Kukës, tritol makinës së familjes së kryebashkiakut
Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 03.20 duke dëmtuar përveç makinës edhe xhamat e pallateve pranë saj
KUKËS- Një shpërthim i fuqishëm eksplozivi ka tronditur natën duke u gdhirë e diel qytetin e Kukësit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:20, kur një sasi eksplozivi ka shpërthyer në afërsi të një pallati pesëkatësh në lagjen nr. 5 të qytetit. Për pasojë është shkatërruar automjeti tip Wolsvagen me targa “520KS447” që përdorej nga djali i kryetarit të bashkisë së Kukësit dhe që ishte në pronësi të dajës së tij. Fatmirësisht shpërthimi nuk ka shkaktuar viktima në njerëz, por vetëm dëme materiale në pallatet pranë. Përveç tyre, janë dëmtuar edhe dy zyra noterie e një zyrë avokatie. Ende nuk është saktësuar se cili është objektivi i këtij atentati.
***
Dëshmitarët pohuan se automjeti ka qenë i parkuar në afërsi të një pallati pesëkatësh, i cili kishte afërsi me banesën private të kryebashkiakut të Kukësit. Policia nuk ka dhënë ende asnjë version zyrtar lidhur me ngjarjen, ndërkohë që kryetari i bashkisë, Hasan Halilaj, ka mohuar faktin se kjo ngjarje ka të bëjë me atë dhe familjen e tij. Madje ai ka mohuar që automjeti që ishte objektiv i atentatit me tritol të ishte i djalit të tij, por ka qenë i kunatit. Policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje disa persona, kryesisht roje private të objekteve që gjenden në afërsi te vendit ku ka ndodhur shpërthimi. “Hakmarrje të mundshme në mes adoleshentësh, një konflikt mes një noteri dhe të një qytetari për shkak të pronësisë së një shtese pallati ku ndodhi shpërthimi, apo atentatndaj kryetarit të bashkisë së Kukësit për shkak të detyrës. Këto janë tri pistat ku po hetohet për momentin”,- thanë dje burimet e grupit hetimor të çështjes. Sipas tyre, zyrtarisht automjeti i dëmtuar me targa “520KS447” është pronë e shtetasit Blerim Lekica, daja i djalit të kryetarit të Bashkisë së Kukësit.
***
Ngjarja ka alarmuar strukturat më të larta të policisë dhe rreth orës 08:30 të mëngjesit, në vendin e ngjarjes ka mbërritur një grup i ekspertëve anti-eksploziv të RENEA-s. Por ata nuk kanë mundur të bëjnë këqyrjen e vendit të ngjarjes për shkak se makina ishte lëvizur prej aty. Sipas ekspertëve, shpërthimi nuk kishte lënë asnjë gjurmë dhe se mjeti i dëmtuar plotësisht ishte larguar nga vendi i ngjarjes prej policisë. “Nga të dhënat e para mendohet se lënda eksplozive të këtë qenë e llojit tritol dhe me një ngarkesë relativisht të madhe. Krateri i krijuar nga shpërthimi ka një diametër rreth 40 centimetër dhe një thellësi prej 30 centimetrash”,- thanë ekspertët e RENEA-s.