E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitorja jonë

Gjykata e Botës, më 22 korrik, tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar. Ky vendim iu dha fund përpjekjeve të Serbisë për kontestimin ligjor të pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, Kosova nuk arriti të përfitonte shumë nga kjo ngjarje Nga Valmir Klaiqi më 02 janar 2011 në ora 12:22

Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur ligjin ndërkombëtar.
Kështu u shpreh Hisashi Owada, Kryetar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 22 korrik, duke i dhënë fund përpjekjeve të Serbisë për kontestimin ligjor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kjo deklaratë ishte gati e barabartë me atë të Kryeministrit Hashim Thaçi në Parlament më 17 shkurt 2008, kur shqiptoi frazën magjike “Ne përfaqësuesit e popullit të Kosovës, të zgjedhur në mënyrë demokratike, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”.

Mrekullia vetë.
Atë ditë në Prishtinë ishte festuar në rrugë, në institucione, çdokund, derisa komunikatat që vinin nga kancelaritë e fuqishme të planetit tregonin se beteja e fituar në GJND kishte një rëndësi të jashtëzakonshme për Kosovën.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton kishte thënë se vendimi i GJND’së ishte i drejtë. Ajo ftoi të gjitha shtetet që të lëvizin përtej çështjes së statusit të Kosovës dhe të angazhohen konstruktivisht në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Vendimin e Gjykatës së Botës e mirëpriti edhe Shefja e Diplomacisë europiane, Catherine Ashton. Ndërkaq, Sekretari i Jashtëm Britanik, William Hague tha se me përfundimin e procesit ligjor në Hagë, përfundoi edhe debati për statusin e Kosovës.

Ky vendim mendohej se do të inkurajonte një bllok të madh vendesh që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Madje, Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni kishte thënë se dhjetëra shtete do ta njohin Kosovën brenda një periudhe të shkurtër.

Por, kjo rezultoi e pasaktë.

Kosova nuk arriti ta kapitalizonte këtë vendim për shkak të krizës politike që përfshiu vendin me prishjen e koalicionit qeverisës mes PDK’së dhe LDK’së dhe obstruksioneve të Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë, kjo nuk e prish festën. GJND’ja ishte fitore e madhe.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›