Fituesi në karantinë

Kutitë e fletëvotimeve me kusht të "komunave problematike" vazhdojnë të mbesin në karantinë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ndërsa procesi i numërimit të votave të kësaj kategorie në komunat e tjera është zhbllokuar të premten pasdite.
Zyrtarë nga kjo qendër kanë konfirmuar se dje në orën 13 ka filluar numërimi i fletëvotimeve që kanë ardhur nga Mitrovica, Malisheva, Podujeva, Vushtrria dhe Kaçaniku.
Nuk është bërë ndonjë zhurmë rreth këtyre kutive nga shkaku se rezultatet e shpallura në këto komuna nuk mund të përmbysen nga këto fletëvotime, edhe nëse humbësi i merr 100 për qind të votave.
Por për katër komunat e tjera nuk janë bërë as lëvizje milimetrike gjatë të premtes.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka urdhëruar që kutitë me fletëvotimet me kusht nga Prizreni, Rahoveci, Lipjani dhe Gjilani të mos preken deri në një vendim tjetër.
Para se të urdhërojë hapjen e kutive, verifikimin e fletëvotimeve e më pas numërimin e tyre, KQZ’ja është duke pritur rezultatin e hetimeve që Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) është duke bërë ndaj ankesave të palëve në këto komuna.
“Për komunat Prizren, Rahovec, Lipjan dhe Gjilan duhet një vendim nga KQZ’ja që të fillojmë numërimin. Kur të vendosë KQZ’ja, atëherë do të bëhet verifikimi dhe numërimi i tyre”, ka thënë dje një zyrtar i KQZ’së.
Burime të afërta me rrjedhat nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve thonë se shumë fletëvotime me kusht nga Prizreni, disa qindra, janë të pavlefshme.
Sipas këtij burimi, persona edhe nga komuna të tjera kanë shkuar në Prizren, më 13 dhjetor, për të votuar në kategorinë ‘me kusht’, pasi paraprakisht kishin votuar si të rregullt në komunat përkatëse.
“Ka shumë vota të pavlefshme, por numri i saktë i tyre do të dihet atëherë kur ato të verifikohen nëpër pliko”, thotë një burim i gazetës.
Dallimi në vota ndërmjet kandidatit të PDK’së për Prizrenin, Ramadan Muja dhe rivalit të tij nga LDK’ja, Hanefi Muharremi është dyshifror, prandaj liderët politikë të Kosovës dhe diplomatë të huaj janë duke kërkuar nga KQZ’ja dhe numëruesit e fletëvotimeve, asgjë më shumë se saktësi gjatë kryerjes së punëve.
Përderisa të enjten, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Dell shoqëroi Presidentin Fatmir Sejdiu në qendrën e numërimit të votave, një ditë më vonë ai shkoi në të njëjtin vend me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Ndonëse vizitat në QNR u bënë në kapacitetet e tyre shtetërore, Thaçi e Sejdiu janë liderë të dy partive më të mëdha në Kosovë, PDK dhe LDK, të cilat në të njëjtën kohë janë në garë në të katër komunat ku ka konteste.
“Secili nga ne, edhe partitë politike, duhet të kenë besim të plotë te ky proces i vlerësuar lart edhe nga monitoruesit dhe vëzhguesit ndërkombëtarë. Edhe lëshimet e vogla teknike që mund të kenë ndodhur, janë tepër të vogla në raport me disa deklarata që mund të dalin nga selitë e partive politike që pretendojnë ndikimet e panevojshme politike”, është shprehur Kryeministri i Kosovës gjatë kësaj vizite.
Përderisa ka bërë thirrje për ‘depolitizim’ të procesit, Thaçi ka thënë se shumë vende mund t’ia kenë lakmi Kosovës për organizim të zgjedhjeve.
Sipas tij, nuk janë selitë e partive politike ato që ndikojnë në vendime, por është “profesionalizmi, transparenca dhe gjendja reale”, të cilat do të përcaktojnë fituesit nëpër komuna.
“KQZ’ja dhe KZAP’ja kanë bërë punë të mirë dhe do ta kenë mbështetjen e plotë në të gjitha angazhimet dhe vendimet e pavarura që i marrin. Edhe ndonjë lëshim i vogël që është evidentuar, nuk duhet të lejojmë që ta prishë hijeshinë e madhe të suksesit të madh të shtetit të Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Vetë Ambasadori Dell ka qenë vizitor i shpeshtë i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.
Atij nuk i kujtohet nëse dita e djeshme ka qenë hera e katërt, e pestë apo e gjashtë që gjendej aty që nga fillimi i numërimit të votave në raundin e parë të zgjedhjeve.
Por dje ai ka thënë diçka që mund t’i ketë bërë krenarë numëruesit e votave dhe menaxherët e qendrës.
Ai ka thënë se edhe Amerika mund të nxjerrë mësime nga mënyra se si punohet në këtë ambient.
“Secilën herë që vij këtu, mësoj diçka. E kuptoj procesin më mirë dhe e shoh më qartë se sa transparent është procesi dhe sa i mirë është i disenjuar për të ndaluar edhe diskrepancën më të vogël gjatë futjes së rezultateve të zgjedhjeve”, ka thënë Dell.