E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron Gjimnazin e ri “Said Najdeni” të qytetit të Peshkopisë, me vlerë 160 milionë lekë

Kryeministri Berisha ishte sot mes nxënësve të Gjimnazit “Said Najdeni” të qytetit të Peshkopisë, për të inauguruar sëbashku mjediset e reja dhe moderne, të cilat të pajisura me mjetet më bashkëkohore të mësimdhënies e rendisin këtë godinë, ndër më cilësoret në rrjetin e institucioneve arsimore të vendit.

Gjimnazi i ri “Said Najdeni”, në Peshkopi, është një investim me vlerë 160 milionë lekë dhe në të mësojnë 1225 nxënës, prej të cilëve 364 janë maturantë. Shkolla, e cila plotëson nevojat e Peshkopisë dhe të zonave përreth  ka 27 klasa mësimore, 2 kabinete informatike dhe 3 laboratorë: fizikë, kimi, biologji, si edhe ambientet sportive dhe palestër. Gjimnazi ka një traditë shumë të mirë përsa i përket nivelit të nxënësve që përfundojnë studimet aty. Kështu, vitin e fundit është 5-fishuar numri i maturantëve të këtij gjimnazi që ndjekin studimet e larta krahasuar me vitin 2005, ndërsa në vitin 2010 nxënësja e kësaj shkolle Elona Hasa fitoi olimpiadën e biologjisë në shkallë kombëtare dhe përfaqësoi vendin tonë në olimpiadën ballkanike.

“Ne besojmë se Shqipëria dhe shqiptarët, do të kenë të ardhmen që meritojnë, vetëm si shoqëri e dijes, si Shqipërisë  e dijes, si Shqipëri e edukimit, si Shqipëri e shkollimit,” u shpreh kryeministri për nxënësit, mësuesit e prindërit e pranishëm në këtë ceremoni, duke theksuar se arsimi përbën një nga përparësitë absolute, më madhore të programit të qeverisë së Partisë Demokratike.

Duke i përgëzuar gjimnazistët për rezultate e larta me të cilën ata përfaqësojnë shkollën e tyre, kryeministri premtoi se “4 vitet që vijnë do të jenë vitet e përpjekjes së madhe , drejt niveleve më të larta të cilësisë, do të jenë vitet e përdorimit të shkallës më të lartë të teknologjisë së informacion si dhe mjeteve më moderne të mësimdhënies.”

Në përshëndetjen e mbajtur, kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur nxënës e nxënës, mësues e mësues, drejtues të shkollës së mesme të qytetit të  Peshkopisë, gjimnazit Seit Naideni.

Duke ju përshëndetur zot përzemërsisht të gjithëve ju këtu, duke ju përshëndetur kandidatët për deputet të Partisë Demokratike për qarkun e Dibrës, duke përshëndetur kryetarin e bashkisë së Peshkopisë dhe kryetarin e bashkisë së Dibrës së madhe, ju zotërinj qeveritarë vendorë, shpreh kënaqësinë time që ndaj me ju gëzimin e inaugurimit të këtij gjimnazi vërtet madhështor, një nga ndërtesat më të bukura të vendit, të pajisura me të gjitha laboratorët madhështore. Ky gjimnaz ëhstë një investim prej 160 milion lekë dhe plotëson nevojat e qytetit të Peshkopisë dhe të zonave përreth. Gjimnazi ka një traditë të shkëlqyer, ku 80 % e maturantëve të tij ka ndjekur universitetet dhe janë studentë me rezultate të larta kudo që janë.

Zonja dhe zotërinj,.

Për qeverinë që unë kryesoj dhe për Partinë Demokratike, arsimi përbën një nga përparësitë absolute më madhore të programit të saj. Ne besojmë se Shqipëria, se shqiptarët do të kenë të ardhmen që meritojnë vetëm si shoqëri e dijes, si Shqipërisë  e dijes, si Shqipëri e edukimit, si Shqipëri e shkollimit.

Nda dhe ne kemi bërë përpjekjet më të mëdha  që të ndërtojmë një infrastrukturë moderne në këto vite. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar 1300 shkolla, 120 objekte të tjera arsimore janë në ndërtim e sipër. Ne gjatë viteve që vijnë do të bëjmë gjithçka që nxënësit shqiptarë kudo që ndodhen, të ulen në banka, të mësojnë në shkolla të njëjta me ato të qyteteve tona, të njëjta me ato të standardeve evropiane.

