Prokuroria pezullon dosjen e vrasjes së Çim Saliut
Durrës, pas vrasjes u arrestua Indrit Taullai dhe disa persona të tjerë por prokuroria nuk arriti të gjente provat
TIRANË- Prokuroria e Durrësit “arkivon” dosjen hetimore për vrasjen e vëllait të Klodian Saliut, Shkëlqimit, mbrëmjen e 23 korrikut të vitit 2007 në lokalin e familjes së tij në qytetin bregdetar. Sipas burimeve zyrtare pranë këtij institucioni, mësohet se pak kohë më parë, prokuroria e Durrësit ka pezulluar hetimet dhe ia ka dërguar dosjen për hetime të mëtejshme uniformave blu të policisë për zbardhjen e ndonjë detaji të ri në lidhje me këtë vrasje të pazbuluar. “Pas hetimeve disamujore me të dyshuar kryesor në këtë vrasje shtetasin Indrit Taullaj, organi i akuzës ka vendosur të pushojë hetimet në ngarkim të tij, duke ia kthyer dosjen policisë për veprime të mëtejshme. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ndaj të pandehurit Indrit Taullaj nuk ka dalë asnjë provë apo e dhënë që e përfshin në ekzekutimin e shtetasit Shkëlqim Saliu”,-thuhet nga burimet e “Shekullit” në prokurorinë e Durrësit. Përveç arkivimit të dosjes, prokuroria ka urdhëruar edhe lirimin e personave që u arrestuan menjëherë pas saj.
Hetimi
Burimet e prokurorisë shpjeguan dje se menjëherë pas vrasjes, policia e Durrësit u hodh në kërkim të të pandehurit Taullaj, duke dyshuar se ai ishte autori i atentatit ku mbeti i vrarë vëllai i Klodian Saliut, Shkëlqimi, dhe u plagos shtetasi S.Xh. Gjithashtu mësohet se pas arrestimit, i pandehuri Indrit Taullaj është marrë e rimarrë në pyetje, por duke mohuar në mënyrë kategorike se është njëri nga dy ekzekutorët e vrasjes së Shkëlqim Saliut mbrëmjen e 23 korrikut të vitit të kaluar. Në atë ngjarje, breshëria e 18 plumbave të automatikut të llojit “Skorpions” vrau në vend vëllanë e Klodian Saliut, Shkëlqimin dhe plagosi në këmbë shtetasin S.Xh, i cili ndodhej krejt rastësisht në lokal në momentin e atentatit. Sipas këtyre burimeve, edhe pse janë bërë shumë veprime procedurale, janë marrë në pyetje shumë dëshmitarë dhe të afërm të viktimës por edhe të pandehur të tjerë përveç Taullajt, nuk është bërë i mundur identifikimi i personit që qëlloi me automatik natën e 23 korriku në lokalin me emër “Kavalieri”, pronë e familjes Saliu në Durrës. Mësohet se dyshimet e ngritura menjëherë pas vrasjes së Shkëlqim Saliut se urdhri për eliminimin e tij ka ardhur nga qelia e paraburgimit “Jordan Misja” ku ndodhej Lulëzim Berisha dhe si ekzekutor ishte i besuari i këtij të fundit, Indrit Taullaj, nga hetimet ka rezultuar se nuk janë të vërteta pasi nuk ka dalë asnjë provë që implikon të pandehurin Berisha apo Taullaj në këtë vrasje.
