E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha bashkëbisedon me fermerë dhe përpunues të produkteve bujqësore të rrethit të Vlorës

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me fermerë dhe përpunues të produkteve bujqësore, kryesisht përpunues të ullirit,  e cila u zhvillua në serën  e qendrës se transferimit të teknologjive bujqësore (QTTB) në Vlorë.

Q.T.T.B ka një sipërfaqe prej 59 ha me pemëtari ku zhvillohen teknologjitë dhe që ka në përbërje një bazë të rëndësishme të resurseve gjenetike  me rëndësi kombëtare: në pemë frutore - 146 kultivarë  me rreth 20 specie; në hardhi - 57 kultivarë të vendit dhe 86 kultivarë të huaj; në ullinj 22 kultivarë të vendit dhe 30 kultivarë të huaj. QTTB Vlorë është modeluar për të funksionuar dhe si një qendër shumëfunksionale për prodhimin e materialit bimor dhe furnizimin e fidanishteve frutore të vendit. Kjo serë e   prodhimit të fidanave të ullirit  është ndërtuar me financim të Qeverisë me fond të realizuar 52 milion lekë. Sera ka sipërfaqe totale 4000 m²  me kapacitet vjetor deri 200.000 mijë fidana. Nga viti 2011, cdo vit janë prodhuar 100 mijë  fidana me kultivarë autokton, kryesisht të varietetit Kalinjot, që është bazë për zonën jugore të vendit.

Kryeministri në këtë bashkëbisedim u ndal në projektin madhor të qeverisë atë të projektit kombëtarë të ullirit. Kryeministri theksoi se qeveria ka financuar vetëm në ullinj mbi 9 mijë hektarë, dhe se ajo është e vendosur që katër vitet që vijnë  të trefishojë grandet për fermerët  shqiptarë, çka do të thotë trefishim i grandeve për ullirin.

"Këtë vit ne hoqëm çdo lloj tarife doganore dhe takse, për çdo import që nevojitet për prodhimet bujqësore, për çdo makineri që nevojitet për të gjitha llojet e bizneseve. Së shpejti ne do të fillojmë të subvencionojmë  më shumë mbrojtjen e ullirit dhe vjeljen e tij. Ne do të bëjmë gjithçka që t’ju nxisim ju, t’ju mbështesim ju në këtë investim afatgjatë, jashtëzakonisht të dobishëm dhe të rëndësishëm për Shqipërinë, një prodhim i cili qëndron në krye të listës së prodhimeve ushqimore".

Kryeministri gjatë këtij bashkëbisedimi iu përgjigj secilës problematikë në veçanti që fermerët parashtruan dhe ngritën. Kryeministri dëgjoi mendimet, sugjerimet, kritikat dhe opinionet e tyre me qëllim mishërimin e tyre në programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme për zhvillimin rural dhe bujqësor të vendit.

Mbështetur në programin e qeverisë, për nxitjen e mbjelljes së ullinjve, si një kulturë me mjaft interes në ekonominë shqiptare, si dhe studimin kombëtar për mbjelljen e 20 milion rrënjë ullinj, prodhimi i ullinjve është rritur ndjeshëm në vitet e fundit.  Me aplikimin e skemave mbështetëse në bujqësi pas vitit 2007, ka pasur një rritje të konsiderueshme të rrënjëve të mbjella, e shoqëruar kjo dhe me rritjen e prodhimit nga 27 600 ton në vitin 2007 në mbi 100 000 ton në vitin 2012. Prodhimi i ullinjve është përqendruar në qarkun e Beratit me 23,8 përqind e prodhimit total dhe të Vlorës me 23,4 përqind, ndjekur nga Fieri me 18,7 përqind  dhe Elbasani me 17,8 përqind, të cilët të marrë së bashku zënë 83,6 përqind  të prodhimit total në Shqipëri. Në të gjithë këta qarqe ekziston një prodhim i përzierë i ullinjve për tavolinë dhe ullinjve për vaj ulliri. Në rastin e Beratit, është bërë një punë e madhe drejt prodhimit të ullinjve për tavolinë. Kjo rritje prodhimi çoi edhe në rritjen e prodhimit të vajit të ullirit. Aktualisht  numri i prodhuesve të vajit është 165, shumica e të cilëve kanë linja moderne të përpunimit të vajit të ullirit. Për vitin 2012 prodhimi i vajit të ullirit arriti mbi 13 000 ton.  Qeveria ka subvencionuar mbjelljen e ullirit në rang kombëtar.  Për Qarkun e Vlorës janë subvencionuar  1051 projekte për mbjellje të reja për ullirin dhe sipërfaqja  e mbjellë vetëm në qarkun e Vlorës me rrënjë ulliri është  766.914 hektarë. 

