Kryeministri Berisha prezanton para medias ndërkombëtare reformat e qeverisë dhe progresin e arritur

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet për një vizitë në Bruksel, zhvilloi dje intervista me përfaqësuesit e mediave të rëndësishme ndërkombëtare, të pranishëm gjatë kësaj vizite. Kështu, Kryeministri Berisha u intervistua nga Associated Press, Reuters, AFP dhe Bloomberg TV.
Gjatë intervistave, gazetarët shprehën interesimin e tyre për zhvillimet në Shqipëri dhe rajon, duke u ndalur veçanërisht në ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, me qëllim integrimin në NATO dhe BE.
Kryeministri Berisha i njohu gazetarët me progresin e ekonomisë shqiptare që njeh një rritje prej 6 për qind, mbi një bazë fiskale nga më të ulëtat në Europë dhe vendosjen e taksës së sheshtë 10 për qind. Gjithashtu qeveria shqiptare, theksoi Kryeministri, po punon për të krijuar një klimë sa më të favorshme për investitorët e huaj dhe vendas.
Duke u ndalur gjerësisht edhe në luftën kundër krimit të organizuar në vend, Kryeministri theksoi se kjo luftë e pandërprerë dhe që nuk do të njohë hapa mbrapa, e ka bërë Shqipërinë një nga vendet me indeksin nga më të ulëtit në Europë për krimet.
Kryeministri Berisha, gjatë intervistave me gazetarët, u ndal në zgjidhjen e statusit të Kosovës, duke u shprehur se ajo është thelbësore për stabilitetin në rajon dhe se ai i bën apel shqiptarëve të Kosovës për qetësi dhe për të mos rënë pre e provokimeve, të bëjnë kujdes dhe të mos kapen nga triumfalizmi, sepse është mjaft e rëndësishme, vijoi zoti Berisha, që Kosova të mbetet një realitet i një shoqërie multietnike.
Gazetarët shfaqën interes edhe për klimën e re politike që është krijuar në Shqipëri, si dhe për vlerësimin pozitiv që ju bë këtij aspekti në takimin me ambasadorët e NATO-s.
Kryeministri u shpreh se ky partneritet i ri, në shërbim të integrimit në NATO dhe në të mirë të zhvillimit të vendit, ka sjellë një panoramë të re të kulturës politike në vend dhe është shenjë e një mentaliteti të ri politik në vend mes forcave politike.