E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiton “Dashuria”

Juria e edicionit të 65’të të Festivalit të Cannes, i cili përfundoi të dielën mbrëma, për filmin më të mirë ka shpallur realizimin e regjisorit austriak, Mihael Haneke, “Love” (Dashuria), ndërkaq çmimi për regjinë më të mirë iu nda meksikanit, Carlos Reygadas, për dramën familjare "Post Tenebras Lux" (Dritë Pas Errësirës).

Filmi “Love” i regjisorit austriak, Michael Haneke, mori Palmën e Artë në Festivalin e Filmit në Cannes. Filmi, i cili trajton historinë e një burri të përkushtuar ndaj gruas së tij, e cila ndodhet në prag të vdekjes, ka mposhtur 21 filmat e tjerë që garonin për Palmën e Artë. Është ky çmimi i dytë brenda viteve që i ndahet këtij regjisori austriak. Tre vjet më parë, Haneke fitoi Palmën e Artë edhe me filmin e tij "The White Ribbon" (Fjongoja e Bardhë).

Në filmin triumfues dy rolet kryesore iu besuan ikonave franceze të filmit, 85-vjeçares Emmanuelle Riva, dhe 81-vjeçarit Jean-Louis Trintignant, të cilët portretizuan mjeshtërisht çiftin e vjetër martesor, pak para vdekjes së gruas së sëmurë.

Palma e Argjendtë, por edhe çmimi Grand Prix i jurisë profesionale të festivalit, iu nda regjisorit italian, Mateo Garone, për filmin tragjikomik “Reality” (Realiteti), ndërkohë që Palma e Bronztë i shkoi komedisë “The Angels” (Engjëjt), të regjisorit Ken Loach.

Çmimi për aktorin më të mirë në kategorinë meshkujve i takoi aktorit danez, Mads Mielsen, për rolin e tij në trilerin psikologjik “The Hunt” (Ndjekja), me regji të Thomas Vinterberg. Nga ana tjetër, çmimi për aktoren më të mirë u nda mes aktoreve rumune, Cristina Flutur dhe Cosmina Straten, për rolet e interpretuara në filmin “Beyond the Hills” (Prapa Maleve), të regjisorit Cristian Mungiu. Ky film rumun u shpërblye edhe me çmimin për skenarin më të mirë filmik.

Përzgjedhja e fituesve të çmimeve u bë nga 22 anëtarët e jurisë, e cila udhëhiqej nga regjisori italian, Nanni Moretti, dhe pjesë e së cilës ishin edhe aktorët Ewan McGregor dhe Diane Kruger, regjisori Alexander Payne, dhe disenjatori i modës, Jean-Paul Gaultier. Pas ndarjes së çmimeve, Moretti sqaroi se asnjëri prej laureatëve nuk u përzgjodh unanimisht, dhe se disa filma krijuan ndasi të mëdha brenda jurisë. Në këtë mes ai përmendi emrat e filmave "Holy Motors", të regjisorit Leos Carax, "Paradise: Love", të Ulrich Seidl, dhe "Post Tenebras Lux", të meksikanit Reygadas.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›