“Seseri”, Këshilli i Mandateve: T’i propozohet Kuvendit dorëheqja e Gjon Bardhit

Mazhoranca dhe opozita, me raport të përbashkët në parlament
Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve vendosi sot t’i propozojë Kuvendit dorëheqjen e Gjon Bardhit nga lista e deputetëve të Partisë Socialiste. Mazhoranca kërkoi që të shkojë në parlament çështja. Pas dy javësh beteje politike mandati i Rudina Seserit do të zgjidhet në rrugë parlamentare duke shmangur kështu Gjykatën Kushtetuese.
Opozita dhe mazhoranca në Këshillin e Mandateve kanë gjetur zgjidhje konsensuale duke ia kaluar të drejtën e zgjidhjes seancës së Kuvendit. Me propozim të kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, u ra dakord që palët të shkojnë në parlament me një raport të përbashkët ku pritet t’i thuhet “po” tërheqjes së të mandatuarit, Gjon Bardhi.
Bardhi ka refuzuar të zëvendësojë deputeten Rudina Seseri, pasi ka zgjedhur të mbajë detyrën e kryebashkiakut të Fushë Krujës.
Gjithashtu shumica në komisionin ka kërkuar që komisioni i reformës zgjedhore të plotësojë boshllëqet që kanë krijuar këtë fenomen.
Rudina Seseri vendosi të dorëzojë mandatin e deputetes më 16 dhjetor dhe sipas ligjit zgjedhor, i takonte emrit pasardhës në listën e PS-së për qarkun e Durrësit të merrte mandatin e saj.
Mazhoranca dhe opozita janë përfshirë në një debat të fortë politik me akuza dhe kundër-akuza.
Islami: Çështja fillimisht në Kuvend, më pas për interpretim në KQZ
“Ishte një mbledhje për gjetjen e një zgjidhjeje. U miratuan disa momente që ky mandat nga pikëpamja ligjore i takon PS-së. E dyta që ky problem të zgjidhet me shpejtësi dhe mos të ketë asnjë zvarritje të çështjes që të prishet konsensusi i integrimit dhe e treta: mbi bazën e propozimit të anëtarëve të PD-së që kjo çështje t’i çohet Kuvendit e më pas t`i kalojë për interpretim KQZ”- tha deputeti i pavarur Kastriot Islami, pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve. Por rasti Seseri - Bardhi ka sjellë një nevoje për ndërhyrje në kodin zgjedhor lidhur me precedentë të tillë. “Ka dy vendime të KQZ-së për të njëjtin person që ka dy mandate atë të kryetarit të bashkisë dhe atij të deputetit. Edhe pse ai ka paraqitur dorëheqjen, nga pikëpamja strikte ligjore i njëjti person ka dy mandate dhe kjo është një situatë që është diskutuar. U vendos që kjo çështje të zgjidhet në seancë plenare nëpërmjet një argumentimi juridik dhe të mos ndodhë më në të ardhmen”- ka shtuar më tej Islami. Pas miratimit në seancë të raportit, Kuvendi pritet t’i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zëvendësimin e mandatit me ermin e radhës në listën e socialistëve për qarkun e Durrësit që do të jetë Edison Konomi.