Bashkëbisedimi i Kryeministrit Berisha me fermerët e rrethit të Vlorës.

“Së pari dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, të shpreh kënaqësinë që takohem sot me ju për të diskutuar sëbashku për një projekt  madhor kombëtar, siç është projekti  i ullirit. Këtu në Vlorë, jemi në djepin e ullirit dhe prodhimeve të tij,  djep shekullor, por në vlerësim të rëndësisë së madhe të ullirit dhe vajit, qeveria vendosi katër vjet më parë të ndërmarrë një projekt kombëtar, në të cilin të shumëfishojë rrënjët e ullirit në të gjithë territorin  e vendit, ku kjo pemë madhështore, mbret i vërtet i të gjithë drurëve frutorë, me njërin nga prodhimet më të shëndetshme të tokës për njeriun, të shumëfishohet në Shqipëri.  Ne në një hark kohor të shkurtër kemi arritur një sukses, e cila lexohen në të gjithë territorin e zonës së ullirit të vendit.  Kudo që shkon konstaton me kënaqësi të madhe një shumëfishim të rrënjëve të ullirit.  Gëzimi  im sot ishte shumë i madh, sepse para se të vij këtu unë bëra një vizitë në fabrikën e vajit “Extra Vergine”,  të kompanisë Musai, një bashkëqytetar i juaji, i cili me përkushtim të madh, me seriozitet, me ndershmëri  ka arritur të prodhojë vaj të cilësisë më të lartë botërore, të meritojë në një hark të shkurtër kohor dy medalje ari, njërën prej të cilave në vendin më kryesor, më të lashtë të ullirit, në Itali.

Ky sukses është një lajm i gëzueshëm për të gjithë fermerët shqiptarë dhe për të gjithë ata që besojnë se projekti i ullirit është një investim afat gjatë ndër më të rëndësishmit  në histori.  Ky lajm është shumë i gëzueshëm, sepse nxjerr në krye vlerat e njërit prej varieteteve  më të  përhapura të ullirit në Shqipëri siç është varieteti  Kalinjot dhe e tëra kjo serë është e mbushur me fidanë të këtij varieteti.  Ky varietet  me medalje të kompanisë Musai bëhet një varietet i njohur në mbarë botën.

Sot unë jam këtu për të dëgjuar zërin tuaj, mendimet tuaja, opinionet, vërejtjet,  si ta çojmë më përpara këtë projekt.

Ne kemi financuar vetëm ullinj mbi 9 mijë hektarë, ne jemi të vendosur që katër vitet që vijnë  të trefishojmë grandet për fermerët  shqiptarë.  Çka do të thotë trefishim i grandeve për ullirin. Këtë vit ne hoqëm çdo lloj tarife doganore dhe takse, për çdo import që nevojitet për prodhimet bujqësore, për çdo makineri që nevojitet për të gjitha llojet e bizneseve. Së shpejti ne do të fillojmë të subvencionojmë  më shumë mbrojtjen e ullirit dhe vjeljen e tij. Pata kënaqësinë e madhe kur presidenti i kompanisë Musai më sugjeroi që subvencionimin ta bëjmë mbi bazën e prodhimit dhe kjo është më e ndershme, më e drejtë, më pa korrupsion dhe ne me shumë kënaqësi do të kalojmë tek kjo formë subvencionimi që më kërkuan edhe pronarët e serave në Lushnje, prodhuesit e qumështit. Pra ne do të bëjmë gjithçka që t’ju nxisim ju, t’ju mbështesim ju në këtë investim afatgjatë, jashtëzakonisht të dobishëm dhe të rëndësishëm për Shqipërinë, një prodhim i cili qëndron në krye të listës së prodhimeve ushqimore.

Faleminderit dhe unë jam i hapur t’ju dëgjoj sot këtu për çdo problem e çështje që ju do të ngrini këtu dhe ju siguroj se ato do të mishërohen në programin tonë. Programi ynë, ne duam që të jetë programi juaj, ne nuk kemi  asnjë synim tjetër, veçse sesi ne të mbështesim interesat tuaja më të mira.

