Fitimtarët, nën gërmadhat e mureve që rrëzuan
Meditime të një të djathti
PS-së, pasardhëses së PPSH-së, i duhej një emër i ri! - U rrëzua Muri i Berlinit. Qé uvertuara e rënies së komunizmit si ish-sistem në fuqi në një numër të madh vendesh të botës. Ç’ndodhi? Ata që u rreshtuan në mbrojtje të këtij rendi të falimentuar, u tulatën, u çorientuan, e humbën toruan, - vetëm sa për të marrë veten. Gjithmonë duke e pasur mendjen te revanshi…
Mëkatarët u bënë si “të mirë”, si “të dashur”, “të sjellshëm”. Ndërruan firzionominë e tyre të mujshisë (arrogancës), të të qenit diçka mbi të tjerët; por nuk dolën në një vetëkritikë të hapur. U bënë babaxhanë hipokritë; përshëndesnin “përzemërsisht” ata të cilët dikur i shihnin vëngër, kur ndodheshin përballë njëri-tjetrit në rrugicën e lagjes: -Vërtet ju kemi keqtrajtuar, por pa dashjen tonë; duhet të kryenim detyrën, ishim të detyruar ta bënim këtë. Dhe e kemi bërë me keqardhje atë punë të mallkuar. Por ç’të bënim? Duhet të punonim edhe né. . .
Veçse nuk shfaqën asnjëherë pendesën, e sinqertë ose jo. Prisnin ditën e tyre. E dinin se pendesa e sinqertë do të kishte kuptimin e një angazhimi politik. Kjo kishte të bënte me pushtetin e ardhshëm, në një sistem demokratik. S’kishin lënë mallkim dhe urrejtje meskine ndaj atij që kreu i tyre „i paharruar“, Enveri, e quajti revizionizëm. Tani ishte koha që të kapërcenin jo vetëm revizionizmin, por edhe shkallë të tjera dhe të mos bashkoheshin as me ish-komunistët perëndimorë. Kësisoj kryesocialisti italian, Betino Kraxi, mori tesërën N° 2 të PS-së shqiptare! Kjo e fundit ishte një parti „e re“, në vështrim vetëm të emrit „të ri“. Një parti emërndërruar, - siç u quajt, - sepse një P.K. në këtë sistem të ri nuk do të ishte e hajrit në kuptimin elektoral (Në të vërtetë partia e H. Milloshit mori vetëm 0,5 % në çdo votim, duke iu larguar diametralisht në skaj atij 99,999% të pseudozgjedhjeve të E. Hoxhës. Këtë falsitet zgjedhor nuk mund ta hidhte poshtë as PS-ja, pasardhësja „e re“ e PPSH-së. Megjithatë asaj i duhej vetëm një emër i ri (siç po abuzon Edvin Rama, tani, me politikën e tij “të re!”).
Përkundrejt përkufizimeve klasike “i djathtë” - “i majtë”, këto nocione morën edhe konotacione të kohës. E para, e djathta, nënkuptonte forcat që rrëzuan statujat, bustet dhe emblemat e diktaturës. E dyta, me atë sloganin dredharak të „rinovimit“, pa u bërë aspak merak për fizionominë e majtizmit euroatlantik, nënkuptonte forcat dhe kontingjentet e mëkatit, të grumbulluara dhe të pranuara krahëhapur nga PS-ja, që kishte nevojë për një repart pararojë force, me fanatikët e saj. Të gjithë së bashku përbënë atë grupim që mori emrin e nostalgjizmit. Enverizmi ishte brenda, kokë e këmbë, në këtë grupim. PS-ja, që hiqet si tepër perëndimore, as do t’ia dijë fare për rezolutat e AP-së së KE-së për dënimin e krimeve të komunizmit. E provon gorifikimi i E. Hoxhës në Pezë. E provojnë fotot e diktaturës në institucionin e M. Jashtme të P. Milos. E provon legalizimi i PK-së shqiptare. E provojnë një mori gjërash të tjera.
