E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fishekzjarri, FIFA, 5 mijë franga gjobë FSHF-së

Autori i Lajmit: Redaksia
Tiranë - FIFA ka dënuar me 5 mijë franga gjobë Federatën Shqiptare të Futbollit për një fishekzjarr të ndezur nga tifozët shqiptarë në Suedi, në ndeshjen e 14 tetorit. Një gjë e tillë është pohuar nga sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, sipas të cilit, gjoba është e papërfillshme për arkat e këtij institucioni, por një paralajmërim i qartë në lidhje me rregullat e ndjekjes së një ndeshjeje futbolli. “U ndez një fishekzjarr në momentin e golit të Salihit dhe delegati e kishte shënuar në relacion, - u shpreh Prodani. – Këto ditë na ka ardhur edhe gjoba, që është 5 mijë franga dhe që tregon se FIFA apo institucionet ndërkombëtare nuk falin në raste të tilla”. Duke parë këtë situatë, një masë e rëndë pritet të merret edhe ndaj klubit të Lushnjës, ku në ndeshjen e së shtunës ndaj Bylisit, një fishekzjarr goditi në kokë një nga lojtarët ballshiotë. Mbledhja e Komisionit të Disiplinës për këtë çështje do të mbahet ditën e mërkurë.
Ky lajm është publikuar: 02/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›