Fisher: Mungesa e kulturës politike po ndëshkon vendin

Historiani i njohur dhe studiuesi i çështjeve shqiptare, Bernd Fisher, mendon se raporti i Bashkimit Europian për Shqipërinë nuk do të jetë pozitiv. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” Fisher thekson se populli po vuan nga një bllokim thuajse i plotë qe ka shkaktuar politika, dhe se shumica e problemeve vjen prej mungesës së kulturës politike.
“Mendoj se ka shumë njerëz që janë përgjegjës rreth e rrotull për këtë në elitën politike. Nuk ekziston ende një kulturë politike që të pranojë konceptin e kompromisit. Për fat të keq, duket sikur është një situatë nga ato që quhen "Ose gjithçka ose asgjë" nga të gjitha palët. Por mendoj se ndoshta një pjesë më e madhe përgjegjësie i përket qeverisë. Qeveria është përgjegjëse për vendimet shtetërore. Opozita mundet më lehtësisht që të rrëshqasë, mundet të frenojë apo të ngadalësojë. Por kur vjen puna për vendime parimore shtetërore është qeveria ajo që ka forcën për të marrë këto vendime, jo opozita. Përsëri them se ka shumë përgjegjësi të shpërndara rretherrotull në të gjithë klasën politike të Shqipërisë në përgjithësi” ka theksuar Fisher.
Ai është shprehur pessimist për sa i përket raportit që do të dalë javën tjetër për kandidimin e Shqipërisë në BE ndërsa ka theksuar se në këtë raport do të thuhet se Shqipëria ka bërë progres, por se ky progres nuk është i mjaftueshëm për ta konsideruar si një vend kandidat.
I pyetur në lidhje me 12 rekomandimet e BE-së dhe 10 pikat e opozitës, Fisher theksoi se do të ishte më e dobishme që të nxitej një debat i hapur duke u nisur nga disa pika të listës.
“Di se ka një program me 10 pika. Nuk kam patur rast që t`i shoh ato me shumë kujdes. Mendoj që nëse kryeministri Brisha ka dëshirën për t`i diskutuar ndonjë nga pikat, kjo do të ishte një vlerësim për opozitën. Mendoj se ndoshta do të ishte më e dobishme që të nxitej një debat i hapur duke u nisur nga disa pika të listës. Por është më se e nevojshme që një diskutim të nisë, sepse e ardhmja e Shqipërisë varet qartësisht nga bashkëpunimi politik. Mendoj se pa këtë nuk do të ndryshojë asgjë. Nëse dy partitë politike nuk fillojnë të flasin me njëra-tjetrën, atëherë duke nisur nga vitit tjetër, duhet parë mirë se ku jemi” ka shtuar më tej Fisher.
Gjithashtu Fisher ka theksuar se ngërçi politik nuk ka ardhur vetëm nga zgjedhjet e 2009-ës por ato as nuk e ndihmuan zgjidhjen e tij.
“Mendoj se zgjedhjet nuk e ndihmuan këtë situatë, por problemi qëndron më thellë. Sipas pikëpamjes time, çdo gjë nga një listë e gjatë temash varet tek mungesa e kulturës politike. Është shumë dekurajuese nocioni që ekziston mbi bashkëpunimin. Kultura politike ndikon mjaft në natyrën e partive politike shqiptare. Ato nuk bëjnë marrëveshje për demokracinë brenda vetë radhëve të partive, dhe as mes partive të tjera. Por nëse nuk ka demokraci tek partitë politike, Shqipëria do ta ketë të vështirë që të zhvillojë një demokraci funksionale në shtetin e vet” ka shtuar Fisher.