Letër Dylqinjës së Tobozës
(Planetit të zemrës së kalorësit të famshëm të Mançës, Don Kishotit)
E nderuara dhe shumë e respektuara e Tobozës, planet i ndjenjave dhe mendjes së kalorësit të famshëm të Mançës, Dylqinjë! Falmëni që po ju drejtohem me këtë letër ndërkohë që mes nesh në këtë botë nuk ekziston as më e vogla shenjë njohjeje. I vetmi fakt që më bën të besoj se mund t'ua tërheq vëmendjen, e në dhëntë Zoti, edhe të më përgjigjeni, është një vulë jo e vogël në biografinë e së kaluarës sime: jam një lexonjës dhe dashamirës i vjetër dhe i bindur i bëmave të zotërisë që nuk ju heq për asnjë sekondë nga goja, Don Kishotit të Mançës.
Pa guxuar t'ju shpenzoj shumë nga koha juaj e çmuar, mendoj t'ju shpjegoj këtë hap që bëra duke ju shkruar. Fillimisht, nuk kam pse t'ju gënjej, nuk keni qenë ju që më bënit të ndalja aq gjatë në këndimin e historive të kalorësit të famshëm të Mançës. Por nga leximi në lexim, duke përjetuar ato ç'ka thoshte dhe ndërmerrte Don Kishoti për ju, më kaploi një dëshirë e madhe për të komunikuar edhe me ju.
E nderuara e Tobozës dhe e zemrës së Don Kishotit, Dylqinjë! Do t'ju ftoja që në fillim që të mos keqkuptoni këtë dëshirë timen për të komunikuar me ju, e për më tepër për të ditur disa gjëra prej jush e jo prej Don Kishotit. Jo! Në këtë guxim timin për t'ju drejtuar pa ju njohur nuk ka asnjë grimë mosbesimi ndaj gjërave që Kalorësi i Famshëm i Mançës mendon dhe bën për ju. Për më tepër, ju ftoj të mos mendoni se këto radhë që po ju shkruaj të jenë diktuar nga ndonjë cmirë imja. Shkaku i kësaj letre drejt jush është vetëm dëshira ime për të ditur prej jush zgjidhjen e një problemi për të cilin unë mendoj se askush nuk ka patur fatin ta ketë kaq publike dëshirën e dikujt për t'ju përkushtuar, siç bën me ju Don Kishoti - unë dua të di prej jush se, si ndjehet një femër kur e duan aq shumë sa ç'ju don juve Don Kishoti!
Shkak i kësaj pyetjeje është fakti se edhe unë dua një vajzë, me të cilën dëshiroj të martohem. Dhe, duke qenë se prej kohësh jeni kthyer në sytë e mi si model i Malit të Pafund të Dashurisë, do të ishte mjaft e këndshme nëse do të më arrinit të shpjegonit një enigmë të tillë. Për më tepër, do të doja të dija nëse edhe unë, për të fituar plotësisht zemrën e së dashurës sime, do të jem i detyruar të ndërmarr ndonjë aventyrë dhe të gjej një Rosinant apo Sanço Panço.
Edhe diçka tjetër, (më duket se po e teproj me këtë guxim për të shtuar pyetjet, por e kam të domosdoshme të vazhdoj të di nga ju dhe vetëm nga ju), a do të takoheni me Don Kishotin në ndonjë nga këndimet e ardhshme?
Edhe një herë po jua kërkoj me përgjërim: falmëni për guximin për t'ju drejtuar këtë letër, por, ju përgjërohem të mos më ndëshkoni me mospërgjigje. Mbetem me shpresën që, që përveç përgjigjes suaj (që mendoj se do të jetë jashtëzakonisht e vlefshme për pozicionin në të cilin ndodhem) t'ju takoj në këndimin më të parë që do t'i bëj bëmave të heroit të zemrës suaj.
I dashuruari pas dashurisë suaj, Agim…
Përgjigje
(T'ju them të drejtën, u befasova kur në adresën time erdhi përgjigja e letrës sime drejtuar Dylqinjës, jo nga dor' e saj, por nga vetë dora e Don Kishotit të Mançës. Por, për të qenë korrekt me lexuesin (pasi korrektesa ka qenë parësore në të gjitha korrespondencat e mia) dhe duke u betuar se nuk do të heq dorë nga një përgjigje e vetë Dylqinjës, mendova t'ju lë në dispozicion letrën e plotë që më solli i dashuri i saj i zemrës.)
