Fjala e Kryeministrit Berisha në Konventën e Partisë Demokratike për Shqipërinë e Zhvilluar

- 4 vitet që vijnë do të krijojmë në mbarë vendin 250 mijë vende të reja pune;
- 4 vitet që vijnë ky vend do të tërheqë 6 miliardë dollarë investime të huaja;
- 4 vitet që vijnë do të trefishohen grantet dhe mbështetja për fermerët shqiptarë;
- 4 vitet që vijnë numri i turistëve në Shqipëri do të arrijë në 7 milionë;
- 4 vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për të zbarkuar në Shqipëri gjigandët e High Tech-ut dhe industrisë së makinave, me regjim fiskal pesë vjet pa asnjë taksë, pa asnjë detyrim tatimor.
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta!
Sonte uragani i fitores së 23 qershorit ndodhet në këtë sallë.
Le të përshëndesim ne qindra e mijëra qytetarë të Tiranës, Durrësit, Fierit, Vlorës, Korçës, Elbasanit, Lezhës, Kukësit, Peshkopisë dhe të mbarë Shqipërisë, të cilët shndërruan fushatën tonë elektorale, fushatën më të bukur në historinë e zgjedhjeve, fushatën e fitores së shkëlqyer më 23 qershor. Entuziazmi dhe optimizmi i qytetarëve shqiptarë, pjesëmarrja e tyre masive në këtë fushatë buron nga thellësitë e zemrës dhe shpirtit të tyre për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë evropiane, për projektin e ëndrrave më të bukura të tyre, fëmijëve të tyre dhe shqiptarëve kudo që janë.
Shqiptarët në Shqipëri, në të katër anët e vendit e prekin, e ndjejnë, e perceptojnë dhe janë të sigurt se po ecim drejt Shqipërisë së zhvilluar, në mandatin e ri Shqipërisë evropiane.
Vëllezër e motra,
zonja dhe zotërinj,
ata lënë çdo gjë dhe mbushin sheshet tona, sepse kanë besimin më të madh se në katër vitet e ardhshme do të kapim tërësisht horizontin e Shqipërisë së zhvilluar, Shqipërisë evropiane.
Sot qytetarët shqiptarë, të cilët nisën rrugën e lirisë nga nivelet më të mjera ekonomike në botë, me varfërinë më ekstreme dhe mjerimin më të lartë, ndjehen krenarë, sepse në këto vite duke u bazuar në liritë e tyre dhe mbështetjen e fuqishme të miqve nga e mbarë bota e rritën vendin e tyre, rritën ekonominë e tyre, e zmadhuan Shqipërinë e vogël jo 1,2,5,por 11 herë, sa asnjë vend tjetër në Evropë apo në botë.
Shqipëria e zhvilluar, marshi i saj drejt niveleve të zhvillimit, është para së gjithash vepër e të rinjve shqiptarë, e vajzave dhe djemve mendje hapur, entuziastë, atdhetarë. Gjatë këtyre viteve, ata me energjinë dhe entuziazmin e tyre i dhanë Shqipërinë ecjen, vrapin që askush nuk mund ta imagjinonte.
Shqipëria e zhvilluar është vepër e vajzave dhe grave, e nënave shqiptare, të cilat çdo vit japin një kontribut gjithnjë e më të madh në zhvillimin e vendit. Roli i tyre bëhet gjithnjë e më jetik. Kombi po ecën drejt simetrisë, po ecën drejt zhvillimit.
Shqipëria e zhvilluar është vepër e qindra dhe mijëra shqiptarëve që me guxim çelën dhe lulëzuan bizneset e tyre, punësuan qindra e mijëra shqiptarë, rritën prodhimin nga viti në vit.
Shqipëria e zhvilluar është vepër e qindra dhe mijëra fermerëve shqiptarë që nga balta e kësaj toke nxjerrin me të mirat materiale për veten, për familjen, për shoqërinë.
Shqipëria e zhvilluar është vepër e burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që e duan me gjithë shpirt atë, që çdo ditë i thonë asaj – Mirëmëngjes, që çdo ditë vendosin të bëjnë diçka të re.
Shqipëria e zhvilluar është vepër e reformave të thella që ju mbështetët, është vepër e sistemit arsimor, e shkollimit të fëmijëve tanë. Vetëm një Shqipëri e dijes, Shqipëri e arsimit, Shqipëri e kulturës do të kapë nivelet më të larta të zhvillimit. Shqiptarët sot kanë katërfishuar numrin e studentëve dhe diplomantëve. Dhjetëra e mijëra shqiptarë diplomohen sot në universitetet e Evropës dhe të botës. Arsimi, dija është pasioni i madh i rinisë së lirë shqiptare. Ndaj ne qëndrojmë të vendosur të bëjmë gjithçka për një shkollim më të mirë, më cilësor të shqiptarëve në të gjitha nivelet. Gara e dijes është gara e të gjitha garave. Shqiptarët do ta fitojnë!
