E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitore e jashtëzakonshme e United

Manchester Unitedi në mënyrë sensacionale ka përmbysur avantazhin prej dy golash të Blackpoolit për të shënuar fitore prej 3-2, në ndeshjen e mbetur të javës së 16-të të Premier Ligës të zhvilluar të martën mbrëma në Bloomfield Road.

Për befasinë e të gjithëve, skuadra vendase krijoi avantazh të dyfishtë në pjesën e parë përmes Craig Cathcart (15’) dhe Dudley Campbell (44’).

Ndërsa vetëm në minutën e 72-të, lideri i Kampionatit anglez arriti të shënojë golin e parë në këtë ndeshje me anë të bullgarit Dimitar Berbatov.

Kaluan vetëm dy minuta, dhe Djajtë e Kuq barazuan rezultatin, pas një asistimi të Ryan Giggs drejt Javier "Chicharito" Hernandez, i cili ndëshkoi skuadrën vendase.

Berbatov u bë edhe një herë heroi i United, pasi shënoi edhe golin e dytë personal dhe të fitores, pas një asistimi të bukur të Paul Scholes (88’).

Kjo fitore e rrit edhe më shumë diferencën e Manchester Unitedit me përcjellësit e tij për titull. Tani Djajtë e Kuq kanë pesë pikë më shumë se vendi i dytë (Arsenali) dhe gjashtë pikë më shumë se vendi i tretë (Manchester City).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›