Dardha, gati për pushuesit
Fshati Dardhë mbetet një nga zonat më të frekuentuara për turizëm malor gjatë periudhës së verës. Dardharët kanë nisur të presin turistët e parë, të cilët zgjedhin këtë pikë kryesisht gjatë fundjavave. Turistët dhe vizitorë nga qytete të ndryshme të vendit kanë filluar të gjallërojnë zonën që njihet për ajrin e freskët në këto ditë vere. Sipas banorëve, vetëm gjatë fundjavave me nisjen e motit të nxehtë ka pasur mbi 50 turistë ditorë vendas dhe të huaj. Pika e pozicionuar në mal mbetet e frekuentuar për shkak të temperaturave të ulëta, gjelbërimit, për ujin e ftohtë të burimeve që rrjedhin nga çezmat e gurta. Kanë qenë kryesisht moshat e treta ata që kanë preferuar më shumë qetësinë dhe ajrin e freskët, ndërsa turistët ditorë, që kanë ardhur këtë vit, kanë qenë të organizuar në grupe. Vizitorët kanë qenë kryesisht nga kryeqyteti, Durrësi, Vlora, Fieri, Shkodra etj. Këtë sezon, sipas banorëve, ka pasur një rënie të numrit të vizitorëve dhe turistëve krahasuar me një vit më parë, megjithatë pritet që me nisjen e sezonit të pushimeve të ketë edhe një fluks më të lartë.
#