E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha prezanton kandidatët e rrethit të Librazhdit

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më vëllazërore, më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë ndaj jush, për mbështetjen e madhe që i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike. Shpreh kënaqësinë dhe nderimin që jam sot para jush, për të paraqitur tek ju deputetët tuaj në parlamentin e ardhshëm shqiptar dhe ju jap fjalën, zotohem para jush se ata do të jenë deputetë të qytetarëve të Librazhdit, të interesave tuaja, të projekteve tuaja, të problemeve, halleve, derteve të secilit prej jush.

Ne vijmë në Librazhd me vendosmërinë më të madhe për të ecur përpara në rrugën e zhvillimit të Librazhdit. Gjatë këtyre viteve, ju jeni dëshmitarë se në këto pak vite ne kemi investuar në shumë e shumë kilometra rrugë në të katër anët e rrethit. Ne jemi të vendosur të ndërtojmë katër vitet që vijnë çdo kilometër rrugë në çdo fshat të këtij rrethi të mrekullueshëm. Gjatë këtyre viteve, ne kemi investuar  në një seri shkollash, kemi ndërtuar e rindërtuar mbi 20 shkolla dhe do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë. Ne kemi ndërtuar e rindërtuar qendra shëndetësore, ujësjellës e kanalizime. Numri i bizneseve në Librazhd është dyfishuar, nga 700 biznese më parë, sot çdo qytetar mund të konstatojë në zyrën tatimeve se Librazhdi ka 1400 taksapagues biznesmenë.

Katër vitet që vijnë janë vitet e infrastrukturës më moderne, e ujësjellësit të ri të Librazhdit e zonave përreth, nga malet e Shebenikut. Së shpejti inaugurojmë punimet në të gjithë gjatësinë e rrugës Qukës-Qafë Plloçë. Rruga që çon drejt parkut mahnitës kombëtar Shebenik-Jabllanicë është në asfaltim e sipër. Ne do të bëjmë gjithçka që pasuritë natyrore të këtij rrethi t’i shndërrojmë në të mira materiale për qytetarët e Librazhdit. Në këtë rreth të pasur me ujëra, në rrjedhat lumenjve e burimeve të tij janë të kontraktuara me koncesion rreth 53 hidrocentrale, me një fuqi të instaluar prej rreth 200 megavat, me një investim prej 250 milionë euro. Vetëm këto hidrocentrale do të punësojnë së paku 4 mijë punëtorë nga Librazhdi.

Gjatë këtyre viteve, ne kemi subvencionuar fermerët e Librazhdit dhe janë mbjellë mbi 80 hektarë dru frutorë. Librazhdi ka kushtet për t’u shndërruar në një nga zonat më të fuqishme të prodhimit të lajthive, arrave dhe drurëve të tjerë frutorë.

Vëllezër e motra,

Këto janë përpjekjet tona. Përsëri rrugën nuk e kemi bulevard. Sërish shumë punë kemi për të bërë, por një gjë është e pamohueshme: nga ato që kemi shpallur, ne kemi arritur jo pak. Ne ju deklaruam qytetarëve të Librazhdit, të Stërblevës, të Mokrës e mbarë Shqipërisë se aty ku jeni ju, ne do t’u ndërtojmë infrastrukturën moderne si në qytetet tona, do ju ndërtojmë rrugë, shkolla për fëmijët tuaj, qendra shëndetësore, sisteme vaditjeje, ujësjellës e kanalizime dhe në këtë rrugë, ne kemi bërë jo pak. Por ende kemi shumë për të bërë, kemi për të ndërtuar rrugën Qukës-Qafë Plloçë, të Orenjës, Stravajt, Lunikut, t’i lidhim me akset kombëtare. Sot, shkolla, rruga dhe energjia elektrike janë kushtet më themelore për biznes, për zhvillim. Aty ku shkon rruga, shkon biznesi, vlerësohet toka, rritet prodhimi.