       - Z. Kryeministër  unë ju  falenderoj që keni ardhur në djepin e ullirit në Vlorë. Unë jam Kastriot Shehu, kryetari i shoqatës për Zhvillimin Rajonal, të krahinës së Labërisë së lumit të Vlorës. Një zonë e cila ka një sipërfaqe 838 km2, një popullsi 57 mijë banorë, me një ndarje administrative 64 fshatra, 7 komuna dhe një bashki dhe 24 mijë hektarë tokë të punueshme, është terren kodrinor malor dhe në funksion të këtyre ne si shoqatë bëmë një studim, me se do merret dhe prioritet e kësaj krahine. Na rezultoi që nga vitin ’97 se kjo zonë do të merret si prioritet për zhvillimi, me fruti- kulturën dhe blegtorinë. Duke ju falenderuar veçanërisht ju si kryeministër,  se me projektin që ju keni aplikuar për zhvillimin e ullirit, ne ju lëmë brezave që vijnë një pasuri të jashtëzakonshme.   Një nga problemet kryesore është  se na mungojnë specialistët e arsimit profesional, pasi shkolla që ishte këtu është mbyllur dhe është bërë  gjimnaz.  Mosha që kishte mbaruar shkollat, të mesme dhe të larta u distancuan nga puna konkrete, por na ndodhi edhe emigracioni. Lindën probleme të tjera, atëherë ne e pamë të arsyeshme dhe ngritëm një qendër të formimit profesional  e vetmja në Shqipëri, për trajnimin e fermerëve në fruti-kulturë, blegtori, agro-përpunim dhe marketing dhe trajnuam afro rreth 650 fermerë me profesor të asaj shkolle që kemi pasur. Kërkojmë nga qeveria që kur të nxjerrë programet  së pari të bëjë konsultën me grupet e interesit. Konkretisht ne kërkuam që të mos ishim të barabartë në subvencionin e  fermerëve në zonat fushore dhe kodrinore të buta  dhe zonat kodrinore malore të larta. Unë kërkova që të bëhet 0.75 përqind për zonat fushore dhe 1.25 përqind për zonat kodrinore. Ne kërkuam që qendrat e formimit profesional për bujqësinë duheshin nxitur. Duke u ndalur tek ulliri, na ndodhi një problem. Na erdhi fidani nga jashtë i pa kontrolluar dhe fidani  ynë Kalinjot është krejt i pa shituar. Ne që jemi të licencuar nuk shesim mall. Ne kërkojmë të mos nxitet tregu informal.

Kryeministri Berisha:  Ju falenderoj shumë për çështjet që ngritët. Së pari vlerësoj shumë ngritjen nga ana juaj të një çështje themelore, të formimit profesional në sektorin e bujqësisë, blegtorisë dhe në të gjitha këto fusha. Çfarë ndodh sot?  Sot e vërteta është se biznesi po shkon duke u shtrirë me shpejtësi në Shqipërinë rurale, por mendja e zyrtarëve akoma nuk ia ka realizuar këtë si duhet.  Ju me shumë të drejtë theksuar çështjen e  trajnimit. Unë ju garantoj se  e kam ngritur në mënyrën më të përsëritur domosdoshmërinë jetike të qendrave të shkollimit dhe trajnimit profesional në këtë fushë.  Në një takim që pata me akademikët e fushës para dy ditësh, përsëri kjo doli një çështje kryesore.  Ju keni të drejtë, fondet që ne përcaktojnë për formimin profesional domosdoshmërish  duhet të ndahen në mënyrë proporcionale me Shqipërinë urbane dhe atë rurale dhe ju garantoj se ky do të jetë një drejtim i pa ndryshuar  i yni. Do të bëjmë gjithçka për të rritur profesionalizmin  e fermerëve tanë.  Është i drejtë sugjerimi juaj. Nuk mund të ketë të njëjtën kosto, ulliri në zonën fushore me atë në zonën kodrinore. Unë para dy javësh isha në Ruzhdije.  Para dy -tre muajsh  isha në Qereshnik, zona thellësisht kodrinore, me kodra të larta, por të qëndisura me ullinj në mënyrën më të bukur.  Ndaj dhe ministria duhet të përcaktojë dhe të garantoj se do të përcaktojë koeficient të ndryshëm në të gjithë  trajtimin. Tani ka një gjë.  Ne e nisëm fillimisht me vreshtat, me mollën me ullirin, por tani skemën dhe financimin e kemi shtrirë dhe do ta shtrijmë në gjerësi.  Po jap një shembull, ne aktualisht mbështesim prodhimin e  qumështit dhe nuk mbështesim prodhimin e mishit, çka duhet  riparë thelbësisht kjo.

