Superpolicët

Për Policinë e Kosovës, në pikë të verës mund të ketë stuhi, e në mes të dhjetorit edhe lulishte. Ka pak mundësi, që përveç filmave të Hollywoodit, dikush të ketë parë helikopterët Apachi, që janë krenaria e ushtrisë amerikane. Por kjo ka pak rëndësi. Për aksionet e veta të arrestimeve të personave të dyshuar, Policia e Kosovës, e përdor edhe këtë emër. Madje aksioneve nuk u ka shpëtuar as emri i kafesë së parapëlqyer për kosovarët- Makiato.
Emërtimet e aksioneve policore me emra të koduar janë praktikë e zakonshme.
Ato i vendosen një çështje në mënyrë që hetuesit të komunikojnë ndërmjet vete, por të tjerët të mos kuptojnë se për çfarë rasti bëhet fjalë.
Por shpesh, emrat e koduar që ata përdorin, janë shumë të çuditshëm.
“Sharra”, “Akrepi”, “Vesa”, “Automekaniku”, “Pastrimi”, “Marashi”, “Pishinat”, “Fontana” apo “Targat”, janë vetëm disa prej tyre, të përdorur gjatë këtij viti nga policia.
Brahim Sadriu, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, tregon se planet kodohen nga shefi i hetimeve. “Këto hyjnë në kategorinë e planeve teknike, të cilat realizohen shpejt”, thotë Sadriu për Express. Emërtimi i operacioneve policore, sipas Sadriut, bëhet me qëllim të lehtësimit të komunikimit ndërmjet hetuesve, kurse kodet vendosen jo pa logjikë.
“Kemi pasur rastin e aksionit ‘Ofiqari’ ku personi i arrestuar ka falsifikuar dokumente të Serbisë dhe vendi ku e ka bërë këtë i ka ngjasuar një ofiqarie”, thotë zëdhënësi Sadriu.
Në fakt, pavarësisht emrave që u janë vënë këtyre çështjeve, rezultatet nuk kanë munguar. Edhe pse në shumë raste, për shkak të sistemit jo të mirë të drejtësisë, të arrestuarit nuk kanë përfunduar atje për ku janë prangosur, së paku policia e ka bërë punën e vet.
Të dhënat zyrtare tregojnë se Policia e Kosovës, për vitin që shkoi, ka qenë goxha efikase. Puna e tyre ka qenë për t’u lavdëruar dhe nis prej rreth 600 gjobave që mesatarisht u shqiptojnë vozitësve të automjeteve brenda ditës, e deri te arrestimet për dyshimet që kanë të bëjnë me përfshirje në aktivitete terroriste.
Përfitimet që nxjerrin nga gjobat, nuk janë shumë të vogla. Nëse llogaritet që dënimi më i ulët është 25 euro për mosvendosje të rripit të sigurisë, atëherë arka e forcave të rendit peshon goxha mirë. Por edhe ata i kanë shpenzimet e veta, madje shumë. Në këto shpenzime duhet përfshirë edhe sherret që ata bëjnë. Brenda tetë muajve të vitit 2010, vetë policët kanë shkaktuar rreth 300 aksidente të ndryshme, herë të lehta, por shpesh edhe të rënda. Arsyetimi i tyre për këto raste, së paku zyrtarisht, është se ato shkaktohen kryesisht kur ata janë duke ndjekur të dyshuarit, por edhe duke përcjellë me eskortat e tyre personalitete të ndryshme.
Pavarësisht të gjithave, policia lavdërohet me punën e vet. Kur krahasohen të dhënat statistikore për vitin 2010, me ato të vitit paraprak, atëherë ata edhe mund të kenë të drejtë.
Kështu, vetëm në vitin 2010 (nga shtylla e hetimit) janë ndërmarrë 300 operacione policore, të cilat sipas policisë, krahasuar me vitin 2009, janë 29 më shumë.
