E Diel, 1 Nëntor 2026

Grass, sulmon Evropën për Greqinë

Shkrimtari dhe nobelisti gjerman, Gunter Grass (84), këtë fundjavë ka kritikuar ashpër mënyrën se si vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) po sillen ndaj Greqisë, në kohën kur ky vend është goditur rëndë nga kriza financiare.

Në poemën e shkrimtarit të famshëm gjerman “Turpi i Evropës”, të cilën e publikoi gazeta ditore gjermane ‘Suddeutsche Zeitung’, Greqia përshkruhet si një shtet “i dënuar për të qenë i varfër”.

Më tej në poemë, Grass nënvizon se, Greqia “i është nënshtruar një talljeje të hapur”, dhe se ky është “një vend pa të drejta” rreth të cilit rripi po shtrëngohet gjithnjë e më fort.

Poema përfundon me paralajmërim të Grass: “Ti, Evropë, do të shkatërrohesh brenda zemërngushtësisë, e mbetur pa vendin shpirti i të cilit të ka krijuar”.

Shefi i Komitetit për Punë Evropiane, i Parlamentit të Gjermanisë, Gunther Krichbaum, përndryshe anëtar i partisë konservatore të Unionit Demokristian (CDU), të kancelares Angela Merkel, ka refuzuar kritikat e shkrimtarit të njohur, fjala e të cilit ka peshë të madhe në Gjermani.

"Nuk mendoj se ajo [poema e Grass] duhet të merret seriozisht, sepse ajo nuk ka lidhje me realitetin. Veçanërisht, për faktin se Greqia ka marrë një ndihmë të madhe, i cila, realisht, nuk vjen nga shtetet por nga qytetarët dhe nga kuletat e tyre”, theksoi Krichbaum.

Ka muaj që Greqia po përballet me krizën e borxheve, e cila, pak para zgjedhjeve të reja parlamentare, të caktuara për 17 qershor, kërcënon që vendin ta largojë nga Eurozona, gjegjësisht ta bankrotojë përfundimisht.

Thelbi i ndarjeve brenda trupit zgjedhor grek është vija që i ndanë ata që konsiderojnë se rruga e vetme për dalje nga kriza është ajo që nga Greqia kërkon Bashkimi Evropian – pra, aplikimi i masave të rrepta të kursimit, në këmbim me kredi të reja, dhe ata që konsiderojnë se Greqia duhet t’i kthehet rrugës së saj, dhe të mos i nënshtrohet më diktatit që vjen nga BE’ja.

Gunter Grass, i cili famën e tij botërore e arriti falë romanit të tij “Daullja e Metaltë” (1959), në të cilin haptazi i hakmerret nazizmit në vendin e tij, në muajin prill publikoi edhe një poemë tjerë të ngjashme që nxiti debate. Ishte kjo poema “Ajo që Duhet të Thuhet”, përmes së cilës Grass nxiti debate të opinionit botëror, sepse kritikoi “dyfytyrësinë e Perëndimit, lidhur me programin bërthamor të Izraelit” dhe atij të Iranit, ndërkohë që kërcënimet e shtetit çifut ndaj Iranit i vlerësoi si “një kërcënim real ndaj paqes së brishtë në botë”.

Ndryshe, gjatë një interviste shokuese në vitin 2006, Gunter Grass pranoi se, në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur ende ishte 17-vjeçar, ishte pjesëtar i një SS njësiti të Vermachtit nazist.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›