Vijmë tek makineritë. Kjo është e vërtetë, por çfarë bëmë ne për këtë? Ne votuam tani në parlament ligjin që heq çdo lloj takse për çdo mjet dhe makineri bujqësore, për çdo input bujqësor  përveç  atyre që dëmtojnë prodhimin e vendit, atë nuk do ta pranojmë. Ju i keni dëgjuar ata të tjerët. Çfarë thonë ata? Do të heqim TVSH për prodhimet bujqësore. Por nëse heq TVSH për prodhimet bujqësore  t’ia jua kalb në fushë prodhimet shqiptarëve, sepse në këtë tokë kemi, ne kemi tokë me pak se të gjithë kombet e tjera në Europë për frymë.  Nëse heqim TVSH  për prodhimet bujqësore, natyrisht hapet çdo mundësi për një konkurrim të egër  dhe të pandershëm ndaj nesh, sepse në të gjithë hapësirën Europiane paguhen 3 euro në ditë për lopën dhe sigurisht po ti japësh 3 euro në ditë subvencion për lopën, atij i del ta shesë qumështin më lirë. Ne heqim TVSH për makineritë, heqim për inputet, për çdo gjë që ju duhet ju për të rritur prodhimin, por ne nuk do heqim TVSH për prodhimet tuaja, sepse duhet ti mbrojmë ato. Kjo është politika kokëposhtë që propozojnë ata. Të rrisin taksat për të shkatërruar vendet e punës, të heqin TVSH për të shkatërruar prodhimin.

Jo, ne do të bëjmë gjithçka për të luftuar informalitetin, deri në shkallën që konkurrenca do të funksionojë. Ne jemi qeveri dhe bëjmë politika, që besojmë se janë të dobishme. P.sh ,  ne besojmë se Kalinjoti  është i dobishëm dhe është varietet që duhet ta përhapim në zonë e Vlorës dhe  të Mallakastrës, është varietet autokton i cilësive shumë të larta. Natyrisht ne nuk mund ti ndalojmë të tjetër që të mbjellin varietetet  e tjera, por me politikën tonë ne përpiqemi të nxisim fermerët të mbjellim Kalinjotin dhe këtë e shpallim hapur. Ka një zhvillim pozitiv. Në vitin 2007 ne kemi prodhuar gjithsej 3800 ton  vaj ulliri, në vitin 2012 ne kemi prodhuar 13 mijë ton vaj ulliri. Po shumëfishohet prodhimi i tij. Do të bëjmë gjithçka, që kjo kulturë të gëzojë shërbimet që meriton.  Z. Musai më sugjeroi dhe më propozoi, që ne të subvencionojmë prodhimin, atë që ti dërgon në derë të fabrikës, për kilogram pastaj se çfarë bën ti me subvencionin është puna jote, por ky është interesi më i madh, që ti të rrisësh prodhimin.

Të falenderoj ty dhe të gjithë ata për shoqatën që keni krijuar, sepse edhe ajo është gjë shumë pozitive. Ju ia njihni tokës rrënjët, gurin dhe çdo gjë dhe mendimi juaj për zhvillimin rajonal është shumë i dobishëm. Që ta mbyll me ullirin, pse ne të dy jemi kaq të apasionuar pas tij, sepse ne duam përjetësinë.

        - Zori kryeministër, do të  dal pak nga tema. Unë jam Paskal Pico nga Vlora. Para dy vjet e gjysmë më operuan gabimisht doktorët në Vlorë dhe më hoqën tre organe. Gjykata e tre shkallëve më dha një vlerë dëmshpërblimi. Nuk e kuptoj të të japë gjykata paratë dhe të mos të ti japim këta, kjo është e rëndë?

Kryeministri Berisha: Ti e ke ngritur problemin tënd. Më ke bërë një mesazh mua. Ti ke të drejtë dhe e drejta jote do të mbështetet plotësisht nga kryeministri, të jesh i bindur për këtë. Zëri yt është dëgjuar. Ka pasur një problem ndaj të cilit ne qëndrojmë plotësisht në mbështetjen tënde.

     -Z. Kryeministër përshëndetje. Jam Shpëtim Meminaj, kam pronat e mia, vreshta dhe ullinj. Unë kam pasur një vresht  të vjetër 40 vjeçar dhe e mbolla me ullinj, por  ne kemi një problem me vaditjen. Unë kam parë ne vende të tjera metoda të thjeshta vaditje dhe mendoj se duhet të aplikohen dhe këtu?