Kjo ka bërë që 680 persona të arrestohen për vepra të ndryshme penale, që do të thotë se janë 100 për qind më shumë sesa në vitin 2009, kur janë arrestuar 308 persona për vepra të ndryshme penale.
As për konfiskimin e substancave narkotike, policia duket të mos ketë mbetur prapa.
Edhe pse drejtorët i janë ndërruar disa herë dhe ata që i vodhën drogën dhe paratë brenda objektit të vet, ende nuk janë gjetur, të dhënat tregojnë se për vitin 2010, kanë konfiskuar rreth 364 kg substanca narkotike (heroinë, marihuanë, kokainë), derisa në vitin 2009, vitin e kishin përmbyllur me vetëm 82 kg.
Por sa i përket shkatërrimit të fijeve të kanabisit, këtë vit nuk kanë qenë shumë të suksesshëm, krahasuar me vitin 2009. Vitin 2010, policia e mbylli me shkatërrimin e 9 mijë e 724 fije kanabis, ndërkohë që në vitin 2009, kishte shkatërruar 33 mijë e 497 fije të tilla. Prapa, policia nuk ka mbetur as në luftën e saj kundër trafikut me qenie njerëzore. Gjatë vitit 2010 janë mbyllur 88 lokale që dyshohej se brenda tyre ushtrohej zanati më i vjetër në botë, ose 18 më shumë sesa në vitin 2009, duke bërë që të asistohen 30 viktima. Kosova është shndërruar në vendin nga i cili drejtohet gishti sa herë që përmendet fjala korrupsion. Të dhënat zyrtare të policisë shpjegojnë se nga 704 raste të hetuara, 171 persona janë arrestuar, 530 raste janë dërguar në prokurori, 257 raste janë dërguar ne prokurori me raport të veçantë, dhe ndaj 909 të dyshuarve janë ngritur kallëzime penale. Këto shifra janë shumë herë më të larta sesa ato të vitit 2009, ku janë regjistruar vetëm 90 raste të hetuara, 103 të arrestuar, 325 raste të dërguar në prokurori, 161 raste të dërguara në prokurori me raport të veçantë dhe ku ndaj 564 të dyshuarve ishte ngritur kallëzim penal.
Lulishtja
Në operacionin “Lulishtja”, janë arrestuar tre persona si të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore dhe identifikohet një viktimë e trafikimit. Operacioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, përkatësisht në komunën e Drenasit.
Makiato
Operacioni policor i quajtur "Makiato", i zhvilluar në rajonin e Prishtinës, ka arritur të arrestojë një grup kriminal që dyshohej se merreshin me aktivitete kriminale të trafikimit me qenie njerëzore. Gjatë zhvillimit të këtij operacioni janë arrestuar katër persona për dyshim të kryerjes së veprës penale të trafikimit me qenie njerëzore si dhe është identifikuar një viktimë kosovare ndërkohë që nga hetuesit policor është identifikuar edhe një viktimë po ashtu kosovare.
Stuhia
Policia e Kosovës, në Rajonin e Ferizajt, drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotik ka zhvilluar një operacion të suksesshëm policore të koduar me emrin “Stuhia”. Gjatë këtij operacioni hetimor është arritur të arrestohen tre persona, ndërkohë që janë konfiskuar 2.5 kg substancë narkotike, e cila dyshohet të jetë heroinë.
Sharra
Në një operacion të koduar “Sharra”, policia në rajonin e Prishtinës arrestoi katër persona të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore. Për këta të katër, Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditëve për të arrestuarit. Gjatë aksionit, përveç arrestimeve, është identifikuar edhe një viktimë.
Akrepi
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, pas një hetimi relativisht të gjatë ka ndërmarrë operacionin e koduar me emrin “Akrepi”, me qëllim të kapjes në flagrancë të të dyshuarve të cilët merreshin me veprimtari kundërligjore duke kryer veprat penale të kontrabandimit me emigrantë dhe krimit të organizuar. Operacioni policor është zhvilluar ne rajonin e Gjilanit.