I miri mik! Më lejoni t'ju drejtohem si një i njohur. Letra juaj drejtuar të dashurës së zemrës sime, Dylqinjë (o Zot, ç'kënaqësi sa herë në buzë më përpëlitet emër i saj) më bën të heq çdo vel ngurimi e t'ju flas hapur.
Fillimisht, do të kërkoja prej jush të mos e merrnit mungesën e letrës së Dylqinjës si një shenjë xhelozie nga ana ime. Aspak nuk janë punët kështu. Jam i sigurtë se ajo do të kish dashur t'ju shkruante vetë, ose të paktën, do t'ju kish sqaruar lidhur me të ardhmen e takimeve të mia me të në këndimet e tua të ardhshme të udhëtimeve të mia. Mungesa e përgjigjes nga ana e saj është një histori krejt tjetër nga ajo që mund të mendoni ju.
Por, përpara se t'ju njoftoj shkakun e mungesës së përgjigjes nga ana e saj, më duhet t'ju vë në dijeni për reagimin tim në momentin kur më njoftuan për guximin tuaj. Nuk dëshiroj t'ju fsheh faktin se, menjëherë u mbusha me dëshirën për t'ju ftuar në duel, ashtu siç kam bërë rëndom me këdo që ka zgjatur duart e mendimeve rreth zonjës sime zemërmadhe e hirëplotë. Por këshillat e ftohta të Sanço Panços, të bashkuara me logjikën dhe qetësinë që e ka shoqëruar në të gjithë karrierën drejt fitimit të Guvernës apo mbretërive, më bënë të ndryshoj mendim. Madje, s'kam pse t'ua fsheh, ishte vetë Sanço që më sugjeroi këtë letër drejt jush, duke më bërë të kuptoj se një hap i tillë do të ish' në hijen e famës sime. Një hap i tillë është edhe shansi yt i madh për të kuptuar se përse dashuria ime e madhe, Dylqinjë, nuk mund t'ju shkruajë tani.
I miri mik! Me zemër të hapur dhe me bindje të plotë, të ftoj të pranojmë së bashku se është dobësia jonë njerëzore që duam t'i kemi pranë njerëzit që duam. Por, i dashur Agim, njerëzit janë pranë vetëm nëse ne i duam. (Ju të gjithë i flisni të tjerëve për të dashurin apo të dashurën, sidomos kur ata nuk janë aty, por kjo nuk do të thotë se ata nuk ekzistojnë. Përkundrazi, ato çaste janë të vetmet që ne duket se i kemi tërësisht përballë). E në këtë mes, le t'i themi gjërat hapur: Dylqinja është vetë Dashuria. E sikur, i dashur mik, unë ta takoja Dylqinjën gjatë këndimit të udhëtimeve të mia, mjaft njerëz në botë, për shkak të papërsosmërisë së karakterit njerëzor, do të kërkonin tek ky takim pikërisht atë që do të dukej më pranë dështimit, do të vlerësonin zënkat dhe do të mbanin mend bisedat me tone të larta.
Por unë mendoj se për dashurinë ka vlerë ajo që njeriu mendon kur është me vete. Për më tepër, dhe për hatër të Zotit, besomëni, unë kam arritur të kuptoj se krijuesi i kësaj bote ka mbajtur nga të gjitha krijimet e veta dy formula: atë të Vdekjes dhe atë të Dashurisë; etë dyja me kushtin e vetëm që me të parën të mësohesh për ta zhvlerësuar, ndërsa të dytën, ta kërkosh, për ta shijuar.
Sa për pyetjen, nëse për dashurinë tuaj duhet të keni Rosinant dhe Sanço Panço, unë mendoj se është në dorën tuaj të kuptoni më parë se me cilat mjete dhe me cilët këshilltarë do të vazhdoni betejën, e më pas të niseni për atje ku keni menduar.
I miri mik! Falmëni nëse nuk kam arritur t'ju shpjegoj asgjë nga ato që kishit prej mallit të zemrës sime, Dylqinjës. Eshtë e natyrshme besoj që nga një burrë përgjigjet të mos jenë të plota, por ama mendoj se duhet të jenë të vërteta e të drejta. Për më tepër se kaq mbetet sërish në dorën tuaj.
I lumturuar për një mik si ju, Kalorësi i Mançës!
(P.s: Po e lë në dorë të Sanço Panços përgjigjen time drejt jush, me dëshirën dhe mendimin se letrat tuaja nuk do të mungojnë në drejtim të mallit të zemrës sime, hirëplotes Dylqinjë, e as në drejtimin tim).