Grotesku i Pajtimit: duart në qafë, por gishti, amà … - Por dinakëria e PS-së kërkonte edhe një pajtim kombëtar, për t’u konsoliduar si parti me tipare demokratike. U gjetën pseudodemokratë si R. Qosja, i dështuar në Kosovë si politikan pa elektorat, që u përthith nga magnetizmi majtist i Shqipërisë brenda kufijve zyrtarë, që t’i përkushtohej këtij pajtimi. Por me disa tertipe: Në krye të tryezës së pajtimit të ishin mëkatarët; në bisht të saj: ish-të përndjekurit politikë, subjekte të dhunës! E djathta e kuptoi menjëherë mashtrimin. E majta u bë partia e zemrës së akademikut flirtues me të majtën tonë, Qoses. Këtij iu ofruan vila të bllokut të ish-udhëheqësve (në vend të hotelit), për këtë aktivitet „fisnik“, që dështoi sa pa filluar: Ata që nuk pranuan të bëjnë as një dëshmi formale pendese, u pa se kërkonin t’i nënshtronin të vuajturit, paçka se këta nuk kërkonin hakmarrje, por drejtësi. (E të dilnin të larë e të shpëlarë, si fëmija i sapolindur! Sot kanë hallin të kenë funksione të larta gjer në gjykata e në prokurorì, që të bëjnë politikë majtiste në organe të depolitizuara!).
Muri i Berlinit u rrëzua dhe zuri nën vete jo të mundurit, por “fitimtarët” - S. Berluskoni/Të gjitha sistemet politike e shoqërore, që kanë përmbysur një sistem për të vendosur atë të tyrin, s’kanë lënë gur e kusur pa i punuar sistemit të mëparshëm. Në revolucionin francez të vitit 1789, Jakobinët i vunë në karamanjollë Xhirondinët. Por edhe Robespierit ia preu kokën gijotina, kur ra nga pushteti. Krimi komunist, bëri kërdinë në “armiqtë”. Ky emërtim përfshiu edhe antifashistët, edhe nacionalçlirimtarët me funksione në Këshillin Nacionalçlirimtar, edhe deputetët e Kuvendit Popullor, të zgjedhur me viston e Frontit, domethënë me miratimin e P.Komuniste shqiptare, që e përdorte Frontin si marionetë.
Nga kjo dukuri që shoqëroi të gjitha hapat historikë, bëri përjashtim vetëm rënia e komunizmit. Në të gjitha demokracitë e reja, komunistët u treguan kameleonë të vërtetë, nga ata të racës. Mënyrat dhe rrethanat që i ndihmuan, u thanë në pjesën e parë të këtij shkrimi. Veçse, ajo që nuk u tha, është se në vendin tonë komunizmi ( dhe gjynahqarët në emër të tij) e ruajti lëkurën më shumë se në të gjitha vendet e Lindjes komuniste. A është e vërtetë? Tejet e njëmendët. Arsyeja? Kjo ka të bëjë me destalinizimin, në vitin 1956, falë të cilit u përdor pushteti i mizorisë komuniste édhe për 34 vjet të tjerë. Poeti Havzi Nela u var për vjershat dhe ditarin që i gjetën. E kjo ndodhi në vigjilje të proceseve demokratike në Shqipëri, kur sundonte Ramiz Alia, në vend të E. Hoxhës. Askush nuk u përgjigj në vendin tonë për krime të kësaj natyre dhe të ngjashme me këto, domethënë për përndjekjet, me mënyrat më barbare, të atyre që quheshin kundërshtarë politikë.
Tani që vendit tonë i erdhi radha që të shtrojë në rend të ditës problemin e rëndësishëm të pastrimit të figurave të rëndësishme politike përmes hapjes së dosjeve, po vëmë ré një dukuri jo të paparashikuar: majtizmi ynë po orvatet, me çdo mënyrë e mjet, gjer te sofistifikimet e zbrazëta, që të ruajë kontingjentin e vet të njollosur në vorbullën e krimit komunist. Kërkon që edhe figura të padenja në institucione të demokracisë, të përbëjnë një organizëm okult, por mjaft të dëmshëm për demokracinë, në shërbim të mbajtjes gjallë sa më gjatë të nostalgjisë zvarritëse të diktaturës që lamë pas.