Gashi për bashkimin e ‘bllokut rugovist’

Anëtari i Kryesisë së LDD-së, Shefki Gashi po përpiqet që brenda një periudhe sa më të shkurtër kohore t’i ulë rreth një tavoline krerët e tri subjekteve që mbështeten në trashëgiminë rugoviane: Isa Mustafën e LDK-së, Nexhat Dacin e LDD-së dhe të birin e Ibrahim Rugovës - Ukën.
Ai dëshiron që ata të gjykojnë me urti e mençuri për perspektivën e përbashkët politike të “bllokut rugovist”. Është i bindur se me bashkimin e forcave, si në kohën e Rugovës, nuk do të kishte parti politike në Kosovë që do t’u dilte para.
"Tash për tash iniciativa ime është në fazën fillestare. Megjithatë, unë i kam propozuar Isës që bisedimet të intensifikohen ditëve në vijim. Ndërsa ai më ka thënë se është mirë që të pritet rezultati i zgjedhjeve të 9 janarit. Vullneti i shumicës dërrmuese të simpatizantëve të LDD-së është për t’u bashkuar me LDK-në”, ka thënë Gashi në një intervistë për Kohën Ditore.
Ai nuk parapëlqen që të ofrojë kurrfarë platforme, se si dhe mbi ç’bazë do të bëhej bashkimi LDK-LDD-Lista ‘Ibrahim Rugova’, pasi më të arsyeshme e sheh që me këtë çështje të merret një grup i veçantë ndërpartiak.
“Një grup i tillë ka gjasa që të krijohet pasi të kryhen konsultat e para me drejtuesit e tri subjekteve politike”, beson ai.
Gashi pohon të jetë takuar edhe me Ukë Rugovën, tek i cili ka parë optimizëm për bashkim forcash.
“Me Ukën e kam më të lehtë që të merrem vesh për shkak të afërsisë së vjetër familjare. Por as me Astrit Haraçinë s’e kam problem”, thekson ai.
Mirëpo, Gashi e pranon se ende nuk ka biseduar me kryetarin e partisë së vet, Nexhat Daci, megjithëse nuk beson se do të ketë ndonjë telash as më të në këtë aspekt.
“Kryetari s’ka pse ta presë keq nismën time, sepse edhe ai e di se një gjë të tillë po e bëjë për të mirën e përbashkët, e jo për ndonjë përfitim personal”, theksoi ai.