Fitojnë Napoli dhe Arsenali
Napoli mori fitore të madhe para shikuesve të vetë, duke mposhtur Borussia Dortmundin në kuadër të xhiros së parë në Champions League.
Skuadra italiane triumfoi me rezultatin 2:1 ndaj asaj gjermane. Napolitanët në epërsi kaluan me golin e sulmuesit argjentinas, Gonzalo Higuain, i cili shënoi nga afërsia me kokë në minutën e 29-të. Jurgen Klopp, u përjashtua nga ndeshja pas reagimit të ashpër ndaj gjyqtarit të katërt, me rastin e shënimit të golit të parë të napolitanëve.
Kur pritej të përfundonte pjesa e parë, skuadra gjermane mbeti pa një lojtar në fushë, pasi u përjashtua nga ndeshja portieri, Roman Weidenfeller, i cili ndal topin me dorë jashtë zonës së rreptësisë.
Në pjesën e dytë, skuadra vendase vazhdoi me paraqitje të mirë, duke realizuar edhe një gol. Kësaj radhe për skuadrën e drejtuar nga spanjolli, Rafa Benitez, një super gol nga gjuajtja e lirë e realizoi Insigne, në minutën e 67-të. Ndërsa tre minuta para përfundimit të ballafaqimit, Dortmund zbuti avantazhin e napolitanëve me anë të një autogoli të mesfushorit, Zuniga, i cili vulosi edhe rezultatin përfundimtar 2:1 për Napolin.
Në Stade Velodrome edhe Arsenali arriti një fitore të madhe. Theo Walcott në minutën e 65-të shënoi 1-0, para se Aaron Ramsey të dyfishonte epërsinë në minutën e 84 për 2-0. Në fund, Ayew e vendosi rezultatin përfundimtar nga penaltia 2-1. Pas ndeshjeve të para në Grupin F, Napoli zë vendin e dytë në grupin F me tri pikë të fituara, po aq sa ka edhe lideri, skuadra angleze e Arsenalit, e cila triumfoi me rezultat prej 2:1 ndaj Marseille.