Kryeministri Berisha pret Princin Nawaf bin Faisal bin Fahd bin Abdulaziz, President i Çështjeve të Rinisë dhe i Komitetit Olimpik në Arabinë Saudite

Kryeministri Berisha duke i uruar mirëseardhjen Princit Nawaf bin Faisal bin Fahd bin Abdulaziz i shprehu mirënjohjen ndaj Kujdestarit të Dy Xhamive Mbretit Abdullah për mbështetjen e plotë që Ai dhe vendi i Tij i kanë dhënë Shqipërisë pas rrëzimit të regjimit komunist, ndërsa shprehu bindjen se kjo vizitë do të forcojë edhe më shumë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.
Kryeministri Berisha tha se është dëshmitar i ndihmës bujare që Arabia Saudite i ka dhënë Shqipërisë në realizmin e projekteve të suksesshme përmes Bankës Islamike, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërsa vlerësoi punën e Komisionit të Përbashkët mes dy vendeve duke kërkuar që ai të bëjë një punë më të madhe për të paraqitur potencialet e mëdha të Shqipërisë për investitorët e Arabisë Saudite, sidomos në energji, ujëra, transport, telekomunikacion, etj.
Duke falënderuar mbështetjen e madhe që Arabia Saudite ka dhënë në mbrojtjen e çështjes së Kosovës, Kryeministri Berisha kërkoi ndihmën e Arabisë Saudite në zgjerimin e njohjeve të Kosovës edhe nga vendet e tjera mike, më të afërt të Arabisë Saudite.
Nga ana e tij, Princi Nawaf bin Faisal bin Fahd bin Abdulaziz, e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen, ndërsa theksoi se Shqipëria, edhe pse një vend i vogël, është një vend shumë i çmuar për Arabinë Saudite. Ai tha se marrëveshja e nënshkruar në Tiranë për Çështjet e Rinisë dhe Sporteve do të jetë një shtysë e fuqishme për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, jo vetëm në këto dy fusha. Gjithash, ai premtoi ti përcillte Mbretit Abdullah dhe qeverisë së vendit të tij ofertën shqiptare për bashkëpunim edhe më të frytshëm mes dy popujve. Princi Nawaf bin Faisal bin Fahd bin Abdulaziz i tha Kryeministrit Berisha se Arabia Saudite do ndihmojë në njohjen më të gjerë të Kosovës si shtet i pavarur.
Pasi premtoi lehtësimin e regjimit të vizave, ngritjes së linjës ajrore Tiranë - Riad, si dhe të kushteve për biznes të suksesshëm të biznesit saudit në Shqipëri, Kryeministri Berisha kërkoi nga Princi Nawaf bin Faisal bin Fahd bin Abdulaziz ti përcillte Mbretit Abdullah ftesën e tij për të vizituar Shqipërinë.
09/12/2012