E Martë, 3 Nëntor 2026

Laguna e Kune-Vainit, vetëm këtë vit mbi 21 mijë vizitorë, më shumë se 2 mijë të huaj

Një nga destinacionet turistike mjaft të pëlqyera në Lezhë është dhe laguna e Kune-Vainit.

Natyra me ajër të pastër, laguna dhe deti e kanë kthyer këtë zonë mjaft tërheqëse për vendasit dhe të huajt.

Vizitorët janë kryesisht ditorë dhe e zgjedhin zonën për shëtitje në natyrë, piknik apo dhe për të bërë plazh në pjesën e bregdetit.

Laguna e Kune-Vainit është një perlë që ja vlen të vizitohet, thonë turistët, por kërkojnë që të ruhet dhe mirëmbahet.

“Është një vend i bukur dhe i veçantë. Kam qenë vjet dhe këtë vit erdha që t’ja tregoj edhe familjarëve të mi sa vend i bukur që është. Natyra e virgjër që nuk është prekur dhe është mbrojtur me fanatizëm dhe mendoj se duhet ta ruajmë me shumë kujdes”, u shpreh një pushues.

“Unë vij çdo fundjavë këtu, përveç natyrës dhe qetësisë, më pëlqen shumë edhe deti këtu”, tha një tjerë.

“Unë vij këtu sa herë që vij në Shqipëri. Këtu ka qetësi dhe pamje shumë të bukur”, u shpreh një vizitor.

Sipas të dhënave zyrtare nga Administrata e Zonave të Mbrojtura në Lezhë, nga Janari deri në muajin korrik të këtij viti, Kune-Vaini është vizituar nga 21 696 persona, 2 069 prej të cilëve shtetas të huaj nga Gjermania, Zvicra, Holanda, Serbia, Franca, Italia, Spanja, Polonia, Kina dhe Çekia.

Gazetare: Megi Mëhilli

/rtsh/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›