E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panairi i Pavarësisë

Panairi i Librit ‘Prishtina 2012’, i cili organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, sivjet do t’i kushtohet Pavarësisë së Shqipërisë. Të pranishëm ndoshta do të jenë edhe presidentët e dy shteteve shqiptare.

Nëse presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga do të jetë javën tjetër në Prishtinë, atëherë ka gjasa që ajo së bashku me homologun e saj nga Shqipëria, presidentin Bamir Topi, ta presin shiritin në ceremoninë e hapjes së Panairit të Librit ‘Prishtina 2012’, i cili do të mbahet prej datës 4 deri më 10 qershor.

I organizuar prej vitit 1999, ky panair është i katërmbëdhjeti me radhë dhe edhe kësaj radhe, sipas organizatorëve, nuk do të mungojnë risitë.

“E veçanta e këtij panairi është se koincidon me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe padyshim se i dedikohet kësaj ngjarjeje të madhe”, tha për Express Besian Zeneli, koordinator i panairit.

Ai tha se edhe sivjet do të ketë mysafirë që e begatojnë këtë panair. Ai tregoi se deri tash ardhjen e kanë konfirmuar shkrimtarë të ndryshëm si Besnik Mustafaj, Koço Danaj, Amik Kasoruho dhe Ridvan Dibra.

“Është edhe një ngjarje më e madhe që do ta begatonte panairin në qoftë se gjatë atyre ditëve të panairit ose gjatë hapjes do të jetë në vend presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Ka shprehur dëshirë që të vijë edhe Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi. Kushti i tij ka qenë që nikoqirllëkun t’ia sigurojë presidentja e Kosovës. Kështu që mbetet të shohim nëse në ditën e hapjes do të jetë Presidentja Jahjaga në Prishtinë atëherë të pranishëm në ceremoninë e hapjes do ta kemi edhe Presidentin e Shqipërisë Bamir Topi”, tha Zeneli.

Panairi i sivjemë pritet të ketë ndryshime thelbësore qoftë me botuesit pjesëmarrës, qoftë me organizimin dhe risitë që do t’i ofrohen opinionit libërdashës.

Zeneli tha se kanë vendosur që ekskluzivitetin e shitjes së librave t’ua lënë vetëm botuesve.

“Secili botues do të ekspozojë librat e veta. Jo të jetë sikur herëve të tjera kur kishte probleme, nuk respektohej përqindja për librat e shitur, një libër shitej në dy tri duar, kishte shitës ambulantë. Tani është marrë një vendim që në panair të marrin pjesë vetëm botuesit e licencuar”, tha ai.

Deri tash organizatorët kanë arritur t’u sigurojnë hapësirë 65 botuesve të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Zeneli tha se planifikojnë që afër 70 botues t’i akomodojnë në hapësirën e Pallatit të Rinisë, megjithëse hapësira që e ka Pallati i Rinisë nuk është e mjaftueshme.

Në këtë edicion nuk do të mungojnë aktivitetet e shumta. Do të ketë promovime që do t’i kushtohen 100-vjetorit të pavarësisë, por edhe promovime të tjera.

“Ka botues nga Tirana që kanë botuar libra me përmbajtje nga 100-vjetori i Pavarësisë dhe kanë kërkuar paraprakisht promovime. Do të jenë rreth 50 promovime gjatë kohës së panairit. Deri më tani kanë ardhur rreth 50 kërkesa të botuesve për promovime”, tha ai.

Ndërsa, duke folur për mbështetjen institucionale, Zeneli tha se njëzet apo tridhjetë përqind të shpenzimeve i mbulon Ministria e Kulturës, përndryshe pjesa tjetër mbulohet me buxhetin vetanak që e siguron Shoqata e Botuesve.

“Ministria e Kulturës e ka ndarë një shumë prej tre mijë euro”, tha ai.

Ndërkaq, Zeneli tregoi se nuk kanë dashur të kërkojnë sponsorë të tjerë. Tha se kanë kërkuar viteve të tjera por kanë harxhuar energji kot.

“Ne si prioritet e kemi pasur gjithmonë bashkëpunimin me Ministrinë e Kulturës dhe organet shtetërore, përndryshe nuk kemi trokitur në dyer të tjera për të siguruar fonde”, tha ai.

E sa i përket interesimit të lexuesve, Zeneli tha se ka rreth dy tri javë që njerëzit po pyesin kur do të mbahet panairi.

E mira e këtij panairi, sipas tij, është se organizohet në fillim të muajit, kështu që edhe njerëzit e kanë një mundësi më tepër për të blerë libra pasi që atëherë është edhe koha kur i marrin pagat dhe kanë më shumë para nëpër duar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›