Kryeministri Berisha: Ju falenderoj për përkushtimin që ke dëshmuar. Ju siguroj se katërvjeçari që vjen, siç kemi bërë në këtë katërvjeçar dhe dy vitet e fundit të katërvjeçarit që shkoi, ku ne kemi asfaltuar 8 mijë kilometra rrugë në Shqipërinë rurale, sepse ne kemi besuar se rruga është kushti më themelor për tu shfrytëzuar toka, për tu zhvilluar sektorët  në tërësi të bujqësisë, blegtorisë, në përgjithësi për zhvillimin e qëndrueshëm rural, projekti  i dytë më madhor pas rrugëve për ne, do të jetë ujitja dhe rindërtimi i rrjetit  energjetik  në zonat rurale. Rrjet, i cili është i dobët dhe nuk funksionon në parametrat e biznesit.  Ne kemi edhe gati 2 mijë kilometra rrugë rurale për ti përfunduar dhe e përfundojmë tërësisht dhe në Shqipërinë e banuar ne asfaltojmë çdo rrugë, duke lidhur çdo fshat, çdo komunë me rrugë. Krahas kësaj ne fillojmë një projekt të madh, projektin e ujitjes. Fillimisht me 60 milion euro dhe fillon shumë shpejt  në zonat pilot. Me këtë projekt ne duhet të shfrytëzojmë  në shumë forma dhe ato forma, të cilat garantojnë një ujitje ndoshta fillimisht jo kaq të plotë, por më mirë sesa mungesa e saj. Ndaj dhe investimet do të jenë shumë të mëdha. Siç ndërtuam rrugët, do të ndërtojë shteti ujitjen dhe ky është projekti i katër viteve që vijnë.

     -Përshëndetje z. Kryeministër dhe mirëserdhët dhe ju falënderojmë që krijoni mundësinë për të dëgjuar dhe komunikuar për hallet tona. Unë jam  Mezan Meminaj. Dua të ngre dy probleme, në drejtim të tregtimit të prodhimit.  Ne kemi privilegj në këtë zonë, sepse jep një vaj cilësor. Ne kemi pasur një shoqatë me rreth 120 fermerë kryesisht në kodrat e buta këtu. Kemi ndryshuar mentalitetin e përpunimit të vajit të ullirit, i cili mykej dhe fitonte aciditet.  Shoqata investoi për prodhimin e vajit BIO ,u investua por këtë vit nuk është investua pothuajse fare.  Mundësisht të shikohet kjo, sepse drejt kësaj po arrihet. Qeveria të krijojë mundësitë për të tregtuar këtë prodhim vaji. Gjithashtu ne kërkojmë që ti vihet dorë dhe rrugës së fshatit që është gati 7 kilometër dhe ka mbetur pa u shtruar, kërkojmë që të shtrohet?

Kryeministri Berisha: Ju falenderoj për ndërhyrjen që bëtë. Ëahtë një lloj keqkuptimi midis shoqatës dhe agjencisë së grandeve,  pasi ne përcaktojmë një sasi të grandeve vetëm për bujqësinë BIO dhe në këtë kontekst, ne nuk përjashtojmë vajin e ullirit. Natyrisht agjencia akordon fonde mbi bazën e projekteve dhe ju të paraqisni projekte. Unë para dhjetë ditësh isha në një sera  BIO në Lushnje, e cila kishte përfituar nga projektet si serë BIO. Unë ju përshëndes dhe do të jetë dora –dorës një nga drejtimet më themelore tonat, sepse ne me sasi nuk ia dalim dhe nuk konkurrojmë dot prodhimin, kemi pak tokë, por  ne ia dalim për tu ngjit shumë lart nëse ecim BIO. Ne me BIO ecim shumë lart. Përsa i përket rrugës. Unë e di që ju e keni rrugën të pa shtruar dhe një bashkëfshatari juaj më ka çuar një sms,  unë e kam trajtuar shumë seriozisht mesazhin e tij, 7.5 km rrugë që e keni  të domosdoshme dhe i kam kërkuar Fondit Shqiptarë të Zhvillimit të vijën, të shqyrtojë  projektin dhe ne do ta asfaltojmë rrugën.

       -Përshëndetje z. Kryeministër. Jam Ajet Xhafa nga fshati Ushtimë  i komunës Qendër. Jam anëtar i shoqatës  BIO dhe kemi vite që lodhemi për prodhimin BIO të ullirit. Ne kemi treguar  që nuk e shpërdorojmë  prodhimin dhe dimë ti marrim vlerat.  Ulliri është nën kërcënim përsa i përket mizës së ullirit, do të kishte ndonjë plan qeveria që të bëhej ndonjë trajtim masiv për të gjithë zonën. Duam të shtroni edhe rrugën,  e cila është vetëm një kilometër?

