krijuesve, të rinj e të vjetër, ky panair nuk e ka kryer si duhet misionin e tij. Ky panair monopolizoi  publicitetin dhe mundësinë, sepse njerëz publikë, që shkruajnë ese, kujtime ose letërsi, e monopolizuan këtë panair. Në media dhe në panair u fol vetëm për Shqipërinë e Blushit, Enver Hoxhën e Fevziut, Kurbanin e Ramës dhe për kujtimet e Helenës, dhe shumë mirë që u fol për këto vepra, vlera e të cilave nuk duhet paragjykuar, pavarësisht teprisë së publicitetit që ju bë para dhe gjatë panairit. Por në media dhe ekrane nuk u fol aspak për vepra të tjera autorësh po kaq të mrekullueshëm, të njohur dhe të panjohur. Shqetësimi i shumë autor

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›