E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë lajthitje dhe një superlajthitje të akademikut, Alfred Uçi

07-08-2013 / Nga Mexhit Rençi

Në një gazetë të përditshme, akademiku Alfred Uçi, me entuziazëm dhe eufori, promovon “fitoren” e 23 qershorit të socialistëve duke e konsideruar me vlera të mëdha historike, shumë dimensionale që i kujton momentet historike kyçe të kombit shqiptar: “Unë - shprehet akademiku - dua të theksoj rëndësinë historike të rezultatit të zgjedhjeve të fundit”. Fjala “historike” me rëndësi kapitale dhe universale, me ndërgjegje apo pa ndërgjegje zhvleftësohet në semantikën e mirëfilltë, nga përpëlitjet për të bërë paralelizma me gjashtë momente “nyje” të mëdha në historinë e kombit tonë, -  me “fitoren” e koalicionit Rama-Meta në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 (!!!!!!).
Akademiku nga të menduarit komunistçe, ndoshta dhe nga pleqëria, nuk arrin të shohë, të kuptojë dhe analizojë mashtrimin e njerëzve nga kryesocialisti se do të bëjë ndryshime epokale që të hamë me lugë floriri siç kishte thënë Babai shpirtëror Qoftëlargu në fillim të tiranisë së tij. Kjo miopi vjen edhe nga mos divorci me të shkuarën e tij si profesor dhe akademik tërësisht i politizuar, që as sot nuk ka mundur të çlirohet prej mendësive enveriste.
Ja, pesë lajthitjet dhe një supërlajthitje të akademik Uçit:    
LAJTHITJA E PARË: ” Rezultati i zgjedhjeve të fundit  më kujton ardhjen e Skëndërbeut në Krujë, ku u foli dhe u tha shqiptarëve: “Lirinë nuk ua solla unë, po e gjeta në zemrat, shpirtin tuaj liridashës, atdhetar”. Semantika e kësaj thënie është lapidare për popullin tonë pesëqind vjet nën robërinë turke që lirinë e kishte në gjak. Po, sot në demokraci, me gjithë kusuret e politikës së paçliruar nga mendësitë enveriste, populli ynë gëzon liri të plotë në të gjitha kuptimet, madje me tepricë, madje shpesh politika dhe njerëzit abuzojnë me lirinë. Për çfarë lirie flet akademiku?! Të aludosh se Edi Rama është një Skënderbe dhe votuesit e mashtruar e të blerë, si liridashës e atdhetarë, kjo është sa absurde aq dhe tallëse për konceptin liri, ideal, atdhetar
LAJTHITJA E DYTË: Rëndësia historike e koalicioni Rama-Mata, (me partitë enveriste komuniste, parti të punës, social demokrate, të demokracisë sociale e tjera e tjera që nuk fituan asnjë mandat dhe akoma kërkojnë të vendosin statujën e tiranit në sheshin Skandërbeg) dreqi e di ku qëndron rëndësia e këtij koalicioni. Ndërsa autori thotë:“Më kujton Lidhjen e Prizrenit”. Ku Lidhja e Prizrenit, ku koalicioni Meta-Rama. Urtaku do të shikonte lart në qiellin e pafund dhe do të thërriste: “O Perëndi, ku je? Pse s’gjuan me rrufe?”  Jo vetëm mbi një akademik, por mbi shumicën e akademikëve që akoma nuk janë çliruan nga mendësitë enveriste..
 LAJTHITJA E TRETË: Koncepti “rilindje” e Edi Ramës puçet me lajthitjet e akademikut, të cilit i kujton Rilindjen Kombëtare. Vini re: paralelizmin Rilindje Kombëtare me rilindjen ramiste, (e përbërë nga enveristë të sklerozuar, mëkatarë funksionarë të regjimit të Diktatorit të Madh, bij dhe bija bllokmenësh të shkolluar në perëndim, ideali i të cilëve është të bëhen ministra e deputetë (paçka se shumica pa përvojë politike dhe administrative madje edhe njëzetvjeçarë); idealizmi praktiçist i të cilëve është të pasurohen me çdo mjet.
LAJTHITJA E KATËRT: Rëndësia historike e 23 qershorit thotë: “më kujton ditën e shenjtë të shpalljes së pavarësisë Kombëtare, ku plekseshin mbeturinat e feudalizmit anadollak me elemente e kapitalizmi që u mbyll kjo periudhë  nga pushtimi fashist”. Vini re: 23 qershori si dita e shenjtë e shpalljes se Pavarësisë Kombëtare”. Më dhimbset akademiku!  Çdo koment do të ishte i tepërt.
LAJTHITJA E PESTË: Dita e 23 qershorit shkruan akademiku: ”Më kujton edhe Lëvizjen Nacional Çlirimtare, e cila u mbyll ne ditën e çlirimit 29 nëntor 1944”. Asnjë lidhje logjike, nuk ka dita e 29 nëntorit 1944 me ditën e 23 qershorit 2013, ku konkurruan partitë politike në dy koalicione dhe fitoi koalicioni i majtë. As fashistë as nazistë nuk kemi. As pushtim nga të huajt, as pushtim nga diktatura e proletariatit. Kemi elemente të autoritarizmit nga liderët e majtë dhe të djathtë, po Uçi siç duket i sheh forcat e djathta siç shihte Komandanti forcat nacionaliste gjatë LANÇ. Kushdo që nuk e konsideron lajthitje këtë është vetë i lajthitur.
Dhe së fundi SUPËRLAJTHITJA, E GJASHTA: “Rëndësia historike e zgjedhjeve të 23 qershorit, artikulon akademiku, ”më kujton Vitit 1991”. Një paralelizëm tjetër absurd, i fitores së të djathtëve më 1991 pas përmbysjes së diktaturës më të egër komunisto-enveriste, - me fitoren e të majtëve më 23 qershor! Urtaku do të thoshte: ”Akademik, nuk je në metro”. Ky është gjykim i mjeruar i  të politizuarit, nostalgjikut të së së shkuarës së zezë, ku alibiuohej e mistifikohej realiteti dhe shtrembërohej e vërteta. Me ato syze shihet edhe realiteti i sotëm, pikërisht se nuk është arritur katarsisi dhe divorci edhe pas dy dekadash. Megjithatë këtë hapje të akademikut, e shoh si vlerë e sinqeritetit . Mjaft më me rrotullime 360 gradë herë këndej e herë andej . Më në fund u rikthye në identitet. Është vetvetja. Më mirë kështu se me njëqind fytyra si shumë politikanë dhe analistë të sotëm që kanë pushtuar ekranet televizive. Dhe na japin leksione për moralin... me delirin e madhështisë së marrëzisë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›