Kryeministri Berisha pret drejtuesit e kompanisë Fawaz Alhokair Group

Zoti Alhokair përshëndeti rezultatet e ekonomisë shqiptare dhe të qeverisjes së saj, duke i thënë Kryeministrit se “jo vetëm treguesit dhe shifrat janë tërheqëse e domethënëse në vendin tuaj, por dhe vendi edhe njerëzit janë të mrekullueshëm”. Më tej, ai theksoi se klima e të bërit biznes, dinamizmi i tregut dhe fuqisë punëtore kaq të re e të kualifikuar, pozicioni gjeografik dhe mikpritja ndaj biznesit të huaj, e bënë grupin Fawaz Alhokair jo vetëm të mendojë për tu zgjeruar dhe investuar në Shqipëri, por edhe të fillojë hulumtime për të konkretizuar zona e mundësi konkrete për të filluar projekte. “Na bëri përshtypje mosha e re e fuqisë punëtore dhe infrastruktura e zhvilluar qe ndihmon zhvillimin e biznesit me pakicë”, tha Fawaz A. Alhokair.
Synimi ynë parësor, - vijoi zoti Alhokair, - është ngritja e biznesit të shitjes me pakicë në Shqipëri, si qendra tregtare me marka të njohura ndërkombëtare e me çmime të arsyeshme, krijimi në Shqipëri i një qendre logjistike rajonale, i zyrës qendrore rajonale dhe kthimin e saj në një qendër të rëndësishme rajonale të biznesit tone në shitje me pakice. Gjithashtu, ai theksoi se Fawaz Alhokair Group si një biznes relativisht i ri, synon jo vetëm në hapjen e vendeve të punës dhe shërbimin e popullsisë me mallra e shërbime cilësore, por dhe në trajnimin e punonjësve. “Për këtë, bashkëpunimi me sistemin e arsimimit të nivelit të mesëm dhe universitar qëndron në filozofinë tonë, duke krijuar kushte për trajnim dhe eksperiencë të studentëve dhe kërkim e shkencor me përfitim të shumëfishtë”, tha ai.
Drejtori Ekzekutiv i grupit, Fawaz A. Alhokair u shpreh më tej gjatë takimit se Shqipëria na impresionoi me lehtësirat e të berit biznes, si barrën e ulët fiskale, shërbimet ndaj biznesit, fuqinë punëtore dhe fleksibilitetin kulturor dhe na ka bërë të mendojmë seriozisht për të realizuar projektet tona.
Kryeministri Berisha i falënderoi drejtuesit e Fawaz Alhokair Group për përzgjedhjen prej tyre të Shqipërisë për projekte investimi, si dhe u bëri një paraqitje të avantazheve të investimit në vendin tonë, në fushën e biznesit të shitjes me pakicë, qendrave tregtare e argëtuese. “Ky është një sektor i zhvilluar rishtazi, - tha Kryeministri, - që ndikon me shërbimet e tij në rritjen e cilësisë së jetesës së popullsisë, që në zinxhirin e operacioneve të tij ndikon në zhvillimin e bizneseve të sektorëve të tjerë dhe ofron punësim masiv për popullsinë”.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria me popullsinë e saj të re, dëshirën e gatishmërinë për zhvillim të shpejtë, infrastrukturën e zhvilluar, shërbimet cilësore ndaj biznesit me One Stop Shop dhe pozicionin e saj gjeografik, ka kushtet më të mira e optimale për tu kthyer në një qendër rajonale të biznesit të shitjes me pakicë dhe qendrave tregtare.
Kryeministri i garantoi ata për mbështetjen nga ana e qeverisë së tij në projektet e tyre dhe sigurinë e investimeve që i pret veç suksesi dhe përfitimi i përbashkët, i vendit dhe grupit.
09/12/2012