Apachi
Aksioni policor i koduar “Apaçi”, Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar e PK-së, me ndihmën e njësiteve të tjera të specializuara ka arrestuar në Ferizaj dhe në Prishtinë edhe tre persona të dyshuar për krim të organizuar, shantazh dhe detyrim.
Pranvera
Departamenti Kundër Krimit të Organizuar, në vazhdën e zbatimit të strategjisë nacionale kundër krimit të organizuar dhe strategjisë nacionale kundër drogave si dhe planit vjetor për veprim, pas një hetimi disamujor, në muajin mars kishte realizuar një operacion të koduar me emrin “Pranvera”. Ky operacion është realizuar në Rajonin e Gjilanit, me qëllim të kapjes në flagrancë të të dyshuarve të cilët dyshohej se merreshin me veprimtari kundërligjore duke kryer vepra penale të kontrabandimit të narkotikeve dhe krimit të organizuar dhe ishin arrestuar dy persona.
Acari 2010
Në aksionin e quajtur “Acari 2010”, në muajin shkurt kishte filluar zbatimi i planit policor të përgatitur nga Departamenti Kundër Krimit të Organizuar respektivisht Sektori për hetimin e trafikimit të qenieve njerëzore (SHTQNJ). Plani policor është zbatuar njëkohësisht në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Qëllimi i operacionit ka qenë kontrollimi i lokaleve/bareve në të cilat punojnë femra që dyshohet të jenë viktima të trafikimit me njerëz si dhe forma tjera të trafikimit e sidomos forma e shfrytëzimit për qëllim të prostitucionit.
Fontana 2010
Policia e Kosovës në kuadër të luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, konkretisht Sektori Kundër Trafikimit-Prishtinë, e mbështetur nga hetuesit policor të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore kanë realizuar operacionin policor të koduar me emrin “ FONTANA 2010”. Gjatë këtij operacioni në Rajonin e Prishtinës, policia kishte arritur të arrestojë një grup kriminal që dyshohej se merreshin me aktivitet kriminale te trafikimit me qenie njerëzore dhe me prostitucion. Me këtë rast, ishin arrestuar gjashtë (6) persona, ( tre (3) prej tyre për dyshim të kryerjes se veprës penale të trafikimit me qenie njerëzore dhe tre (3) të tjerë për marrje me prostitucion) si dhe janë identifikuar dy (2) viktima sh/kosovare të trafikuara.
Deçani
Në kudër të një operacioni policor të koduar me emrin “Deçani”, që i ka paraprirë procedura hetimore disamujore, janë arrestuar dy të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore. Njësia Kundër Trafikimit- Pejë, pjesë e Drejtorisë së Hetimeve të Trafikimit me Qenie Njerëzore, gjatë kontrollit të një lokali në qytetin e Deçanit kishte identifikuar dy viktima të trafikimit (Sh/Kosovare, njëra 18 e tjetra 14 vjeçare) dhe kishte arrestuar një person të dyshuar (Sh/Kosovar).
Marashi
Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Qenie Njerëzore në kuadër të zbatimit të Strategjisë Nacionale për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore, pas hetimeve intensive disa mujore kishte realizuar operacionin policor të koduar me emrin “Marashi”. Policia ka arrestuar me këtë rast në rajonin e Prizrenit, një grup kriminal me dyshimin e bazuar se të njëjtit merreshin me aktivitet kriminal të trafikimit me qenie njerëzore. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar tetë persona për dyshim të kryerjes së veprës penale të trafikimit me qenie njerëzore si dhe janë identifikuar viktima kosovare (tri kosovare shqiptare: dy të moshës 15-vjeçare e një 16-vjeçare si dhe një 20-vjeçare boshnjake kosovare).
Pishina
Drejtoria për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore pas një hetimi disa javor ka realizuar operacionin policor të koduar me emrin “Pishina” ku janë arrestuar tre të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore. Në këtë aksion policia ka arrestuar dy persona.