Kryeministri Berisha: Ju përgëzoj për pasionin që keni për prodhimin BIO. Ju siguroj që është diskutuar në mënyrë të përsëritur mbrojtja e ullirit dhe metodat e mbrojtjes nga kjo mizë, e cila është  një problem shumë serioz për ullirin. Duhet ta pranojmë se nuk i kemi dhënë përgjigjen e duhur mirëmbajtjes  së vajit të ullirit, nuk i kemi dhënë përgjigjen e duhur administrimit të ullirit pas vjeljes, sepse duhet të fillojmë që nga vjelja dhe më pas tek prodhimi i vajit. Kemi pasur problem me mollën dhe kemi subvencionuar  ose dhënë kredi për frigoriferë të shumta në Korçë, Devoll, Kolonjë dhe tani në Peshkopi. Duhet që të përgatitemi edhe për ullirin, në mënyrë që vaji të ruajë cilësitë e tij. Agronomi tha se nuk ka qenë traditë e mirë ruajtja e vetë ullirit dhe akoma nuk është traditë e mirë ruajtja e vajit të ullirit. Ndaj sëbashku duhet të garantojmë për të bërë investimet më të mira të  ruajtjen së  tij.

    -Përshëndetje  z. Kryeministër, jam Nuredin Faslliu nga Trevllazit. Ju roj mirëseardhjen. Ke ardhur në vendlindjen e ullirit, sepse ulliri këtu në këto brigje ka lindur para një mijë vjetëve. Unë jam një fermer i njohur në fshatin e Trevllazit, sot kam një mijë rrënjë ullinj, vresht dhe pemë frutore. Jam 80 vjeç dhe falë qeverisë jam shumë i kënaqur për ndryshimet e mëdha të këtij vendi dhe punoj si një i ri. Ju uroj z. Kryeministër që për juve mos pastë pleqëri. Kur erdhe të përshëndeta;  Ku je o Skënderbeu i dytë i Shqipërisë , e meriton z. Sali Berisha për ndryshimet e mëdha që i ke bërë këtij vendi , në infrastrukturë dhe në ekonomi. Unë kam menduar të të jap një libër tim personal, që ta bëj dhuratë. Të uroj fitore.

Kryeministri Berisha: Të falenderoj shumë për dhuratën më të bukur që më ke bërë. Të falenderoj shumë.

     - Përshëndetje z. Kryeministër. Jam Lutfi Hoxha, kryesisht unë merrem me perime.  Kam serat e mia një hektar e gjysmë, ku mbjell, shalqi, pjepër, domate, lule lakër, brokoli dhe sallatë, gjithsej shkojnë rreth 4 mijë kuintal prodhime BIO. Kam një kërkesë. Dua të na pastrohen kanalet kulluese, sepse del Vjosa dhe na përmbyt tokat. Gjithashtu unë i kam bërë serat me konstruksion metalik, disa rrethe përfitojnë subvencione, Vlorën nuk e kap,  si do të bëhet që të përfitojmë dhe ne?

Kryeministri Berisha: Të falenderoj për çështjet që ngrite, të përgëzoj sepse të prodhosh  400 ton prodhim, ti derdh 40 kuintal djersë në vit dhe kjo është meritë e familjes tënde dhe e atyre që punojnë me ty. Të garantoj se qeveria dhe bordi i kullimit do të marrin porosi të angazhohen për pastrimin e  tyre dhe  për ndërtimin e argjinaturës sa më shpejt në  Vjosë, për rindërtimin e  saj, pasi Vjosa është një lum jo pak problematik në disa zonë dhe duhet ti lartësojmë dhe forcojmë argjinaturat.  Nuk ka asnjë  lloj ideje, që në një zonë të shpërblehet  dhe në një zonë tjetër të mos shpërblehet. Në mënyrë kategorike, qëndrimi është i njëjtë, prandaj i gjithë materiali i serave subvencionohen në shkallën e  caktuar, kur janë me ngrohje subvencionohen me akcizën, por kur janë me hekura, materiali i ndërtimit, hekurat, plastmasët dhe çdo gjë tjerë, do të jenë  pa TVSH dhe fermerët  do marrin subvencionin mbi bazën e prodhimit që kanë kërkuar dhe kjo është edhe më e drejta.  Prodhon 400 ton, ne duhet të shpërblejmë për çdo kile një subvencion të caktuar. Kjo është edhe një nxitje për fermerin se prodhon 450 mijë do të marrë edhe më shumë.  Ju përgëzoj dhe me vjen mirë që ke prapë sipërfaqe për të shtuar. Në Lushnje me ngritën çështjen e  10 përqindëshit të transaksionit të tokës,  do ta heqim për tokën bujqësore. Shiteni dhe blijeni me atë çmim që gjeni me njeri- tjetrin. Shumë shpejt toka bujqësore do të përjashtohet nga taksa 10 përqind, që e rëndonte dhe vështirësonte blerjen dhe shitjen e tokës.  Edhe njëherë dua t’ju them se për ne Shqipëri të zhvilluar, nuk ka dhe nuk mund të ketë pa Shqipëri rurale të zhvilluar, pa fshat  të zhvilluar.

