E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, “jetë nate"në shkollën e fshatit Aliko

Prishet muri i shkollës, gjenden cigare dhe dyshekë nëpër klasa. Kërkohet ndihmë nga policia

Sjellja ekstreme e një grupi adoleshentësh në fshatin Aliko, të Sarandës, është kthyer në shqetësim për mësuesit, drejtorinë arsimore të rrethit e deri për policinë. Jashtë vëmendjes së prindërve në këto mbrëmje të nxehta gushti, nxënës të cikleve të larta të 9-vjeçares, të “udhëhequr” nga bashkëmoshatarë të tyre të ardhur me pushime nga Greqia, i kanë lejuar vetes dëfrime “të dyshimta”.

Ajo që ka shqetësuar dhe ka vënë në alarm persona përgjegjës dhe struktura shtetërore, ka qenë jeta e natës që kanë nisur të bëjnë adoleshentët e fshatit Aliko, por edhe fakti që këtë e kanë realizuar duke prishur murin e një dritareje të mbyllur me blloqe betoni, në anën e prapme të shkollës. Mësuesi përgjegjës i kësaj godine arsimore, ku studiojnë 50 nxënës, Thoma Boro tha se ka marrë sinjalin që njëra prej klasave të shkollës 9-vjeçare të Alikos përdoret si diskotekë klandestine. çdo mbrëmje, rreth orës 22:00, në shkallët e shkollës mblidhen dhjetëra nxënës të moshave të vogla dhe aty rreth mesnatës, bëhen shkallë për njëri-tjetrin, për të hyrë përmes zgavrës së hapur nga heqja e blloqeve të betonit. Nisur nga ato që u gjetën edhe në mëngjesin e djeshëm atje, kuptohet lehtazi se atje organizohen kërcime dhe mënyra të tjera dëfrimi. Bishta cigaresh pa fund mbulonin dyshemenë, fara kungulli e luledielli, kanoçe koka-kole, por mësuesit na thanë se nuk kanë munguar as dyshekët.

Këto organizime janë marrë si një kompensim i mungesës së një diskoteke në të gjithë Komunën e Alikos. Një sjellje rebeluese e pjesëmarrësve në këto organizime është vënë re edhe në ato që janë shkruar me bojëra spray mbi muret e jashtme të godinës. Më të shumtat e tyre nuk ka qenë e mundur të deshifrohen, përveç asaj që lexohej qartë për “PAO K 13”, mbishkrim ky që na thanë se evokon një episod të dhunshëm të ndodhur vite më parë në një nga stadiumet e Greqisë dhe që ka pasur 13 njerëz të vdekur. Të marra në kompleks të gjithë elementët, kanë vënë në lëvizje dje drejtorin e shkollës së bashkuar, Dhimitër Kore, drejtoreshën e zyrës arsimore, Lina Vaso, kryetarin e komunës, Ilia Thanasi, dhe Komisariatin e Policisë së Sarandës. Drejtori Kore thotë se mungon mbështetja nga komuna për rrethimin e shkollave, apo dhe për investime të tjera emergjente. Ndërsa kryekomunari Ilia Thanasi është shprehur se nuk ka fonde, as për të vënë roje në objekte.

Policia

Gjithçka që është vlerësuar jashtë të zakonshmes në shkollën e Alikos është denoncuar në Komisariatin e Policisë së Rendit në Sarandë, nga kreu i zyrës arsimore, Lina Vaso. Po dje mësohet të kenë nisur hetimet për të gjetur organizatorët e situatës së krijuar. Për momentin dyshohet se gjithçka ka nisur si imitim i mënyrave të rebelimit në shkollat greke, nga kanë ardhur me pushime edhe mjaft prej atyre që kanë “propozuar” jetë nate në mjediset e shkollës së fshatit, që identifikohet si “kryeqytet” i zonave të banuara nga popullsi minoritare në Sarandë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›