Fitou: Institucionet të kryejnë detyrat e shtëpisë

Ambasadori i Francës në Prishtinë, Jean François Fitou, u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës që të punojnë së bashku për një strategji, të paktën njëvjeçare.
Në një bisedë me BBC-në ai tha se kjo marrëveshje politike, që do të nënkuptonte edhe krijimin e pozitës dhe opozitës, do të duhej të hapte rrugën për zhvillimin ekonomik të vendit, perspektivën evropiane të Kosovës dhe do të përfshinte edhe dialogun me Serbinë.
"Nuk më takon mua që të vendos, por sigurisht që mund t’ju jap një këshillë miqësore “lojtarëve” politikë në Kosovë, të ketë ose të mos ketë zgjedhje, por për diçka që u mundëson institucioneve të Kosovës që të ecin përpara. Ndoshta zgjedhje, nëse vendosin ata vetë ose të mos ketë nëse marrin një vendim të tillë, por ata duhet të flasin me njëri-tjetrin se cili do të jetë koalicioni që do të vijë në pushtet në javët e ardhshme dhe cila do të jetë opozita. Ata duhet të flasin dhe të arrijnë një marrëveshje që do të jetë e gjerë që del nga rezultati i zgjedhjeve dhe që të ecin përpara në rrugën e zhvillimit ekonomik, në aspektin financiar, në rrugën evropiane, dialogun me Serbinë dhe në të gjitha çështjet me të cilat vendi po përballet tani", tha Fitou.
Sipas tij, veriu i Kosovës mund të jetë çështja e fundit që do të diskutohet nga Prishtina e Beogradi, pasi të jetë vendosur axhenda e përbashkët e tyre.
Ambasasori Fitou tha se procesi zgjedhor në Kosovë e ka dëmtuar rëndë imazhin e vendit edhe në skenën ndërkombëtare dhe ka krijuar një mosbesim të qytetarëve të Kosovës për institucionet e vendit.
Ambasadori francez tha se raporti i senatorit Dick Marty gjithashtu ka ndikuar në imazhin e Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe sipas tij Kosova deri në verën e këtij viti duhet të merret me lëvizjen nga procesi zgjedhor drejt zgjidhjeve praktike politike dhe të lejojë njëkohësisht një hetim që do të udhëhiqet nga EULEX-i.