E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron fillimin e punimeve në rrugën e fshatit Trenë, në Dibër

Kryeministri Berisha përuroi sot fillimin e punimeve në rrugën e fshatit Trenë, komuna Melan, në Dibër. Rruga, me gjatësi 1.5 kilometër dhe një investim me vlerë  21.4 milion lekë, bashkëfinancim i Agjencisë së Zhvillimit të Zonave Malore (MADA)  dhe të komunës në masën 5 – 10 përqind, lidh fshatrat Trenë dhe Melan edhe u vjen në ndihmë 470 banorëve të këtij fshati.

Investimet e Agjencisë së Zhvillimit të Zonave Malore (MADA) në Dibër janë: kanalet vaditës Guri Bardhe – Shkalle  dhe te fshatit Katund; asfaltimi i rrugën Cerruje- Kukalin – Plezhe; rehabilitimi i rrugëve në fshatrat Bala dhe Radovesh, si dhe lidhja e kontratës për të filluar rrugët e fshatrave Mali, Lezajve, Muzhak e Fankth.

Në këto 8 vite në qarkun e Dibrës janë ndërtuar mbi 500 kilometër rrugë nga të cilat 185 kilometër rrugë kombëtare, 115 kilometër rrugë rajonale dhe 200 kilometër rrugë lokale; janë ndërtuar 80 sisteme ujësjellës e kanalizime; 92 shkolla e kopshte nga të cilat 30 janë krejtësisht të reja, investim mbi 1 miliardë lekë; në shëndetësi janë ndërtuar 80 objekte nga të cilat 44 objekte të reja, si dhe pavijonet e spitalit rajonal dhe janë proces investimi 970 mijë euro për rikonstruksionin, modernizimin e sektorit si dhe telemjekësinë. Në fushën e bujqësisë janë subvencionuar 2400 hektarë dru frutorë, duke çuar në 24 mijë ton prodhimin e tyre, si dhe në 26 200  numrin e  fermerëve. Pemëtarisë i janë shtuar dhe 300 hektarë me arrorë dhe 25 hektarë me bimë mjekësore. Në këtë zonë janë shtuar 300 ferma të reja dhe 220 firma agro-përpunuese që punësojnë mbi 2 000 persona. Rreth 1.4 miliardë lekë janë investuar në sistemin e vaditjes, mbrojtje, kullimit si dhe ndërtimin e 5 tregjeve agro-industriale. Në energjetikë janë kontraktuar dhe po ndërtohen 80 HEC-e lokale me fuqi 290 MGW dhe prodhim e energjie 1400 GWh me perspektive punësimi mbi 5000 punonjës. Numri i të punësuarve në 8 vjet ka arritur në 9000 persona, në 4 vitet që vijnë do të shkojë deri në 18 mijë persona. Numri i bizneseve është rritur me 1210 biznese, duke arritur në 3140 biznese nga 1930 në vitin 2005.  Rruga e Arbrit, rruga Kukës – Peshkopi, rruga Dibër – Librazhd, rruga Rrëshen Urakë dhe rruga Milot – Bulqizë po e shndërrojnë Dibrën në qendër rajonale. Për herë të parë dibranët kanë Universitetin e tyre, ku studiojnë 2000 studentë.

Në këtë ceremoni përshëndeti edhe një banorë e fshatit Trenë, zonja Meri, e cila shprehu falënderimet e saj dhe të të gjithë banorëve për ndërtimin e kësaj rruge, një investim qe i ndihmon ata për të transportuar më lehtë të mirat e tyre bujqësore dhe blegtorale. “Dua të shpreh falënderime për qeverinë dhe në veçanti për Kryeministrin Berisha, për këtë investim që na ndihmon ne jo vetëm ti transportojmë lehtësisht të mirat tona bujqësore dhe blegtorale, por pse jo, tani mund të quhemi edhe një lagje e qytetit”, tha ajo. 

