E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitorja e Bashës, përtej çdo dyshimi – Olldashi s’e gëlltiti dot humbjen e hidhur

15-08-2013 / Gazeta 55

Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj deklaron se fitorja e Lulzim Bashës është përtej çdo dyshimi, ndërsa rivali i tij, Sokol Olldashi s’e gëlltiti dot humbjen e hidhur. “Përkundër gjithë skepticizmit fillestar, procesi ishte mjaftueshmërisht i kënaqshëm dhe prodhoi rezultat tej çdo dyshimi. Prej tij u fituan dy gjëra shumë të rëndësishme. Një kryetar me legjitimitet të pacenueshëm dhe, së dyti, ringjallja edhe njëherë e ndjesisë së solidaritetit të anëtarësisë si një bashkim solid, ekzistent dhe vendimmarrës. Mungesat teknike në lista, angazhimi i një sërë kryetarësh lokalë të partisë, i ndonjë drejtori të administratës apo edhe heshtja e sforcuar e një sërë drejtuesish të lartë të partisë, e shoqëruar nga një lobim okult jo i denjë, nuk e cenuan pastërtinë e procesit, qartësinë e rezultatit dhe të mesazhit politik të demokratëve të thjeshtë, qoftë për drejtuesit paraardhës, por edhe atë të ri, si dhe vlerën psikologjike apo edhe fuqinë magjike rigjeneruese që pati ky proces për të gjithë partinë. Ky proces ishte rifitimi i një vlere të PD-së që duhet të qëndrojë në themel të sjelljes së saj politike në vazhdim. Por, humbja e hidhur asnjëherë nuk ka qenë e lehtë për t’u gëlltitur. Ndodh shpesh që rezultati të mos pranohet lehtësisht dhe zgjidhja më e lehtë në këto raste, përkundrejt fyerjes së krenarisë individuale, gjendet në faktorë të jashtëm. Kam gjykimin tim mbi procesin dhe mbi rezultatin. Ka qenë proces real garimi, me bazë teknike e logjistike joperfekte, por të kënaqshme, për aq sa memoria dokumentare e partisë lejonte. Pati garues që pasi përllogaritën paraprakisht forcat, zgjodhën me vullnet të lirë të merrnin pjesë në të. Rezultoi një korpus zgjedhor i përgjegjshëm për delikatesën e procesit e që gjykoi kthjellët jo vetëm mbi garën, por edhe për klimën gjatë dhe postzgjedhore. U aplikuan rregulla minimale, por të ndershme gare. U zhvillua nën përkujdesjen e nevojshme dhe të domosdoshme të një arbitri, i cili nuk kishte askurrfarë interesi për të influencuar garën, madje që bëri sforcimet e duhura për të mos lejuar që faktorë të jashtëm ta infektonin atë. Vërej se pati një koherencë lineare midis mjeteve apo instrumenteve që përdori secili kandidat në fushatë, frymës dhe cilësisë së fushatës së secilit dhe rezultatit që pasoi”- thotë ai në një intervistë për Panorama. Ai shprehet se “rezultati u perceptua gjatë gjithë procesit, se ishte në koherencë edhe me skalionimin e opinioneve mbi secilin kandidat, vlerësime këto të krijuara që në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. Në ato zgjedhje PD mori rreth 80% të mbështetjes popullore që kishte më parë. Çuditërisht edhe rezultati brenda partisë u nda në raportin 80%-20%. Bjerrja e mbështetjes së PD-së në rezultatin e 23 qershorit u reflektua besnikërisht edhe në gjykimin për kryetarin e partisë”, tha më tej, Alibeaj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›