‘Shqiptari’ pritet me qilim të kuq në Zvicër

Një uverturë vërtetë glamuroze, siç njofton albinfo.ch, i ka paraprirë shfaqjes së filmit, në foajenë e kinemasë “Cinewil” të qytetit Wil. Organizatorët, shtëpia e distribuimit të filmit artpixfilm, e udhëhequr nga Dardan Gashi dhe stafi i kinemasë Cinewil, nën udhëheqjen e zëvendësdrejtoreshës, shqiptares Lurde Dodes, kishin marrë seriozisht detyrën për të organizuar një mbrëmje parapremiere të nivelit zviceran.
Premiera për Zvicër, e filmit “Der Albaner” është shfaqur njëkohësisht në dy salla të kinemasë, në njërën prej tyre për gazetarët dhe për publikun me ftesa, dhe të dy sallat kanë qenë përplot.
I pranishëm ishte edhe regjisori nga Gjermania, Johanes Naber, i cili ishte në dispozicion për t`iu përgjigjur gazetarëve dhe kureshtarëve tjerë.
Nga Prishtina kishte ardhur aktori i njohur Luan Jaha, i cili luan njërin ndër rolet e rëndësishme në filmin e promovuar. Konsulli i Republikës së Shqipërisë, Kastriot Noli bashkë me konsullin e nderit po ashtu të Shqipërisë, Edwin Rüegg, pastaj kryetari i shoqatës “Zvicër –Shqipëri, Rolf Altherr, këshilltari i ministrit të diasporës, Ahmet Asani etj., ishin disa nga personalitetet që morën pjesë në parapremierë.