E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demonizimi i KESH-it

Fatos Çoçoli 

Korporata Energjetike Shqiptare (KESH) përbën pa dyshim një thes të stërmadh me probleme të trashëguara dhe të sotme dhe një vrimë të zezë në ekonominë e vendit. Megjithatë, përmendja e këtij halli madhor për të gjithë në një raport të ditëve të fundit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk përbën arsye të mjaftë për “t’ia futur” KESH-it. Nxirja këto ditë e aktivitetit të saj nga partia kryesore opozitare e vendit dhe nxjerrja në pah pikërisht tani e malit me borxhe që KESH ka dhe e aftësisë së ulët shlyese të saj (arkëtuese të parave nga energjia që shpërndan) nuk i shërben askujt ndër shqiptarët. Dihet që Banka Botërore ka një tog vitesh që ia ka mohuar KESH-it mundësinë për të marrë hua me qindra milionë dollarë investime prej saj, për shkak të kësaj sëmundjeje kronike të ndërmarrjes sonë që na sjell dritën në vatrat familjare. Dihet dhe që shumica e donatorëve të tjerë të Shqipërisë (sidomos Komisioni Evropian) janë shumë të shqetësuar për gjendjen e kompanisë dhe bilancin e saj me “këpucë të kuqe”. Por nuk ka përse të shtohet më shumë fjalnaja për KESH-in. Nuk zgjidhet gjë me rëndimin e gjendjes së saj nëpërmjet sulmeve publike. Në radhë të parë, nuk është momenti i duhur. Kjo, pse KESH ndodhet në prag të privatizimit dhe zhurmnaja vendase për problemet që ajo ka vetëm sa topit blerësit e huaj të fuqishëm (investitorët strategjikë) të interesuar për të. Bëhet fjalë për dhjetëra e qindra milionë euro dhe investuesi i huaj është shumë i ndjeshëm ndaj “humoreve” vendase. Me fjalë të tjera, ndaj mënyrës se si e shohin partitë politike këtë proces privatizimi, si e konsideron opinioni publik dhe vetë shqiptarët një ndërmarrje të madhe publike, një monopol shtetëror si KESH-i. Menaxhimin, rezultatin ekonomik, ecurinë e saj në shërbimin ndaj qytetareve. Dhe bashkë me topitjen e investitorëve, ulet dhe çmimi i mundshëm i blerjes, pse bëhet fjalë për ankand të hapur. Çmimi i industrisë shtetërore të aluminit në Mal të Zi që u privatizua (u ble) nga rusët dy vjet më parë u ul me rreth 30 për qind vetëm dy javë përpara ankandit, për shkak të një skandali që shpërtheu me menaxhimin publik të kësaj industrie. Kjo nuk do të thotë aspak që opozita dhe shtypi i pavarur të mos denoncojnë skandalet dhe aferat e pista korruptive. Dhe të mos u shkojnë deri në fund atyre e të mos bëjnë gurgulenë maksimale, kur kanë fakte ndër duar. Mirëpo deri tani, për fat të keq, demonizimi i KESH-it është bërë thjesht me fraza të përgjithshme politike, me sulme pasionante, pa ndarë në mënyrë profesionale dëmin e shkaktuar nga borxhet e trashëguara dhe situata objektive e krizës energjetike në Ballkan në periudhën 2006-2007 me keqmenaxhimin apo dëmet e sjella nga drejtimi jo i duhur i kësaj ndërmarrjeje gjigande publike. Me fjalë të tjera, pa përcaktuar përgjegjësinë konkrete të qeverisjes së sotme. Kjo vetiu e bën eunuk sulmin dhe ul mundësinë që strukturat e sotme përgjegjëse të KESH-it të kundërveprojnë duke përmirësuar menaxhimin (që është interesi madhor i vendit në këtë aferë). Nga ana tjetër, duke qenë se dritat rrallë kanë munguar duke filluar që nga nëntori i vitit të kaluar (2007) dhe nuk mund të bëhet më fjalë për krizë në furnizimin me energji, edhe gjasat për fitim pikësh zgjedhore tek qytetarët dalin të pakta. Nuk ka rëndësi nëse qeverinë e sotme e ka ndihmuar dimri i vjetshëm dhe pranvera e këtij viti plot me shira në furnizimin e popullatës. Përtej sulmeve pa shumë bukë, PS-ja, nëse dëshiron mirëfilli t’u bëjë përshtypje shqiptarëve dhe votuesve të nesërm të saj, lypset të dalë përpara tyre me një plan katërvjeçar 2009-2012 të detajuar se si mendon ta zgjidhë kalvarin energjetik të vendit. Masat që synon të marrë, reformat në staf dhe në menaxhim që synon të kryejë. Kështu i shërben vendit dhe bën atë opozitë konstruktive që thotë se është duke bërë. Përndryshe, ky demonizim i KESH-it i këtyre ditëve vetëm sa rrit vështirësitë në procesin e privatizimit të kësaj ndërmarrjeje shtetërore aq jetike për shqiptarët.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›