"Mos harrojmë kush e paguan në fund faturën e borxheve..."
Në një artikull në gazetën "Shekulli" të datës 22 prill, përshkruhen arsyet përse deficiti korrent i kaloi të gjitha parashikimet e FMN-së, mora iniciativën të ngre shqetësimin tim si qytetar i këtij vendi. Ka vite që Shqipëria merr në formën e huasë borxhe nga vende të tjera, për të "përmirësuar" gjoja situatën ekonomike në vend dhe duke cituar artikullin, ky borxh kap shifrat e 11% të PBB-së ose 878 mln euro, një shifër e jashtëzakonshme kjo për popullin shqiptar, ku dhe vetë FMN ngre shqetësimin për pasoja të rënda në ekonominë e vendit.
Lajmi tjetër i fundit ishte ai i huasë prej 230 mln euro nga një bankë greke (banka kombëtare e Greqisë) e cila thellon këtë deficit ekonomik ku dhe pa të, arrinte shifra rekord.
Natyrshëm lindin pyetjet si më poshtë:
- Çfarë po bën shteti me këto para të mara borxh? - A kanë kapacitete këto investime të shlyejnë borxhet pa rënduar në kurrizin e shqiptarëve? - Përse nuk na informon njeri për pasojat që do të kemi në inflacion dhe natyrshëm në xhepat e secilit prej nesh, pasi do të na duhet t'i paguajmë këto këste në formën e taksave? - Kush i administron këto para dhe pse nuk ka një transparencë të plotë për to? - Si guxon mazhoranca të miratojë një kredi prej 230 mln eurosh pa miratimin e opozitës?
- Kush do të paguajë këtë borxh nëse mazhoranca e sotme, nesër e humbet pushtetin?
Dua ta mbyll këtë letër duke ju drejtuar të gjithë qytetarëve shqiptarë!
A ndiheni të përfaqësuar në parlament, a mjaftojnë 140 vetë për të gjithë shqiptarët? Sigurisht që mjaftojnë, por parlament SHPK nuk përfaqëson askënd, por si gjithmonë faturën e borxheve të tyre do ta paguajmë të gjithë NE!!!