Fjala e Kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së

Kryeministri Berisha, në mbledhjen e radhës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, u ndal në reformat e ndërmarra nga qeveria dhe në modelin ekonomik të suksesshëm, të ndjekur prej saj.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Zotërinj deputetë,
Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht dhe dua të ndalem sërish në çështjen e parë, por edhe të dytë, të tretë e të katërt të shqiptarëve, ekonominë dhe modelin ekonomik. Censusi i fundit fakton se në vitet 2005-2009, pra në një hark kohor 4 vjeçar, morën jetë, gjalluan, biznese sa në në 15 vite të marra së bashku. Pra, kemi të bëjmë realisht me një lëvizje kuantike, apo kërcim kuantik në 4 vite. Këto të dhëna i referohen viteve 2005-2009, sepse po të shtojmë vitet e këtij mandati, natyrisht janë edhe shumë më të fuqishme e më të rëndësishme. Pra, modeli ynë ekonomik, i bazuar në taksat e ulëta, në qeverinë e vogël, në klimën miqësore ndaj biznesit dhe luftën pa kompromis kundër korrupsionit, bëri që bizneset, të cilat janë edhe krijesat më sensitive, natyrisht edhe më të rëndësishmet, të njohin, të gjejnë, të kenë, një klimë, një terren, një mjedis disa herë më të favorshëm se më parë. Nuk ekziston asnjë dhe një vend i vetëm që, në një hark kohor 4 vjeçar, të ketë themeluar biznese të suksesshme, - është fjala për bizneset aktive - , më shumë se në 15 vite të marra së bashku.
Kjo ka vetëm një shpjegim, vetëm një arsye; reformat e kësaj qeverie dhe iniciativën krijuese, iniciativën e lirë të qytetarëve shqiptar, iniciativë të cilët e kishin edhe para vitit 2005, por që ajo u ndrydhej, u shuhej, në kalendat e korrupsionit dhe galeritë e tij.
Është ky model i cili ka bërë që Shqipëria, në katër, vite të ridimensionojë disa herë potencialin e saj të biznesit. Është ky model dhe ky zhvillim që shpjegon se si ka mundësi që, në këtë qeverisje, nga viti 2006 deri në 2011, janë mbledhur në arkën e publikut, taksa, tatime, 7.2 miliardë dollarë më shumë se sa në vitin kulmor të socializmit të dytë shqiptar. Pra, janë mbledhur faktikisht mbi 3 buxhete më shumë të vitit 2004.
Ky model i transparencës, i klimës miqësore të biznesit, bëri të mundur që Shqipëria, nga 2006 deri në 2011, të trefishojë eksportet.
Zonja e zotërinj,
Shqipëria eksporton lumenj djerse, eksporton prodhim. Statistika tregon se, vetëm 60 për qind e bizneseve në Shqipëri janë biznese të vogla, shërbime. Në vende të tjera janë 70-80 për qind të tillë. Pra, një vend i cili nuk ka shpallur si orientim themelor të ekonomisë së tij eksportin, - pasi ne nuk e kemi bërë këtë, mund të shpallet dhe ka praktika botërore në ato që quhen ekonomi të drejtuara nga eksportet.-, pra, pa qenë e tillë, ekonomia shqiptare ka trefishuar eksportet nga viti 2006, i ka dyfishuar nga 2009, ka dyfishuar prodhimin nga viti 2009 dhe ka trefishuar prodhimin nga 2006. Eksporti i shërbimeve shqiptare është shumë i vogël. Pra, ne eksportojmë prodhim. Specifike është se ky model bëri të mundur një rritje të jashtëzakonshme të të ardhurave buxhetore, të cilat më parë, një pjesë e madhe e tyre përfundonin në galeritë e korrupsionit, bëri të mundur, si në asnjë vend tjetër, të mbi dyfishohen rrogat e pensionet.
