Fitojnë këmbësorët e kalasë
Të gjithë në një mendje: Rruga "Murat Toptani" të kthehet në pedonale
Një rrugë për këmbësorët ku të ndërthuren shekujt. Muret romake me ato të shek. XVIII, shek. XX me ato të shekullit të ri. Tani nuk ka më kthim mbrapa. Muret romake të Kalasë së Tiranës janë ekzistencë e pamohueshme e kryeqytetit. Në ditët e para të zbulimit, gjatë ndërtimit të Unazës së vogël të Tiranës, entuziazmi kishte përfshirë specialistë e qytetarë të thjeshtë, ndërsa sot pyetja që rrinte pezull çdo të bëhet me këtë zonë me rrënonja, gjen përgjigje. Për këtë "Shoqata Tirana" organizoi dje takimin "Çdo të bëjmë me Historinë". Qendra Historike e Tiranës, objektet e saj arkeologjike, dhe më së shumti muret e kalasë së vjetër të qytetit ishin qendër e debatit. Në të njëjtën tryezë ishin përballë përfaqësues të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bashkisë së Tiranës, Prefekturës, Institutit të Arkeologjisë, Institutit të Monumenteve të Kulturës, përfaqësues të ndërmarrjeve të Ujësjellës Kanalizimeve, KESH-it, arkitektë, urbanistë, ndërtues e historianë. Për kryetarin e Shoqatës "Tirana", Arben Tafaj, ky takim "do të prodhojë një model të ri sesi sfidat e përbashkëta të cilat lidhen me të shkuarën tonë, do të zgjidhen në mënyrë qytetare dhe të mençur, larg rivaliteteve boshe që prodhon protagonizmi politik". Të ftuarit pa "portofol" pyesnin se cila do të jetë e ardhmja e kësaj zone, ndërsa përfaqësuesit e shtetit nuk i kursyen premtimet. I pari ishte ministri i TKRS-së, Ylli Pango, i cili shprehu gatishmërinë për "t'i shlyer Tiranës një borxh" e për t'iu kthyer qytetarëve këtë pjesë historike të qytetit. Për drejtorin e IMK-së, Lorenc Bejko, kalaja e zbuluar dhe e ardhmja e saj janë "peng" i mungesës së një plani rregullues për Tiranën, ndërsa për të tjerët, pavarësisht pengjeve, duhet gjetur një zgjidhje patjetër. Për arkitektin Artan Shkreli, zgjidhja duhet të nisë që nga respekti për monumentin. Ai hodhi idenë që zona e zbuluar të rrethohet me shirita, për t'u treguar qytetarëve që kjo është një zonë e mbrojtur që respektohet.
Si një ide e hedhur nga specialistët e monumenteve dhe e mbështetur nga Bashkia e Tiranës, rruga "Murat Toptani", përgjatë së cilës shtrihet muri i zbuluar i kalasë, "si pjesë e këtij kompleksi historik kulturor, në të gjithë skenarët e zhvillimit të qytetit duhet të jetë një rrugë "pedonale" (këmbësore ), pavarësisht nga kostoja e këtij vendimi". Gjithashtu u ra dakord që institucionet përkatëse të marrin masa për zhvendosjen e rrjetit inxhinierik të zonës, duke filluar nga segmenti i rrugës "Murat Toptani". Asgjë nga këto nuk është e mundur pa mbështetje financiare, ndaj dhe nënshkruesit e deklaratës kërkuan që trajtimi i mëtejshën i Kalasë të ketë mbështetje financiare nga institucione qendrore, vendore dhe të shoqërisë civile. Për këtë qëllim u propozua hapja e një fondi kontributesh për qytetarët që duan të kontribojnë në ruajtjen e monumentit të kulturës. Ndërkaq duhet siguruar mbështetja e institucioneve të specializuara, për hartimin e një programi afatgjatë për vlerësimin historik-arkitektonik dhe atë arkeologjik të zonës, që ajo të kthehet në qendër të vizitueshme. Me koordinimin e punëve dhe ndjekjen e procedurave do të merret një grup pune, në përbërje të së cilit do të jenë përfaqësues të institucioneve që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me problemin si Bashkia e Tiranës, Prefektura, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Instituti i Arkeologjisë, Qendra "Frashëri për Studime Arkeologjike" etj.