Turizmi në stanet e bjeshkëve të Gjallicës, banorët: Vizitorët duan ushqim e natyrë

Stanet e bjeshkëve të Gjallicës prej shumë vitesh frekuentohen si nga banorët e fshatrave përreth, por edhe nga turistë të shumtë.
Iljaz Basha është njëri nga banorët e fshatit Shtiqen, që ka në pronësi një stan.
Ai tregon se edhe pse e bën prej shumë vitesh, dëshira nuk i është zbehur për të dalë në bjeshkë.
“Këtë e bëj që fëmijë, që nga koha e monizmit deri në këtë moshë. Vit për vit kemi pasur blegtori,” thotë Basha.
Iljazi tregon se fëmijët që i ka në emigracion e kanë nxitur ta restaurojnë stanin.
“Filluam ta riparojmë dhe mirëmbajmë stanin e vjetër për efekt të nostalgjisë, se jemi rritur me breza e fëmijë këtu,” shton banori.
Përveçse për përdorim familjar, ai mban dyert hapur edhe për të tjerë, qoftë banorë të atij fshati apo edhe ndonjë turist që mund të vizitojë zonën.
Përveç anëve pozitive që rendit për bjeshkën, nuk mungojnë edhe kërkesat që ka për infrastrukturën dhe energjinë elektrike.“Është mirë edhe për turistët e huaj. Vetëm më punë të tilla do kishte zhvillim,” shprehet Basha.
Pavarësisht mungesave në infrastrukturë apo energji elektrike, bjeshkët e Gjallicës përllogarisin numra të lartë turistësh vit pas viti, që shkojnë aty për të shijuar natyrën e egër e larg zhurmave urbane, si dhe ushqimin e mirë të zonës.
Gazetar: Marjo Merhori
/rtsh.al/