Vëllezër e motra,
zonja dhe zotërinj,
zhvillimi i Shqipërisë është rezultati i infrastrukturës moderne. Shqipëria me infrastrukturë moderne do të bëjë të mundur shfrytëzimin e pasurive të saj përrallore në çdo fshat, në çdo komunë, në çdo mal, në çdo qytet, në çdo luginë, në çdo lumë, në çdo burim dhe kudo.
Qytetarë dhe qytetare shqiptarë,
Ne vetëm pak vite më parë ishim vendi që na mungonin dritat, na mungonte uji, na rrënoheshin shkollat, na rrënoheshin rrugët, na rrënoheshin spitalet. Dhe kjo, jo se Shqipëria ishte e varfër, por sepse ajo dergjej në kthetrat e shokëve socialistë. Vetëm në pak vite, ne e shndërruam energjinë në shtyllë kryesore të politikës sonë. Vetëm në pak vite, në ndërtuam në Shqipëri qindra ujësjellës dhe impiante të tjera ujore. Vetëm në pak vite, ne ndërtuam dhe rindërtuam në Shqipëri mbi 1300 shkolla dhe do të ndërtojmë çdo shkollë. Vetëm në pak vite, ne ndërtuam në këtë vend, në këtë tokë, mbi 11 mijë kilometër rrugë, në të katër anët e Shqipërisë.
Ty shok në autobus dua të të them dy fjalë. Në Shkodër u the shkodranëve se janë ndërtuar gjithsej 600 kilometra rrugë, por kur Shkodra të qeshi, u tall me ty edhe tu përgjigj se nga ura e Drinit në Fierzë deri në Velipojë, nga Vermoshi deri në Pukë, vetëm në këtë qark janë ndërtuar mbi 900 kilometër rrugë, ti nga autobusi yt shpike shifrën tjetër 1500 kilometër rrugë. Mjeran! I shkretë, i padijshëm nga punët shtetërore. Ke qenë kryetar bashkie, o piktor i dështuar. E ke lënë qytetin tonë me 250 kilometra rrugë e rrugica të paasfaltuara. Mësoje këtu, njeri i shkretë, i varfër, i mjerë në ide, se çdo rrugë ndërtohet me një projekt, se çdo rrugë ndërtohet mbi një preventiv, se çdo preventiv zbatohet me një financim dhe se vetëm Fondi Shqiptar i Zhvillimit, o shoku i autobusit, me 320 milionë dollarë ka ndërtuar 1520 kilometra rrugë. Mësoje, o piktor i dështuar, se Fondi Shqiptar i Rajoneve dhe grantet konkurruese gjatë viteve të qeverisë sonë kanë marrë për rrugë, shkolla dhe ujësjellës, jo 320 milionë dollarë, por 1 miliardë e 50 milionë dollarë. Edhe ti je nga ana që nuk ke marrë pak, por i bërë rroga edhe rrush e kumbulla me Koçon dhe e le Tiranën pa rrugë. Mësoje se financat janë financa dhe se shifrat e tyre janë të qarta e të sakta si rrezja e diellit, se ato nuk lëvizin me çantat e Koços apo valixhet e Fidelit, por lëvizin nga thesari me bankën e shtetit. Mësoje se Shqipëria ka një Drejtori të Përgjithshme të Rrugëve, ka një ministri të Punëve Publike, e cila në këto vite ka investuar në rrugë 10 herë më shumë se Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Duke parë se je realisht i sëmurë nga rrugët, unë jam mjek dhe e kam të thjeshtë ta kuptoj se të ka zënë dromofobia. Dromos në greqisht do të thotë rrugë. Mendova të të ftoj 2-3 herë të inaugurojmë së bashku, por përsëri druaj se kjo kurë nuk të nxjerr nga sindromi ku ti ke rënë. Të përgëzoj, ke gjetur vetë ilaçin, rri në autobus. Ti në autobus, unë do të shtroj rrugët. Ti në autobus, ne do të shtrojmë rrugët. Ti në autobus, ne do të ndërtojmë dhe do të shtrojmë çdo kilometër rrugë të këtij vendi.
Qytetare dhe qytetarë shqiptarë,
rruga për Shqipërinë e zhvilluar nuk është një bulevard me lule. Rruga për Shqipërinë e zhvilluar është një rrugë më vështirësi, me ngjitje, por në këtë rrugë ne kemi kapur stacionet më kapitale, stacionet më kryesore. Stacionet kryesore të zhvillimit janë stacionet e qytetarit, të foshnjave shqiptare, të nënave shqiptare, të jetës së shqiptarëve.