Vesa
Në një rast të hetimeve të përbashkëta me autoritetet policore të Shqipërisë, Policia e Kosovës, saktësisht Departamenti Kundër Krimit të Organizuar, pas një hetimi disa mujor, në orët e mbrëmjes, ka ndërmarrë operacionin e koduar me emrin “Vesa”, me qellim të kapjes në flagrancë të të dyshuarve të cilët merreshin me veprimtari kundërligjore duke kryer veprat penale të kontrabandimit të narkotikëve dhe krimit të organizuar. Në këtë aksion janë arrestuar katër të dyshuar.
Automekaniku dhe Pastrimi
Operacionet “Automekaniku” dhe “Pastrimi” kanë vënë në pranga 5 të dyshuar për posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike. Në dy lokacione të ndara, një në Fushë Kosovë e tjetri në Mitrovicë, janë realizuar dy operacione policore të përcjella edhe me kontroll në banesa, shtëpi banimi dhe objekte përcjellëse. Pas përfundimit të kontrollit në operacionin “Automekaniku”, policia ka arrestuar katër të dyshuar, kurse në tjetrin “Pastrimi”, ishte arrestuar një person.
Targa
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën zvicerane realizoi planin e koduar “Targa”. Policia konfiskoi tri automjete me targa të Zvicrës për shkak të dokumentacionit jo të rregullt. Në total prej mbi 120 veturave që janë verifikuar në tri baza të të dhënave (të zonës së Shengenit, Interpolit dhe bazës së të dhënave të Zvicrës) janë identifikuar dhe konfiskuar nga policia tri vetura që kishin dokumentacion jo të rregullt dhe atë 2 në Klinë dhe 1 në Gjakovë.
Arrestime të rëndësishme
-Në fshatin Turjakë të Pejës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda të mbështetur edhe nga njësitet e specializuara të PK-së kanë arrestuar tre të dyshuar për rrëmbim. Të arrestuarit ishin Bedri Krasniqi, Dervish Idrizaj dhe Hamdi Krasniqi. I arrestuari Bedri Krasniqi ishte i kërkuar me urdhër-arrest të lëshuar nga Drejtoria e Burgut të Dubravës, ku i njëjti ishte në vuajtje të dënimit për 27 vjet për vrasjen e dy zyrtarëve të PK-së në rajonin e Pejës. Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe armë të ndryshme.
-Në një operacion të zhvilluar në tetor në Prishtinë nga Departamenti Kundër Krimit të Organizuar është lokalizuar dhe arrestuar i dyshuari Lirim Jakupi (1979). Ai ka qenë i kërkuar me urdhër arresti të lëshuar nga Drejtoria e Burgut të Dubravës, për veprën penale arratisje nga burgu (i Dubravës), të datës 18.08.2007. Gjatë kontrollit të realizuar policia ka gjetur dhe konfiskuar edhe armë të ndryshme.
-Në muajin mars, Sektori për Hetimin e Krimeve Financiare dhe njësitë e tjera mbështeste, kanë zbatuar urdhëresën Gjykatës se Qarkut në Gjilan me nr. GPP90/09, ku kanë realizuar kontrollin e shtëpive dhe kompanive të të dyshuarve me qëllim të sigurimit të provave materiale me këtë rast janë konfiskuar librat e kontabilitetit, fatura, një kompjuter dhe dokumentacion lidhur me rastin. Me këtë rast ishin arrestuar tre persona, nga rajoni i Gjilanit.
-Në muajin gusht, Departamenti Special Antikorrupcionit së bashku me Departamentin Kundër Krimit të Organizuar ka kryer një operacion policor me qëllim të luftimit të krimit të organizuar, operacion ky i cili kishte filluar të hetohet së paku një vit e gjysmë më parë. Operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e shtatë (7) personave të dyshuar. Keqpërdorimet bankare nga personat e dyshuar fillimisht dyshohet të arrijnë vlerën në mbi 150.000 mijë euro (njëqind e pesëdhjetë mijë euro), ku personat e dëmtuar janë kryesisht shtetas të huaj.