Kryeministri Berisha u shpreh, gjithashtu, se ndërtimi i kësaj rruge, së bashku me furnizimin me ujë, me shkollat dhe me rrjetin për energjinë elektrike e shndërron fshatin Tren në një lagje të qytetit, për sa i përket infrastrukturës. Më tej, Kryeministri Berisha renditi disa nga investimet e bëra në këtë qark dhe subvencionet e dhëna për fermerët, të cilat kanë ndikuar në një progres thelbësor në drejtim të shtimit të sipërfaqeve të prodhimit, në frutikulturë, në blegtori dhe në të gjitha drejtimet.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari përshëndetjet e mia më të përzemërta për ju, për të gjithë banorët e Melanit dhe të gjithë banorët e qarkut të Dibrës. Shpreh kënaqësinë time që ndaj me ju këto çaste gëzimi të inaugurimit të kësaj rruge, e cila, siç e shprehu zonja Meri, së bashku me furnizimin me ujë, me shkollat dhe me energjinë elektrike e shndërron fshatin Trenë në një lagje të qytetit, një infrastrukturë e njëjtë me qytetin. Ky është qëllimi ynë. Qëllimi ynë për fshatin shqiptar është që banorët e fshatrave të vendit, aty ku jetojnë të kenë rrugë njëlloj si lagjet e qytetit, të kenë shkolla moderne njëlloj si fëmijët në qytet, të kenë energji elektrike, të kenë ujësjellës, të kenë kanalizime dhe sisteme vaditje, të gëzojnë shërbimet që gëzojnë qytetarët në qytete. Rruga është një kusht madhor. Pa rrugë nuk ka zhvillim, pa rrugë prodhimi bujqësor është i kërcënuar dhe nuk ka vlerë. Pa rrugë biznesi nuk zhvillohet. Ndaj dhe këto vite kemi përcaktuar objektivin tonë për ndërtimin e një infrastrukture moderne në të katër anët e vendit. Në këtë qark rrugë kombëtare, rurale, dytësore dhe tretësore janë ndërtuar rreth 500 kilometër, nga Kalaja e Dodës deri në kufi me Librazhdin, nga Ura e Matit deri në Peshkopi. E vërteta është se përsëri ka shumë rrugë për të ndërtuar, por ju garantoj se ne që ndërtuam këto do të ndërtojmë me vendosmëri të madhe çdo rrugë në të katër anët e këtij qarku. Ne kemi ndërtuar gjatë këtyre viteve 80 ujësjellës në këtë qark. Ne do të bëjmë çdo gjë që të gjithë banorët e këtij qarku gjatë viteve që vijnë të furnizohen me ujë 24 orë. Ne kemi rindërtuar 92 shkolla dhe do të rindërtojmë çdo shkollë e çdo kopsht. Kjo është rruga në të cilën ne ecim dhe të cilës ne i jemi përkushtuar.

Natyrisht, ne bëjmë gjithçka që ju të begatoheni me tokën tuaj, të fitoni më shumë nga prodhimet tuaja. Në qarkun e Dibrës ne kemi subvencionuar 2400 hektarë dru frutorë dhe e vërteta është se ky qark ka bërë një progres thelbësor në drejtim të shtimit të sipërfaqeve të prodhimit, në frutikulturë, blegtori dhe në të gjitha drejtimet. Këtu janë mbjellë më shumë se kudo tjetër arrorë, ndonëse molla është e cilësive më të shkëlqyera dhe një traditë e konsoliduar në rrethin e Dibrës.

Në territorin e këtij qarku, më shumë se në çdo vend tjetër, janë firmosur kontrata koncesionare për ndërtimin e 80 hidrocentraleve, të cilët së bashku kanë një kapacitet sa Vau i Dejës dhe Ashta, të marra së bashku. Në to do të punësohen mira e mijëra banorë të qarkut të Dibrës. Kjo është alternativa dhe ky është modeli për të cilin ne ju ftojmë të votoni.

Ne nuk themi se e kemi rrugën bulevard me lule, nuk themi se nuk bëhen gabime, nuk themi se nuk ka mangësi, por ato që shpallim para jush dhe para çdo shqiptari, ne u qëndrojmë me seriozitetin më të madh. Ne kemi shpallur rrugët, infrastrukturën. Në Shqipëri janë ndërtuar jo 10 mijë kilometër, por absolutisht më tepër. Ajo që tregon opozita është mjerim. Një opozitë e cila nuk ka asgjë tjetër, nuk ka asnjë alternative përveç mohimit, trillimit, bllokimit. Në Shkodër u tha shqiptarëve se janë ndërtuar 600 kilometër rrugë. Pasi e panë që nuk po e besonte askush, kaluan në 1500 kilometra. Ata janë aq të dobët dhe aq mjeranë, sa vetëm ligësia shpirtërore i detyron të thonë atë. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka ndërtuar 1520 kilometër. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka pasur një fond mbi tre herë më të vogël se Fondi Shqiptar i Zhvillimit të Rajoneve. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka pasur një total një fond 320 milionë dollarë të shpenzuar deri tani, ndërsa Fondi i Zhvillimit të Rajoneve ka marrë për rrugë, për ujësjellës, kanalizime, 1 miliardë e 50 milionë dollarë, tre herë më tepër. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka marrë të paktën 10 herë më tepër. Atëherë këta kanë një matematikë kokëposhtë, janë të ngratë. Nuk dua të rëndoj, por një njeri që ka arsyetimin më elementar nuk mund të deklarojë një gjë të tillë. Megjithatë ne kemi shumë rrugë për të ndërtuar përsëri. Unë ju garantoj se nga përparësitë më madhore është rruga e Arbrit.

Zoti kryetar, zotohem se do të financoj çdo projekt tuajin për këta banorë. Përgëzoj Fondin Shqiptar të Zhvillimit të Rajoneve (MADA) për këtë iniciativë shumë të mirë. Përgëzoj dhe falënderoj të gjithë donatorët për të gjithë investimet që kanë bërë në qarkun e Dibrës.

Faleminderit!”


24/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›