Por, në rast se ju e ndiqni dhe, sigurish që e ndiqni, krizën e sotme evropiane e botërore, kjo krizë, në themelin e vërtetë të saj, ka mungesën e reformave me të cilat ekonomitë e vendeve të lira duhej të përshtateshin me globalizmin, zhvillimi më madhor i 20 viteve të fundit. Pra, kriza ka disa aspekte, ka euron, ka borxhet, filloi me kreditë për shtëpitë, etj, por në themel ka kompetivitetin që erdhi si rezultat i mospërshtatjes me një botë që po ndryshonte më shpejtësi të madhe. Mjafton të theksojmë këtu se 75 për qind i investimeve të huaja në botë janë në Azi, në ato që quhen tregjet në rritje, janë në Kinë, Brazil, Indi, etj
Po të analizoni se çfarë rezulton, do të vini re se qeveritë sot në Evropë po lëvizin drejt liberalizimit, masa që ne i ndërmorëm kohë më parë, liberalizimin e lejeve, licencave, standarde të reja. Unë ju garantoj se kjo frymë është fryma e vetme që do nxjerrë nga kriza këto vende. Fatmirësisht, është konstatuar qartësisht se problem më madhor është kompetiviteti. Kompetiviteti është nocion që ka të bëjë më shumë se çdo gjë tjetër me cilësinë e funksionimit të një ekonomie. Shqipëria ka përmirësuar në mënyrë progresive treguesin e tij dhe po bën gjithçka për ta përmirësuar më tej, Shqipëria le, jo një, por disa vende të BE-së pas, në rrafshin e lirisë ekonomike.
Në të gjithë këtë realitet, si klithma të të shkuarës, të një të shkuare të largët, vjen dhe propaganda vulgare e drejtuesve të Partisë Socialiste. U thanë shqiptarëve 2 vjet rresht se në Shqipëri ka 1 milionë të papunë dhe nuk u thanë shqiptarëve se përse mashtruan 1 milionë herë, në një kohë kur “krahët e punës” në vend nuk janë as edhe një milionë, sipas censusit të fundit. Bëjnë propagandë sipas së cilës Banka e shtetit po pret para për qeverinë dhe kjo tregon se injoranca financiare nuk mund të mos vendosej ndryshe në piedestal. Në një kohë kur Shqipëria mbylli vitin me inflacion ndër më të ulëtin në Evropë 1.7, nxorën këtë dogmë për të justifikuar mashtrimin periodik që u bënin qytetarëve se qeveria nuk do të ketë para për të paguar. Tani së fundi kanë problemin e taksave. Duan edhe njëherë t’i rikthehen modelit marksist, model i cili është edhe një nga faktorët e krizës së sotme. E vërteta është që modeli ynë bëri që punonjësi i cili merrte 220 mijë lekë të vjetra në vitin 2005, të marrë rreth 500 mijë në vitin 2010. Është e vërtetë që në vitin 2005, pas heqjes së taksës, atij i mbeteshin 213 mijë lekë të vjetra dhe në vitin 2010 pas heqjes së taksës, i mbeten 450 mijë lekë të vjetra. Por le të pyeten këta punonjës nëse do preferonin 220 mijë minus 7 mijë, apo 500 mijë minus 40 mijë. Kjo është matematika në doktrinën e Marksit: të shkatërrojmë të pasurit. Një gjë kanë socialistët pasion të përjetshëm; të varfrit që ata krijojnë. Por kjo nuk do të mund të ndodhë.
U ndala në këtë moment për faktin se statistika e para dy ditëve se 50 për qind të bizneseve aktive të këtij vendi janë të 4 vjeçarit të mandatit tonë të parë, është dëshmia më e shkëlqyer e suksesit të këtij modeli ekonomik. Edhe njëherë, dua të sqaroj këtu se, në rast se 60 për qind e këtyre janë biznes i vogël, në vende të tjera kjo shifër është 70-80 për qind. Në vendet më të zhvilluara të botës, biznesi i vogël është gjenerator i ekonomisë.
Por ajo që spikat në ekonominë shqiptare është fakti që ajo është ekonomi e mundit e djersës, sepse të dyfishosh eksportet, në një hark kohor 2 vjeçar, në një vend që ka një eksport minimal shërbimesh, për të mos thënë in-ekzistent, pra do të thotë që është një ekonomie thellësisht e orientuar drejt prodhimit, do të thotë se ky model që ne kemi vendosur është modeli që mbështet në mënyrën më të fuqishme prodhimin. Nuk mund të ishte ndryshe dhe nuk mund të ndodhte kurrë që të dyfishohen eksportet në dy vjet, në asnjë vend tjetër, përveç ndonjërit që ka pasur rezerva kolosale gazi ose nafte.
