Fitorja e PS, me damkën e turpit të Lezhës
Rama u demaskua në Lezhë me Dushkun e 2001, në tentativën e tij për të vjedhur mandatin e shumicës së cilësuar, duke marrë kështu damkën e turpit të votave të vjedhura. Njeriu që buçiste lart e poshtë Shqipërisë me sloganet “Dua të shoh votën time” apo “Hap Kutitë” u pa të shfaqej kundër transparencës së votës, me një Kolegj Zgjedhor që kapitulloi para presionit histerik të Ramës. Kjo mungesë transparence dhe ligjshmërie në vendimet e Kolegjit Zgjedhor paralajmëron se Rama, me mantelin e kryeministrit, përbën një rrezik për demokracinë dhe shtetin ligjor
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve “vulosi” dje rezultatin përfundimtar të prodhuar nga vota e 23 qershorit, duke certifikuar kështu edhe fituesit e kësaj gare që është koalicioni i majtë, Aleanca për Shqipërinë Europiane e kryesuar nga Partia Socialiste. Një vendim formal që më shumë se konfirmon rikthimin e PS në pushtet pas 8 vitesh, duhet të shërbejë si moment reflektimi për bëmat që shoqëruan 23 qershorin. Kjo e parë në disa syresh. Së pari, që nga mashtrimet e Edi Ramës në fushatën elektorale, që krijuan në mënyrë të verbër idenë e “rilindasit”, por që u shembën si kështjella prej rëre vetëm pak ditë pas zgjedhjeve. Së dyti, dhuna dhe presionet e ushtruara gjatë ditës së votimit dhe më pas në vendnumërime, janë dëshmi e cenimit të standardit të zgjedhjeve. Këtu mafia dhe krimi triumfoi mbi të drejtën kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve, për të zgjedhur lirisht. Së treti, ishte planifikuar që e gjithë loja të zhvillohej në Kolegjin Zgjedhor (ku në fakt ia doli sipas pritshmërive, sepse ankimimet e PD rrëzoheshin njëra pas tjetrës dhe ato të PS lartësoheshin për ‘vënie drejtësie’) dhe për arritjen e këtij qëllimi, PS krijoi precedentin e tërheqjes së 3 anëtarëve nga KQZ. Nxituan dhe nuk u shqetësuan që për herë të parë në histori një proces zgjedhor parlamentar, do të zhvillohej nga një organ qendror administrativ i cunguar. Gjithsesi, kjo nuk e zbehu dhe as nuk e vuri në pikëpyetje për asnjë moment punën dhe vendimmarrjen e KQZ-së, e cila respektoi në tërësi Kodin Zgjedhor dhe iu përmbajt të gjitha dispozitave kushtetuese. PS s’i ndali sulmet dhe presionit ndaj asaj që e quante edhe “gjysmë-KQZ” sepse hallin e kishte diku tjetër. Ishte pikërisht kjo gjysmë-KQZ që zbuloi manipulimin e frikshëm të votave në qarkun e Lezhës, duke vënë kështu në pikëpyetje të madhe zgjedhjet e 23 qershorit me konfirmimin e deformimit të votave në kurriz të Partisë Demokratike edhe në qarkun e Shkodrës. 1200 votat e mohuara për PD-në në Lezhë, të cilat ishin shpërndarë sipas interesit matematikor të Partisë Socialiste, janë një dëshmi kokëfortë se krimi i organizuar dhe paratë e drogës kontrolluan procesin zgjedhor jo në një, as dy, por në disa zona zgjedhore të vendit. Pas masakrës elektorale të Lezhës, erdhi radha e Shkodrës me 450 votat e saj të marra nga PD dhe të shpërndarë sipas të njëjtit interesi, mbushjen e thesit të PS. Këto ishin vetëm maja e ajsbergut të manipulimit të frikshëm nën kërcënimin e terrorit dhe parave të krimit. PS përsëriti dushkun e 2001-shit, duke siguruar mandate nën diktatin e manipulimit dhe shtrembërimit të votës së qytetarëve. Lezha dhe Shkodra i faturojnë PS-së diktatin e turpit të 23 qershorit, njollën e zezë të manipulimit që njerëzi përbëjnë cenimin e standardit të zgjedhjeve. Zotimi dhe angazhimi i Partisë Demokratike për të çuar deri në fund hetimin ndaj “modelit të dushkut të 2001-shit”, është sa legjitim aq edhe brenda rregullave të demokracisë. Provat janë para syve. Atë që duhet të bëjnë organet e hetimit, është transparenca dhe të rikthejnë besimin e qytetarëve. Kjo nuk bëhet duke mbuluar sytë përpara deformimit të frikshëm të vullnetit të votuesve dhe rritjes së presionit ndaj Kolegjit Zgjedhor që në fund të fundit u vu në shërbim të PS. Pasi kjo, jo vetëm dëmton demokracinë, por njëherazi cenon edhe stabilitetin e vendit, duke i dhënë dorë të lirë pushtetit të dalë nga krimi.