Sot këto zonja, këto nëna, këto motra janë krenare, sepse gruaja shqiptare në lindje ka ndër vdekshmëritë më të ulëta në Evropë dhe në botë. Ky është zhvillim dhe është zhvillim historik. Unë e di se ekipi i autobusit do të më qeshë. Do thonë, sërish ky na e krahasoi Shqipërinë me Evropën dhe botën. Por po ua them se në Evropë dhe në botë më e çmuara për mua është nëna shqiptare, jeta e saj, vitet e saj, shëndeti i saj. Nuk kam kënaqësi më të madhe se kur shoh këtë rezultat. Ne kemi kapur vendet e zhvilluara edhe nga një tregues tjetër, në një stacion më kryesor të zhvillimit, vdekshmërinë foshnjore.
Në qoftë se vite më parë foshnjat shqiptare kishin fatin e foshnjave të vendeve më të prapambetura të Afrikës, sot ato lindin dhe jetojnë siç lindin edhe jetojnë foshnjat e vendeve të zhvilluara të botës. Pak vite më parë shqiptarët në tërësi kishin një nga vdekshmëritë e larta midis kombeve të tjera, por sot shqiptarët për vdekshmërinë e përgjithshme lenë mbrapa jo 1, por 10 vende të zhvilluara të Bashkimit Evropian dhe OECD-së. Shqiptarët vite më parë kishin jetëgjatësi ndër të shkurtrat dhe të pashpresë, sot ata jetëgjatësinë në lindje e kanë më të gjatë se 9 vende anëtare të Bashkimit Evropian.
Vetëm 10 vite më parë, qytetarët shqiptarë kishin banesa për 1000 banorë më pak se çdo komb tjetër në Evropë në vitin 1980. Sot ata, me lumenjtë e djersës së tyre, duke shfrytëzuar pasuritë e lirisë, lenë mbrapa në banesa për 1000 banorë jo 1, po 4 kombe të zhvilluara të Evropës.
Rruga e zhvillimit është sërish një rrugë me vështirësi, por për shqiptarët është një rrugë me shpresë të madhe. Puna juaj, mbështetja juaj dhe reformat tona provuan se ekonomia shqiptare i rezistoi krizës, vazhdoi të rritej. Rritja jonë ekonomike është rritje e qëndrueshme, rritje që do të kalojë nga brezi në brez. Shqipëria po ecën e sigurt drejt zhvillimit, sepse pasuritë e saj përrallore po kthehen në të mira material për qytetarët e saj.
Shqipëria vetëm dy javë më parë u rreshtua në 10 vendet me rritjen më të shpejtë të turizmit në botë. Shqipëria sot ka një garë të jashtëzakonshme në energjinë e rinovueshme. Në të katër anët e saj po ndërtohen dhe do të ndërtohen qindra hidrocentrale, çka e bën rritjen tonë ekonomike ndër rritjet më jeshile të rajonit dhe më gjerë.
Shqipëria është në rrugën e zhvillimit të saj të shpejtë, sepse reformat e reja fiskale dhe të gjithanshme do ta bëjnë Shqipërinë vendin më tërheqës për investitorët e huaj në rajon edhe më gjerë.
Vëllezër dhe motra,
zonja dhe zotërinj,
promotori i zhvillimit dhe zhvillimi në vetvete qëndron në energjinë e shqiptarëve, në gjeninë e tyre krijuese, në forcën e tyre për të ndërtuar një jetë më të mirë.
Ne jemi këtu për të garantuar shqiptarët se 4 vitet që vijnë do të krijojmë në mbarë vendin 250 mijë vende të reja pune; se 4 vitet që vijnë ky vend do të tërheqë 6 miliardë dollarë investime të huaja; se 4 vitet që vijnë do të trefishohen grantet dhe mbështetja për fermerët shqiptarë; se 4 vitet që vijnë do të arrijë në 7 milionë numri i turistëve në Shqipëri; se 4 vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për të zbarkuar në Shqipëri gjigandët e High Tech-ut dhe industrisë së makinave, me regjim fiskal pesë vjet pa asnjë taksë, pa asnjë detyrim tatimor.
Por vitet që vijnë janë vitet vendimtare për projektin tonë të integrimit evropian, që përbën dhe kolonën kryesore të Shqipërisë së zhvilluar.
Qytetare dhe qytetarë shqiptarë,
Sëbashku në këto vite kemi vendosur firmat tona mbi integrimin e Shqipërisë. Ne sëbashku firmosëm ditën e Lidhjes së Prizrenit kontratën e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Ne sëbashku firmosëm në Bukuresht ftesën për anëtarësim në NATO. Ne sëbashku firmosëm në Strasburg anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ne sëbashku firmosëm në Bruksel heqjen e vizave. Ne sëbashku merituam rekomandimin për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Ne sëbashku do të marrim statusin, do të hapim negociatat, do të ecim krenarë, dinjitozë, të vendosur drejt Evropës, drejt Bashkimit Evropian.
Përpara për zhvillimin!
Përpara për punësimin!
Përpara për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian!
Fitore! Fitore! Fitore!”
25/05/2013