Vrasja
Ka qenë ora 23:15 e mbrëmjes së 23 korrikut të vitit 2007, kur në lagjen 18 të qytetit të Durrësit, në lokalin “Kavalieri”, pronë e familjes Saliu, ishin ulur në një cep të tavolinave dy vëllezërit Shkëlqim dhe Arian Saliu. Me të marrë lajmin “atentatorët” se dy vëllezërit Saliu ndodhen në lokalin e tyre janë nisur me një motor 50 kubikësh e me skafandër në kokë dhe armë automatiku në dorënë drejtim të lokalit për ekzekutimin e dy vëllezërve të Klodian Saliut i vrarë në autostradën Tiranë- Durrës në vitin 2005. Por, vetëm tre minuta para se të ndodhte atentati, Arjan Saliu ngrihet nga lokali për të shkuar diku në një takim dhe lë vetëm në lokal vëllain e tij, Shkëlqimin.Me të mbërritur para lokalit njëri nga atentatorët ka zbritur nga motori dhe ka hyrë në derën kryesore të lokalit ku ka kërkuar me sy vëllezërit Saliu. Pasi ka piketuar mirë Shkëlqimin që ishte ulur pranë kompjuterit për të kontrolluar disa skedina futbolli, ka tërhequr këmbëzën duke lëshuar një breshëri fishekësh në drejtim të tij. Mendohet nga akuza se “vrasësit” kanë kërkuar më pas në lokal edhe Arjanin i cili ishte larguar vetëm pak minuta më parë, por nuk e kanë gjetur dhe kanë qëlluar më pas në drejtim të shtetasit S.Xh. i cili mbeti i plagosur në këmbë. Pas këtyre breshërive “atentatori” është kthyer tek shoku i tij që e priste mbi motorin e ndezur dhe kanë ikur me nxitim, duke lënë mbrapa të vrarë Shkëlqim Saliun dhe të plagosur në këmbë shtetasin S.Xh. Sipas akt-ekspertimit të kufomës thuhet se plumbat e vrasësit viktimën e kanë qëlluar në kurriz ku si pasojë e shumë plumbave ka gjetur vdekjen. Ndërsa, policia në vendngjarje ka gjetur dhe sekuestruar 18 gëzhoja të kalibrit 7,65 milimetra të shtëna nga një armë automatike e tipit “Skorpions”. Menjëherë pas vrasjes dyshimet u ngritën në drejtim të të pandehurit Indrit Taullaj, i cili u arrestua pesë ditë pas kësaj vrasjeje në një operacion të koduar “Spitalla 2”, në Tiranë nga forcat speciale të RENEA-së.
Krijimi i bandës, shpërbërja e krimet
Të dhënat e para të policisë për krijimin e bandës së Durrësit datojnë në vitin 1994, kur u vu re për herë të parë bashkëpunimi ndërmjet Lulëzim Berishës e Klodian Saliut. Nga të gjitha hetimet e policisë shqiptare e italiane, akuzat që janë ngritur mbi këtë organizatë të vetme kriminale janë "trafik ndërkombëtar droge", "prostitucion dhe trafik armësh". Këtu nis filli i vrasjeve makabre në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 e në vazhdim. Vritet Dritan Sallaku në 98-ën në qytetin e Durrësit e më pas ekzekutohen Viron Curri e Arjan Paja. Më pas plagoset Marsel Sotiri, më 98-ën. Policia njofton se, banda është përgjegjëse për vrasjen e Marsel Sotirit, më 99-ën në lagjen Plazh të Durrësit. Ekzekutohet Dritan Disha në Shënavlash dhe vritet Ervin Lame, në të njëjtin qytet. Trafiqet e shumta të drogës, e shtyjnë bandën drejt shpërbërjes. Pikërisht në vitin 2003, Lulëzim Berisha, sipas policisë, krijon organizatën e tij, larg Klodian Saliut. Për hakmarrje, vetëm dy vjet më vonë, në fshatin Maminas të Durrësit, Saliu vritet nga Berisha e tashmë postin e bosit e merr Indrit Dokle. "Organizata kriminale e Klodian Saliut, tashmë e kryesuar nga shtetasi Indrit Dokle, është përgjegjëse për vrasjen e Avni Gashit në kryeqytet, ku kufoma u hodh në fshatin Romanat të Durrësit. Për të kaluar më pas, në përgjakjen e stadiumit "Qemal Stafa", kur u vra Ilir Koldashi. Rivaliteti shtyn Doklen, sipas policisë të hakmerret ndaj Berishës, ku organizohen atentate të shumta ndaj tij, madje edhe nga vrasës me pagesë.