Të dashur mësues dhe mësuese,

Të gjithë përpjekjen tonë për arsimin ne  e bazojmë më se pari tek ju, tek aftësitë tuaja, tek përkushtimi juaj, por gjithnjë duke ju dhënë ju mbështetjen më të madhe, ndaj dhe në këto pak vite ne përcaktuam si objektiv madhor, rritjen e rrogave në arsim më shumë se në çdo sektor tjetër dhe këtë e realizojmë, por kjo rritje e cila sot shkon sipas kategorisë, nga 120 në 140 %, nuk do të ketë të ndalur.4 vitet që vijnë rrogat tuaja do të kapin 700 dollarë. Në Peshkopi janë bërë investime të mëdha në fushën e  arsimit, është ngritur universiteti, janë ndërtuar dhe rindërtuar qindra shkolla në të katër anët.

Arsimi, edukimi do të jetë shtylla jonë kryesore, do të jetë përparësia më madhore për 4 vitet që vijnë. Kjo është alternativa e kësaj qeverie. Alternativa tjetër është e provuar. Zotëria që i quan nxënësit dele dhe mësuesit më të padijshëm se ata të 100 viteve më parë, ju thoshte dy ditë më parë qytetarëve të Tiranës se “nuk ndërtova shkolla se nuk kisha para”. Një mashtrim i mirëfilltë, 21 milion euro, 2,5 miliard lekë ka patur të garantuar kredi nga qeveria për të ndërtuar shkolla. Me gjysmën e këtyre parave, bashkia e Kamzës ndërtoi 13 shkolla, bashkia  Tiranës ndërtoi gjithsej 7 shkolla, sepse shkollat kërkonin troje, por trojet i merrnin për pallatet e miqve të klientelës.

Ndaj dhe i kërkoj zotërisë të heqë dorë nga trysnitë mbi arsimin, nga ofendimet kolektive. Ato nuk i bëjnë nder një njeriu të qytetëruar. Edhe njëherë, një ditë i shpall të padijshëm, ditën tjetër u thotë mësuesve se do të shihni hekurat. Dje, i shkatërruar nervash, ka marrë ne telefon drejtoreshën e njërës prej gjimnazeve të më kryesore duke  e kërcënuar pse ti u thua këtë apo atë nxënësve.

Mësues dhe mësuese , kudo që jeni, të çdo bindje që jeni, jeni të lirë të propagandoni, të mbroni, të promovoni pikëpamjet që besoni, të mbështesni partinë që besoni.

Ju nuk jeni qenie laboratorike, ju jeni qenie shoqërore, politike, jeni misionarë të mëdhenj dhe nuk mund të ketë asnjëri që tu kufizoj, ndaj dhe i kërkoj këtu, që zonjës që e kërcënoi dje në telefon, ta marrë dhe ti kërkojë të falur dhe të heqë dorë nga kërcënime të tilla. Disfata  e pret, por ti je mësuar me disfate se ato meriton. Ndaj dhe lëri mënjanë sharjet dhe trego respekt për shkollën dhe për arsimin. Është e vërtet që ka të meta, është e vërtetë që ka dobësi, por asnjë prej tyre nuk mund të zgjidhen as me të shara, as me mallkime, ato mund të zgjidhen me mbështetje, ato zgjedhjen me përkushtim, ato zgjidhen mbi të gjitha me motivim.

Ai, kalon nga salla në sallë, me lajmin se 54 % e nxënësve në Shqipëri qenkan analfabetë. Se si ta nxë goja një gjë të tillë, nuk e di, por është në nderin e këtyre mësuesve që studimin më serioz që bëhet në botë, studimi i PIZA-s rreshton Shqipërinë të parën, për sa i përket ngrohtësisë dhe marrëdhënieve njerëzore nxënës-mësues. Perse zotëri ti  rrëmon nga mëngjesi deri në darkë për të sharë dhe mallkuar vendin tënd, pse nuk lavdëron mësuesit shqiptarë, të cilët rreshtohen, marrin medalje të artë për marrëdhëniet e tyre njerëzore.

Nxënësit shqiptarë renditen më lart se nxënësit e disa vendeve më të zhvilluara për leximin e librave jashtëshkollorë. Natyrisht, nxënësit shqiptarë kanë shumë punë për të bërë për tu renditur gjithnjë e më lart, por arritjet e tyre nuk mund të mohoen, nuk mund të shkelmohen, sepse kjo meritë është para së gjithash meritë e trupës, meritë e misionarëve të arsimit në Shqipëri.

Edhe njëherë ju përgëzoj dhe ju garantoj se 4 vitet që vijnë do të jenë vitet e përpjekjes sonë të madhe, drejt niveleve më të larta të cilësisë, do të jenë vitet e përdorimit të shkallës më të lartë të teknologjisë së informacion si dhe mjeteve më moderne të mësimdhënies.

Gëzuar dhe njëherë këtë gjimnaz të mrekullueshëm, urime!


24/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›