   -I nderuar zoti Kryeministër, ju falenderoj për vizitën. Të falenderoj për qeverinë e re që krijove dhe që s’na erdhi Spartak Ngjela kryeministër.  Këtu u preken disa gjëra për rrugën për ullirin, por kemi dhe një gjë shumë të vogël, ne kemi pesë muaj pa ujë në fshatin tonë Trevllaz dhe së dyti duam subvencionim për fabrikat e ullirit, që ta nxjerrim vajin më të mirë dhe të mos e shesim vajin me 8 mijë lek, por me 3 mijë dhe të hamë të gjithë?

Kryeministri Berisha:  Të falenderoj shumë  dhe të siguroj siç janë porositur për rrugën e Oshtimës, do ti porosis përgjegjësit  përkatës për ujësjellësin dhe do bëjmë gjithçka për të garantuar furnizimin e mirë me ujë. Ju përgëzoj edhe për idenë, se duhet të jetë tregu që duhet të përcaktojë çmimin dhe e vërteta është se duke e mbajtur me një çmim më të lartë, shkohet drejt një zhvlerësimi më të madh. Ne ju garantojmë se do t’ju ndihmojmë për ruajtjen më të mirë.  Së fundmi , avokati u bë kryeministër, nuk është se nuk u bë kryeministër, por u bë kryeministër i piktorit të dështuar Edi Rama.

    -Përshëndetje  z. Kryeministër, ju uroj mirëseardhjen. Unë jam nga  Mallakastra dhe quhem Viktor Paja, prodhues i vajit të ullirit. Dua t’ju shtroj disa probleme që kemi ne si fabrika vaji. Problemi më emergjent që kemi ne është energjia elektrike, sepse siç dihet fabrikat janë të vendosura në zona rurale, ku edhe ndërprerja edhe tensioni është shumë problem. Një problem tjetër është edhe shitja e vajit të ullirit fermerëve dhe ne po bëjmë përpjekje për shitjen e vajit edhe në treva të tjera shqiptare si Kosovë, Maqedoni e  Mali i Zi. Një tjetër problem është edhe subvencionimi, i cili aktualisht është 100 lekë të vjetra për çdo litër vaj  “Extra Vergine”, dihet që afro 80 përqind e fabrikave të vajit të ullirit, përpunojnë vajin e ullirit për të tretët, për fermerët dhe duhet të ketë edhe një skemë për ndihmën e këtyre fabrikave?

Kryeministri Berisha: Unë të falenderoj. Diskutimi juaj përqendrohet në një nga hallkat më të rëndësishme, në një nga hallkat që nuk është zgjidhur. Me Ministrinë e Bujqësisë, neve jemi përpjekur të bëjmë  një lloj promovimi për vlerat e mëdha të ullirit. Por një promovim të fuqishëm duhet ta bëjmë sëbashku me ju pronarët e fabrikave.  Duhet ta bëjmë me reklama, duhet ta bëjmë me fletëpalosje, duhet ta bëjmë me panaire, duhet ta bëjmë me çdo lloj forme. Një gjë të siguroj, sepse unë ju ndjek . Tregu po zgjerohet me shpejtësi , së pari në Shqipëri, sepse ka qenë i kufizuar, por tani përdorimi i tij, dora dorës po zëvendëson yndyrat e tjera,  sepse është më shëndetshme dhe më vjen mirë që familjet në tërësi nëse më parë e përdornin për sallatë vajin, tani po e përdorin më gjërë. Por a është e nevojshme që të bëjmë një promovim më të gjërë në Kosovë, Maqedoni etj? Po është shumë e nevojshme , edhe në zonën verilindore duhet të bëjmë promovim më të madh, sepse duhet të zgjerojmë tregun. Ministria e Bujqësisë sëbashku me ju duhet të bëjë një promovim shumë më të madh të vlerave të ullirit dhe përdorimit të ullirit. Lidhur me energjinë. Unë jua thash se është projekti i dytë madhor, krahas ujitjes për katër vitet që vijnë. E shoh si një problem serioz dhe ju keni të drejtë. Janë 156 fabrika vaji ulliri dhe 98 përqind e tyre janë në zona rurale, çka përbën një problem serioz. Janë mbi 100 fabrika të përpunimit të qumështit ,të cilat dhe ato janë në zonat rurale, janë me qindra stalla moderne, të cilat funksionojnë me një mekanizëm modern të përkryer. Është bërë e domosdoshme ripërtëritja totale e rrjetit energjetik në Shqipërinë rurale. Shumë shpejt fillon unaza e jugut, e cila përmirëson në mënyrë thelbësore parametrat e furnizimit me energji në zonën e jugut dhe amortizon në një shkallë të madhe disbalancën e prodhimit të energjisë, se prodhohet në Drin. Ne përpjekjet do ti bëjmë shumë të  mëdha për t’ju furnizuar ju me energji të parametrave më të mira.