Cila është alternativa tjetër? Ju e dëgjuat vetë zotin Rama, kur në një bisedë me qytetarët e Tiranës do t’u thoshte atyre, tek më adresohej mua, se po t’i kërkosh punë të thotë rrugë, po t’i kërkosh shkollë të thotë rrugë, po t’i kërkosh ujësjellës të thotë rrugë. I nderuar zotëri, i ke nervat e lodhura. Dhe i ke të lodhura shumë nga rrugët që t’i ecën. Por, meqenëse e shtrove këtë problem dhe në këtë mënyrë, po të përgjigjem këtu, para këtyre qytetareve: puna dhe punësimi janë qëllimet e mia më madhore dhe fakti që në këtë rreth, bizneset janë rritur nga 700 në 1420 dëshmon se ne kemi nxitur, inkurajuar biznesin dhe zhvillimin e tij. Para se të flasësh në atë mënyrë, të ftoj zoti Rama, të ngjitesh me atë autobusin tënd mavi deri në Çermenikë. Atje sipër, zoti Rama, do të gjesh një lokal të madh, - ndonëse tanë mund të jenë disa - ku qytetarët e Librazhdit festojnë dhe bëjnë dasma si vend panoramik që është. Pronari i tij do të thotë: unë e bëra investimin, se këtu erdhi rruga. Pronari i hidrocentralit në lumin Luma, por edhe  të Beles, Orgjostit, do të thotë se i ndërtuan hidrocentralet, se ne bëmë rrugën. Rruga është shpresa e qytetarëve tanë. Rruga është kushti për të mos përjashtuar rajone të tëra të vendit tënd dhe ne do të ndërtojmë çdo kilometër rrugë. Por, meqenëse u shpreh se po të kërkojë shkolla, i përmend rrugën, qytetarë të Librazhdit, ne kemi ndërtuar e rindërtuar 1300 shkolla në mbarë Shqipërinë dhe do të rindërtojmë çdo shkollë anekënd këtij vendi.

Fermerë të Librazhdit, ju premtoj se gjatë katër viteve që vijnë do të trefishojmë grantet për fermat e tuaja dhe ju bëj thirrje të mbjellin sa më shumë dru frutorë. Potencialet tona për Librazhdin një kopsht gjigand, për Shqipërinë një kopsht gjigand janë të jashtëzakonshme. Ne do t’ju mbështesim në të gjithë përpjekjen tuja fisnike, të ndershme, për të rritur të ardhurat për familjet tuaja. Ne do të mbështesin çdo ferme, blegtor, bletar e punonjës të këtij vendi për një jetë më ët mirë.

Këto vite, në përputhje me premtimet tona, ne kemi mbidyfishuar pensionet në mbarë fshatrat shqiptare, kemi rritur me 120-140 përqind rrogat e mësuesve, infermierëve dhe mjekëve. Zotimi ynë para jush është se do të vazhdojmë të rrisim rrogat, të rrisim pensionet, në mënyrë të pandërprerë dhe rritja do të bëhet edhe këtë vit, sipas parashikimit tonë.

Në këto vite, ne nuk kemi arritur gjithçka kemi dashur. Kemi pasur dobësi, të metra, kemi bërë gabime, por, në qoftë se na gjykoni nga gjërat kryesore, ne kemi qëndruar me seriozitetin më të madh për to. Ne erdhëm me moton: të integrojmë Shqipërinë, e cila për tetë vite kishte mbetur vend numëro. Në 2006, me punën tuaj, seriozitetin tuaj dhe reformat që ndërmorëm, firmosëm me Europën kontratën më të madhe në historinë tonë kombëtare, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Çfarë bëri shoku i autobusit? Shoku i autobusit futi në parlament bilbilat, boritë, trumbetat ,për t’u thënë europianëve se parlamenti i shqiptarëve është një vath bagëtish dhe jo deputetësh të qytetëruar. 

Ne morëm ftesën dhe u anëtarësuam në NATO. Zotëria organizoi mitingje proteste. Këtë mandat, ne shpallëm që do marrim vizat dhe ai bëri gjithçka për të na penguar, por ne i morëm ato. Tani që kemi deklaruar se do të bëjmë gjithçka për liberalizmin e vizave me Shtetet e Bashkuara, dje deklaroi se të gjithë do të shkojnë në Amerikë. Jo zotëri, do të shkojnë për vizitë, do ta bëjmë Shqipërinë Amerikë!

Sot, edhe një herë thirrja ime është të bashkohemi për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë europiane, të bashkohemi për punësimin, për mirëqenie, për integrim. Alternativa tjetër e shpalli Shqipërinë karrocë e invalidit. Nderimin e respektin më të madh për invalidët tanë, përpjekja jonë e madhe për integrimin e tyre, por Shqipëria sot është anëtare e NATO, ajo meriton statusin e vendit kandidat, do ta marrë statusin dhe do të ecë e sigurt drejt Bashkimit Europian. Ti rri në autobus me xhama të zi. Ne do të ecim përpara për punësimin më të madh, përpara drejt mirëqenies, përpara drejt Europës. Të bashkohemi pavarësisht nga bindjet, për një Shqipëri të zhvilluar, për një Librazhd të  zhvilluar, për një Shqipëri europiane, për një Librazhd europian. Rrofshi ju! Rroftë Shqipëria!


22/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›