Konferenca në Kopenhagë i shmanget kolapsit

Konferenca e OKB-së për ndryshime klimatike i shpëtoi sot për pak kolapsit total, pasi që delegatët tejet të përçarë arritën pajtimin, pas negociatave që zgjatën tërë natën, për të pranuar kompromisin politik, të cilin presidenti amerikan, Barack Obama, e arriti me Kinën dhe me fuqitë tjera që po dalin në sipërfaqe.
Marrëveshja e Kopenhagës u bllokua për disa orë, si rezultat i protestës së delegatëve, të cilët kishin ndjenjën se ishin përjashtuar nga procesi apo të cilët ishin të mendimit se marrëveshja nuk ka shkuar aq sa duhet larg kur bëhet fjalë për reduktimin e emetimit të gazrave në atmosferë, i cili po shkakton ngrohjen globale.
Pas pauzës, presidenti i Konferencës mori vendimin që të “marrë parasysh” marrëveshjen”, në vend se ta miratojë formalisht atë. Ekspertët theksuan se kjo hap rrugën për hyrjen në fuqi të marrëveshjes, edhe përkundër faktit se ajo nuk është miratuar formalisht nga Konferenca.
“Kemi një marrëveshje në Kopenhagë. Është ky vetëm fillimi i procesit për hartimin e një procesi obligues për reduktimin e emetimit të gazrave”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.
Grindjet mes shteteve të pasura dhe të varfra dhe ato mes dy ndotësve kryesor të ambientit në botë, Kinës dhe SHBA-së, dominuan Konferencën dyjavore në Kopenhagë, takimi ky më i madh dhe më i rëndësishëm i OKB-së në luftën kundër ngrohjes globale.
Obama u takua dy herë me kryeministrin e Kinës, Wen Jiabao, njëherë personalisht dhe herën e dytë me udhëheqësit tjerë botëror, me shpresën se do të anashkalohet grindja, e cila kishte bllokuar përparimin.
Presidenti duket se shpëtoi negociatat të premten, pasi që e kumtoi arritjen e “depërtimit” me Kinën, Indinë, Brazilin dhe Afrikën e Jugut. Por dokument prej tri faqesh, për të cilin u arrit marrëveshja mes këtyre shteteve u përball me telashe në seancën plenare, pasi që dokumenti u dënua nga Bolivia, Kuba, Sudani dhe Venezuela.
Në negociatat për klimë të OKB-së vendimet merren me konsensus.
Diplomacia e Obamës prodhoi dokumentin, në të cilin është premtuar një ndihmë prej 30 miliardë dollarë për shtetet e varfra gjatë tri viteve të ardhshme, me synimin që kjo ndihmë deri në vitin 2020 të arrijë shifrën prej 100 miliardë dollarë në vit.
Në të përfshihen edhe metodat për verifikimin e masave të secilit shtet për reduktimin e emetimit të gazrave-një kërkesë kjo kryesore e Washingtonit, pasi që Kina ka rezistuar përpjekjet ndërkombëtare për të monitoruar aksionet e Pekinit.
Dokumenti precizon se reduktimi i emetimit të gazrave duhet të reduktohet deri në atë masë, sa për të mbajtur nën dy gradë ngritjen mesatare të temperaturës globale.
Pasi që udhëheqësit dështuan që të arrijnë pajtimin për një marrëveshje, me të cilën do të reduktohej emetimi i gazrave, delegatët gjithashtu hoqën dorë nga plani për të mbrojtur pyjet tropikale në botë, i cili ka paraparë që rreth 40 shteteve t’iu ofrohen ndihma për të mbrojtur pyjet e tyre.
Marrë në përgjithësi, epilogu ishte një dëshpërim i madh për të gjithë ata, të cilët kishin anticipuar se marrëveshja, e arritur me ndërmjetësimin e Obamës, do të shndërrohej në një traktat obligues. Në vend të kësaj, marrëveshja parasheh edhe një vit të negociatave dhe në të ende nuk është vendosur për detajet.
Delegati nga Sudani, Lumumba Di-Aping, theksoi se marrëveshja e gjykon Afrikën që të përballet me vdekjen e një numri të madh të njerëzve si pasojë e ngrohjes globale, duke shtuar se kjo do t’i ngjasojë “holokaustin të kryer nga nazistët kundër hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Sidoqoftë, Unioni i Afrikës mbështeti marrëveshjen dhe deklarata e Di Apingut u dënua nga delegacionet tjera.
Për të tejkaluar ngecjen, zyrtarët e OKB-së sot në mëngjes ndryshuan tekstin, i cili u paraqit në seancën plenare. Konferenca e pranoi marrëveshjen dhe ftoi të gjithë ata, që pajtohen me marrëveshjen, që ta nënshkruajnë atë.
“Nëse shtetet do të kishin pritur arritjen e një marrëveshje të plotë dhe obliguese, atëherë nuk do të kishim shënuar përparim”, deklaroi Obama.
Kryeministri i Japonisë, Yukio Hatoyama, e cilësoi marrëveshjen si një “hap i madh përpara”, ndërsa kancelaria e Gjermanisë, Angela Merkel, pranoi me ngurrim marrëveshjen e Kopenhagës, duke theksuar se ka ndjenja të përziera sa i përket epilogut të Konferencës.