Kryeministri Berisha përshëndet Kongresin Ndërkombëtar të Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik
Kryeministri Berisha përshëndeti sot pasdite, nëpërmjet një videokonference, Kongresin Ndërkombëtar të Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik, që po zhvillohet në Prishtinë.
Kryeministri Berisha ishte folësi kryesor në këtë kongres dhe gjatë përshëndetjes së tij shprehu vlerësimet më të larta për telemjekësinë, e cila përbën një potencial të jashtëzakonshëm në ndihmë të jetës së të sëmurëve.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohje të veçantë prof. Rifat Latifit, i cili është njëkohësisht edhe përgjegjës i projektit të telemjekësisë në Shqipëri. “Zoti Latifi, gjithçka keni bërë përbën përpjekje më serioze dixhitale për bashkimin e shqiptarëve në përpjekjet e tyre për zhvillim, përparim, integrim”, theksoi Kryeministri Berisha.
Për sa i përket funksionimit të telemjekësisë në Shqipëri, Kryeministri tha se “Shqipëria ka vendosur sistemin e telemjekësisë vitin e kaluar, e ka shtrirë atë në disa rajone dhe është e vendosur ta shtrijë në të gjitha qarqet apo qendrat mjekësore rajonale të vendit”.
Kongresi i Ndërkombëtar i Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik, në Prishtinë, organizohet nga IVEH (International Virtual e-Hospital) dhe Qendra e Telemjekësisë e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë dhe partnerët e tjerë lokalë e ndërkombëtarë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
I nderuar Prof. Rifat Latifi,
Të nderuar ministra,
Zotërinj rektorë,
Të nderuar të pranishëm,
Është një nder, një privilegj i veçantë t’i përcjell përshëndetjet e mia më të përzemërta kongresit tuaj, të falënderoj me mirënjohjen më të madhe prof. Latifin, këtë pionier të telemjekësisë në rajon, Evropë dhe më gjerë. Gjithashtu, falënderoj të gjithë ata që mbështetën projektet e këtij personaliteti të shquar në Kosovë, në Shqipëri, në rajon, projektet e telemjekësisë, e cila, siç dihet, përbën një dimension të ri, paraqitet si një lloj orakulli para botës medikale. Telemjekësia përbën një potencial të jashtëzakonshëm të ri në ndihmë të jetës së të sëmurëve. Është një hark i shkurtër kohor që ajo funksionon në Shqipëri, por ka krijuar kushtet për një kualifikim, i cili nuk ka ekzistuar kurrë më parë, të mjekëve dhe punonjësve të sistemit të shëndetësisë me workshop-et e tyre të lidhur me qendrat më të fuqishme, më kompetente, më të avancuara. Telemjekësia solli në qendrat tona bibliotekën virtuale, e cila de facto u bën të mundur mjekëve, profesorëve, studentëve të mjekësisë të njihen online me çdo studim, çdo botim, kërkim shkencor në të gjitha fushat e mjekësisë, pasi kjo bibliotekë përfshin rreth 7 mijë tituj, jashtë të cilëve nuk mbetet asgjë e rëndësishme. Kjo përbën një avantazh të jashtëzakonshëm për studiuesit, praktikantët, doktorantët, jo vetëm për stafin mjekësor, por në tërësi shkencat biologjike.
Telemjekësia është një lloj instrumenti magjik në duart e mjekut, i cili nga një rajon, nga Shkodra apo Peja, ka mundësi të komunikojë me qendrat më të avancuara të mjekësisë, të diskutojë diagnozën e rastit konkret, të diskutojë me ekspertizën më të avancuar, qëndrimet ndaj sëmundjes, rrugët më eficiente të trajtimit të saj. Telemjekësia, duke pasur në bazë, në kompleksitetin e saj, teknologjitë më të avancuara përbën, gjithashtu, një stimul, një nxitje të fuqishme për përshtatjen, për vënien e tyre në dispozicion, për ndjekjen e progresit teknologjik në diagnozën dhe mjekimin e sëmundjeve. Në mënyrë të veçantë në diagnozën e hershme, e cila dihet se ka një rëndësi kapitale në ecurinë e mëtejshme të saj. Shqipëria ka vendosur sistemin e telemjekësisë vitin e kaluar, e ka shtrirë atë në disa rajone dhe është e vendosur ta shtrijë në të gjitha qarqet apo qendrat mjekësore rajonale të vendit.
Në më shumë se një vit ky sistem është disponibël, por funksionimi i tij çdo ditë e më shumë po transformon qëndrimin e mjekëve, e ekipeve të qendrave tona shëndetësore ndaj problematikës së rëndësishme, qëndrimin ndaj të sëmurëve të veçantë.
I nderuar prof. Latifi,
Edhe një herë dua t’ju falënderoj me shumë mirënjohje, sepse ky është edhe një përvjetor, përvjetori i 100 i pavarësisë së këtij vendi, dhe falë kontributit tuaj, mbështetjes së Departamentit të Shtetit, Pentagonit dhe agjencive të tjera qeveritare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ju arritët t’i jepni mjekësisë shqiptare një nga dimensionet më të rëndësishme, një dimension ky që merr peshë gjithnjë e më të madhe në kualifikimin, diagnozën, në mjekimin, në formimin e stafeve medikale. Pra, dimension i një rëndësie të madhe, gjithnjë në rritje.
Ndaj, dua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, t’i uroj suksese kongresit tuaj, i cili jam i bindur që do të formulojë konkluzione shumë të rëndësishme për qeveritë tona dhe zbatimi i të cilave është në interesin më të mirë të qytetarëve tanë në tërësi, të të sëmurëve.
Faktikisht, zoti Latifi, gjithçka keni bërë përbën përpjekje më serioze dixhitale për bashkimin e shqiptarëve në përpjekjet e tyre për zhvillim, përparim, integrim!
Faleminderit dhe shumë suksese!”
09/12/2012