E Diel, 1 Nëntor 2026

Fiskalizohen 1 500 biznese, operatori i ri ende nuk dihet

Prishtinë, 13 gusht – “Gekos” dhe “Dukagjini” vazhdojnë të mbeten të vetmet kompani që janë licencuar për shitjen dhe montimin e arkave fiskale, pasi Ministria e Ekonomisë dhe e Financave ende është duke shqyrtuar dosjet e bizneseve që kanë aplikuar për licencim.
Zyrtarja për informim në MEF, Fatime Lumi, ka thënë se Komisioni është duke u marrë me shqyrtimin e dosjeve të bizneseve të cilat kanë aplikuar. “Ende nuk është përzgjedhur asnjë kompani, pasi që komisioni është në fazën e shqyrtimit të aplikacioneve dhe ende nuk ka marrë ndonjë vendim për përzgjedhje”, ka thënë Lumi.
Ministria e Ekonomisë dhe e Financave, pas shumë presioneve nga bizneset për çmime shumë të larta të pajisjeve elektronike fiskale, kishte ndryshuar legjislacionin dhe kishte zbutur kriteret e kërkuara për kompanitë, për t’u hapur rrugë kompanive të tjera të licencohen për shitjen dhe servisimin e arkave fiskale. MEF-i ka miratuar Udhëzimin administrativ (UA) nr.06/2010 për plotësimin  e UA nr.12/2009, plotësim-ndryshimin e UA nr.06/2009 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale. është ndryshuar neni 12 paragrafi i dytë, i cili i lejon që të hapë tregun e shitjes së arkave edhe për më shumë operatorë, para se të bëhet 1 vit që nga dhënia e licencës operatorëve të parë ekonomikë.
MEF-i ka ka bërë shpalljen e interesit për operatorët e rinj në fillim të muajit qershor, ndërsa afati i dorëzimit të dokumentacionit ka qenë deri më 14 korrik.
Në bazë të Udhëzimit Administrativ të përmendur, MEF-i është dashur t’u jepte përgjigje operatorëve brenda muajit korrik. Tani, ndërkaq, jemi në mes të muajit gusht dhe MEF-i është ende në proces të shqyrtimit të dosjeve.
Ndërkohë që ende është licencuar ndonjë operator tjetër për shpërndarjen e arkave, procesi i fiskalizimit është duke vazhduar. Dy kompanitë, “Gekos” dhe “Dukagjini” janë duke vazhduar shitjen dhe montimin e arkave fiskale. Sipas burimeve të gazetës, deri më tani janë fiskalizuar rreth 1 500 biznese. Ndërsa rreth 1 000 biznese të tjera kanë aplikuar dhe janë në proces të fiskalizimit. Sipas të njëjtave burimeve, tek këto biznese janë montuar afërsisht 2 500 pajisje elektronike fiskale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›