Fitore pa shkëlqim
Holanda, e cila zbarkoi në Afrikën e Jugut mes muzikës së trombëve, konfirmohet si një prej favoriteve të turneut. Skuadra e drejtuar nga Bert van Marvijk fitoi 1-0 edhe në ndeshjen e dytë përballë Japonisë, por sërish nuk ka shkëlqyer. Nëse kundër Danimarkës ata ishin me fat në devijimin e topit nga dy mbrojtësit e qendrës së kundërshtarëve për të kaluar në avantazh, këtë herë në ndihmë të “tulipanëve” për të marrë tri pikët, ka ardhur gafa e portierit japonez, Kauashima. Lojtari që zgjidhi ndeshjen ishte Uesli Shnajder. Në minutën e 53-të të takimit, mesfushori i Interit lëshoi një goditje nga jashtë zonës e me bashkëpunimin e “gardianit” kundërshtar, sfera që përfundoi në rrjetë ndëshkoi aziatikët dhe i dhuroi Holandës vendin e parë në Grupin E. Por, triumfi nuk ishte aspak i lehtë. Trajneri Okada e kishte rreshtuar skuadrën e tij në mbrojtje dhe deri në golin e “portokallinjve”, strategjia funksionoi më së miri.
Minutat e para të lojës krijuan idenë se ndeshja do të ishte spektakolare. Holanda ka shumë kualitet dhe lojtarë në gjendje të kombinojnë me sy të mbyllur. Ata qarkullojnë topin, arrijnë në gjysmëfushën kundërshtare pa vështirësi, por më pas “barrikada” japoneze shkatërron gjithçka. Aziatikët luajnë me një rregull për t’u pasur zili dhe të gjithë lojtarët sakrifikohen për skuadrën. Ata vrapojnë si të “çmendur” dhe thyejnë aksionet holandeze. Mungesa e hapësirave bën që Van Persi dhe yjet e tjerë të “tulipanëve” të humbasin qetësinë, megjithatë nervozizmi nuk kthehet në grintë sportive. Lojës së europianëve u mungojnë disa elemente: përkushtimi, fantazia dhe guximi. Pjesa e parë ka fare pak raste për t’u shënuar. Gjuajtja e Van Persit, roveshata e Kuijt dhe harkimi i Van der Vart janë neutralizuar pa vështirësi nga portieri Kauashima. Në anën tjetër, një pritje e Stekelenburg, pas tentativës nga jashtë zonës të Matsuit, që erdhi pas një aksioni të shpejtë të japonezëve. Në fraksionin e dytë të lojës, Holanda nuk bën asnjë korrigjim taktik dhe ndeshja nuk ndryshon. Deri në minutën e 53-të, kur topi i larguar keq nga mbrojtësit aziatikë përfundon në këmbët e Uesli Shnajder. Organizatori tenton me forcë gjuajtjen e menjëhershme: Kauashima është në trajektoren e topit, por pozicioni i duarve të tij nuk është efikas dhe “portokallinjtë” e shohin veten në avantazh. Ky episod ndryshon takimin. Japonia detyrohet të hidhet në sulm, Okubo tenton tri herë radhazi nga distanca, por ai nuk është i saktë, ndërsa Stekelenburg shfaqet i vëmendshëm. Edhe Holanda e sheh veten pranë golit me Afellai, me zëvendësuesin e Shnajder që gabon në dy momente. Drithërima e fundit kalon nga këmbët e Okazakit, i harruar nga mbrojtësit, megjithatë ai shpërdoron, duke e dërguar topin pak mbi traversë. Me 6 pikë, “tulipanët” janë pranë kualifikimit, ndërsa japonezët duhet të japin gjithçka në sfidën e fundit me Danimarkën.
#