E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitou: 'Inshalla' Kosova këtë vit e merr udhërrëfyesin për vizat

Pas reagimeve të Vetëvendosjes, si duket ambasadori francez Jean François Fitou ka ndërruar qëndrimin e tij, duke thënë se nuk ka dashur ta quajë këtë Lëvizje dhe aktivistët e saj fashist, por vetëm personin, siç ka thënë ai, që ka fyer ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ai është lutur me fjalën “inshalla” që Kosova këtë vit të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Ai këto komente i bëri të enjten në forumin e radhës në Universitetin Amerikan në Kosovë, me temën "Perspektiva e Kosovës drejt integrimit në BE".

Në një ligjëratë të mbajtur disa ditë më parë në një institut në Kosovë, disa aktivistë të Vetëvendosjes kishin bërë disa pyetje provokative për ministrin Rexhepi, si dhe duke shkruar një pankartë “Fiu-fiu ministër po të fryn veriu”.

Kjo ka ngjallur reagim te ministri Rexhepi, por edhe ambasadori Fitou, i cili këto veprime i kishte quajtur fashiste dhe të kohës së Evropës së viteve 40-ta.

Por pas reagimeve të Vetëvendosje, ambasadori Fitou ka ndërruar qëndrimin, duke thënë se fashist nuk e ka quajtur Lëvizjen Vetëvendosje, por vetëm personin që ka fyer ministrin Rexhepi.

“Roli i ambasadorit është për t’u përgjigjur në pyetje kur janë në debat publik. E përsëris që unë e këshillova një djalë të ri që ofendoi ministrin Rexhepi, i cili ishte ulur pranë meje, le të themi që dikush këtu në mesin tuaj ju ofendon juve, nuk është politikë. Pra, nëse dëshiron të bënë atë çështje politike, ajo është punë e Vetëvendosjes, jo e imja. Unë nuk kam ndonjë polemikë me Vetëvendosjen, sepse unë i thashë një djali të ri se jeni duke ofenduar Rexhepin”, ka thënë Fitou.

Ndërkohë që Komisioni Evropian kohë më parë ka bërë të ditur se në dhjetor do të fillojë dialogu për liberalizimin e vizave, ambasadori Fitou ka shfaqur shpresën që Kosova këtë vit të marrë udhërrëfyesin për vizat.

“Ka vështirësi me pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, ka vështirësi me dialogun për viza, i cili “inshallah” do të fillojë këtë vit. Vështirësia më e madhe për të ardhmen tuaj në Evropë është vetë Evropa, jo mënyra se si Evropa e shikon Kosovën, jo që Kosova po garon me vendet fqinje për të qenë i pari për t’u bërë anëtar ose për t’u bërë anëtar pa u penguar nga fqinjët. Kërcënim i madh është BE-ja si tërësi”, ka deklaruar ambasadori francez.

Kosova është vendi i fundit në rajon, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›