Sot ka diskutime të shumta dhe kudo, gjëja më normale është diskutimi për ekonominë sepse të gjitha kronikat, të gjitha lajmet e agjencive të mëdha, janë të mbushura çdo ditë me lajme mbi zhvillimet ekonomike në rajon, Evropë dhe botë. Kështu që kjo është koha në të cilën qytetarët, kudo, po bëhen më ekonomistë se kurrë, sepse po përballen me pasojat e një krize që do të jetë më shumë se afatmesme, e një krize që ka prekur thellë prodhimin, që ka prekur thellë rrogat e tyre, pensionet, e një krize që po shkatërron me shpejtësi të madhe miliona e miliona vende të lira. Ndaj dhe nuk ka dhe nuk mund të ketë diskutime më të rëndësishme se ato për ekonominë në këtë kohë.
Ne jemi të vendosur që gjatë këtij viti të thellojmë më tej të gjitha drejtimet tona, jemi të vendosur të nxisim prodhimin dhe, janë një seri projektesh që do të fillojnë apo presin të fillojnë, jemi të vendosur të përmirësojmë gjithnjë e më tej klimën e biznesit, duke bërë gjithçka për t’u ofruar atyre shërbimet më të kulturuara, jemi të vendosur të bëjmë çdo hap drejt transparencës.
Zotërinj deputetë,
Ky vend është ndër më të paktit në Evropë që, për shkak të vullnetit te hekurt për transparencë, ia doli të plotësojë një nga objektivat më kryesor të partneritetit për qeverisje të hapur; botimet online të të gjitha shpenzimeve që bëhen në këtë shtet, një ditë më parë. Dhjetëra e dhjetëra vende të tjera kanë pasur mundësinë ta bëjnë këtë gjë. Ne kemi teknologjinë, por patëm edhe vullnetin për ta bërë dhe ndaj e realizuam. Ne do të bëjmë gjithçka që rrezja e dritës, rrezja e diellit të transparencës, të penetrojë në çdo skutë, në çdo qelizë të administratës së këtij shteti.
Ne do të bëjmë gjithçka që të finalizojmë procesin e privatizimit. Ne sot jemi vendi më privat dhe nuk ka vend tjetër të dytë privat sa Shqipëria. Por prapë ne kemi për të privatizuar. Sot, siç e shihni, një nga kërkesat më kryesore ndaj vendeve që përfliten në krizë, është privatizimi, sepse ai është kushti më themelor për të rritur kompetivitetin, sepse natyrisht, privati është ai që do të bëjë gjithçka për të përballuar garën, sepse nuk ka krahun e shtetit për ta mbështetur, ashtu siç shteti mbështet sektorin publik. Ndaj dhe ne do të ecim me shpejtësi drejt privatizimit të plotë.
Në një grup pune me ministrin e Ekonomisë dhe përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, kërkova që të ndërmarrim privatizimin me të thellë të pyjeve. Kjo sepse pyjet duhet të bëhen “me zot” , për të vendosur një drejtim të ri në rritjen, mbarështimin dhe zhvillimin e tyre. Grupet e punës do të shkojnë të studiojnë vendet me eksperiencën më të mirë në privatizimin e pyjeve. Ne do të vendosim atë model, në mënyrë që të rikthejmë fuqishëm zhvillimin e këtij sektori në Shqipëri. Pyje dhe shkurre, Shqipëria ka rreth 1.6 milionë hektar, nga të cilat rreth 600 mijë janë shkurre që do të përdoren gjerësisht për arrorë, në shkallën më të gjerë. Pyjet do të rikthehen në aktivitetin e tyre. Ky vend është vend i biodiversitetit, i drurëve më të shumëllojtë, ndaj dhe ne do të ecim drejt këtij procesi. Sikundër, do të privatizohet këtë vit Alpetroli, 4 apo 5 hidrocentralet e vogla dhe do të ecet gjithnjë e më tej, duke e thelluar këtë proces.
Fatmirësisht, gjendja ekonomike, funksionimi i ekonomisë krijon premisa për t’i bërë këto procese të suksesshme, sepse ju e dini, ka vende të tjera ku nuk shitet gjë, për shkak të kompleksitetit, zymtësisë që është krijuar.
Pra, u ndala edhe njëherë tek modeli ekonomik, i cili i garantoi këto suksese vendit, por që “”sharlatanë të vërtetë”” në këtë fushë e sulmojnë, pa asnjë argument, çdo ditë. Megjithatë, ne do të vazhdojmë ta konsolidojmë këtë model. Faleminderit”.
30/01/2012