   -Zoti kryeministër ju uroj shëndet dhe jetë të gjatë. Jam Petraq Qarri nga fshati Aliban. Jam një fermer i ullirit. E mora me pasion të madh dhe vazhdoj ta ndjek këtë pasion kam mbjell rreth 16 dynym, të cilët i kam 5 –vjeçar. Kam bërë vaditjen e ullirit me pikatore. Kemi një kanal vaditës, toka është e drenazhuar, por po ia dhamë komunës kam frikë se do mbetet pa drenazhuar, le ti kalojë drejtorisë së ujërave ta drenazhojë?

Kryeministri Berisha: Ju siguroj që shqetësimin tuaj do ta shqyrtojmë shumë seriozisht. Do të bëjmë gjithçka për të mirëmbajtur rrjetin kullues, do të bëjmë ndarjen e detyrave.

  -Përshëndetje z. Kryeministër. Jam Sulo Peshtani nga fshati Bishan. Ne kemi një problem të vazhdueshme që nga bërja e reformave, menaxhimin e tokave. Fshati ynë Bishan dhe Aliban ka mbetur dhe nuk e di ku ka mbetur procedura?

Kryeministri Berisha: Këtu është Kryetari i Qarkut, Prefekti dhe unë ju kërkoj atyre që të shqyrtojnë problemin tuaj dhe të më bëjnë një informacion. Ndërkohë disa kompetenca që nuk kanë qenë shumë të qarta, gjatë dy viteve të fundit me një seri vendimesh ne jua kemi dhënë kryetarëve të komunave.  Më së fundi, në këtë linjë janë dy vendime të firmosur 2-3 javë më parë. Të garantoj se administrata do të angazhohet , nuk e njoh problemin por problem i zgjidhshëm.

   - Jam Fabrizio D’Amico vij nga Italia dhe përfaqësoj shoqëri të ndryshme italian, e të cilat veprojnë në sektorin e agrikulturës si dhe në sektorë të tjera. Ajo që qeveria dhe kryeministri kanë bërë deri më tani është e për tu lavdëruar, është  një punë e nderuar, sepse është arritur të ulen në maksimum burokracia dhe presioni fiskal që sot për fat të keq, te ne në Itali është mjaft e fortë, duke ju dhënë mundësinë juve të gjithëve të mund të shkëmbeni si produkte, ide ashtu edhe gjithçka që është e nevojshme për të prodhuar dhe shitur siç është edhe një produkt si ai  vajit të i ullirit, vera, gruri e produkte të tjera. Për këtë, sipas meje jeni njëri ndër vendet në Europë, ndoshta edhe vendi i vetëm, dhe  sipas meje në vitet e ardhshme do të ketë zhvillimin më të fortë në agrikulturë. Veç të tjerash, nëse ne e shohim Europën si vendet e vetme që mund të prodhojnë produkte biologjike prej tokës së shëndetshme, ende të pandotura, le të themi se ju keni mbetur të vetmit në Europë që e ofroni këtë. Ndaj sipas meje në vitet që do të vijnë, për shumë pak kohë, do të bëheni prodhuesit e parë në fushën e agrikulturës. Komplimente z. Kryeministër ?

Kryeministri Berisha:  Ju falenderoj shumë për ndërhyrjen tuaj, është e vërtetë për ne dhe për qeverinë time, zhvillimi i bujqësisë është një përparësi absolute. Ne besojmë se nuk mund të ketë një Shqipëri të zhvilluar pa një bujqësi rurale të zhvilluar. Jemi vend i vogël, por potencialet i kemi të mëdha. Tokë shumë pjellore, plot diell plot ujë. Ne jemi të vendosur ti mbështesim fermerët shqiptarë për të konkurruar në tregun Europian, që është edhe tregu më i madh ushqimor i botës.

Ju falenderoj shumë përzemërsisht për mendimet e çmuara që më dhatë. Ishte për mua një orë mësimi e mrekullueshme, për ullirin dhe problematikën e tij dhe ju garantoj se për qeverinë programi kombëtar i ullirit është një nga programet më kryesore në katër vitet që vijnë edhe në vazhdim.

Faleminderit.”


06/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›