E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha prezanton kandidatët për deputetë të qarkut të Dibrës

Të dashur qytetare e qytetarë të Peshkopisë, të Bulqizës, banorë të rrethit të Peshkopisë, dibrane dhe dibranë kuro ku jeni sot, në Peshkopi, në Tiranë, në mbarë Shqipërinë dhe kudo në botë, përshëndetjet më vëllazërore ndaj jush, mirënjohjen time më të pakufishme për mbështetjen e tuaj të jashtëzakonshme që i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike.

Jam sot para jush për të paraqitur kandidatët për deputetë të qarkut Dibër, për t’u zotuar para jush se sëbashku me ta do të bëjmë gjithçka për Dibrën e zhvilluar, Dibrën europaine, Shqipërinë e zhvilluar, Shqipërinë europiane.

Mbështetja juaj, mandatet tuaja kanë qenë të një rëndësie shumë të madhe në realizimet që sëbashku kemi arritur këto vite. Sëbashku, dibranët dhe shqiptarët bënë vendin e tyre vend anëtar të NATO-s. Sëbashku, ne ia dolëm të firmosim Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian. Sëbashku, ne ia dolëm të heqim vizat dhe të lëvizim të lirë në mbarë Europën. Sëbashku, ne merituam statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.

Mundi, djersa e puna juaj kanë bërë të mundur që gjatë këtyre viteve në qarkun e Dibrës të ndërtohen e rindërtohen nga Librazhdi në Kala të Dodës, nga ura e Matit në Sllovë, 500 kilometra rrugë, të ndërtohen e rindërtohen 80 sisteme ujësjellës-kanalizime, të ndërtohen e rindërtohen 92 shkolla e kopshte, qindra kilometra kanale vaditëse e kanalizime. Janë subvencionuar nga grantet e qeverisë mbi 2600 fermerë, me të cilat janë mbjellë 2400 hektarë dru frutorë. Mundi, djersa e mbështetja juaj është shndërruar këto vite në integrim të Shqipërisë, në rrugë, shkolla, ujësjellës dhe infrastrukturë moderne.

Në mbarë vendin, ne rritëm pensionet e fshatit mbi 100 përqind, rritëm rrogat e mësuesve, mjekëve, infermierëve, 120-140 përqind. Bizneset janë dyfishuar në Peshkopi e mbarë vendin. Ekonomia e Shqipërisë, ndonëse jo një ekonomi e madhe, por siç faktohet nga të gjitha institucionet ndërkombëtare nuk ra në krizë, por ruajti rritjen, ruajti punësimin.

Qytetare e qytetarë të Peshkopisë, Bulqizës,

jam sot për t’u zotuar se në projektin tonë të katër viteve që vijnë, për Peshkopinë, Bulqizën dhe Matin, çdo kilometër rrugë e paasfaltuar do të asfaltohet në të katër anët e këtij qarku. Aty ku jetoni do të keni rrugë të asfaltuara, ujësjellës, kanalizime, shkolla të reja. Nxënësit tuaj do të ulen në banka shkolle njëlloj si në qytete.

Dibrane e dibranë,

ju dhe unë kemi edhe një ëndërr shumë të bukur, rrugën e Arbrit, rruga e dytë e kombit. Këtu dua të jem i sinqertë me ju, siç jeni ju me mua. Rruga e Arbrit do të kishte përfunduar, në qoftë se nuk do të na dilte një problem serioz gjeologjik me tunelin e Murrizit. Ky problem, i lidhur me shtresat gjeologjike në kuotën në të cilat do të ndërtohej tuneli, e bënte të pamundur ndërtimin e tij. Ndaj u detyruam ta projektojmë nga e para, në një kuotë 120 metra larg kuotës ekzistuese. Fjala ime para jush është se vepra më e parë e dy viteve të para do të jenë tuneli i Murrizit, rruga e Arbrit, Boshti i Jugut.

Miqtë e mi,

jam këtu gjithashtu, për t’ju dhënë juve fjalën se shumë shpejt do të ngremë universitetin e Dibrës. Një nga miqtë e mi më të shkëlqyer, më të mençur e më të mëdhenj që kam pasur në jetën time, i cili gjatë kohës së luftës kishte qëndruar në Dibër, një ditë më tha: Sali, universitetin më të madh, më të shkëlqyer e kam bërë tek dibranët. Ndaj do të ngremë universitetin e standardeve më të mira.

Por nga ky shesh më lejoni t’i çoj një mesazh shokut Rama, i cili erdhi në Peshkopi si përçarës, sepse platforma e tij është vetëm përçarja. Ju tha juve këtu se Berisha ju ka injoruar, se ai nuk pyet për Peshkopinë. Shkon në Berat dhe u thotë beratasve se Berisha investon vetëm në veri, se nuk pyet për Beratin. Por për këto ia jepni përgjigjen ju vetë. Ndërsa për diçka tjetër do t’ia jap unë sot. Erdhi këtu dhe u tha socialistëve të Dibrës: demokratët ju japin raki me sheqer dhe ju votoni demokratët, të dehur. Zoti Rama, dije se dibranët, demokratë e socialistë kanë dy tipare më të spikatura: të mençur e punëtorë. Ti mendon se mund t’i mashtrosh, por jo, zoti Rama. Dibranët, socialistë e demokratë nuk mund të pajtohen me ty, sepse t’i shkelmon me papërgjegjshmërinë më të madhe mbi aspiratat e tyre europiane, sepse ti zoti Rama, kur do firmosej Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, fute boritë, trumbetat dhe bilbilat në parlament, për t’u thënë europianëve se parlamenti shqiptar është një vathë bagëtish dhe jo tempull parlamentarësh. Dibranet dhe dibranët janë të mençur dhe me memorie. Ata nuk harrojnë kurrë nofkat, epitetet, sharjet që ke përdorur për Shqipërinë. Dibranet  e dibranët e kanë të larë me gjak, çdo pëllëmbë të kësaj toke kundër pushtueseve dhe nuk mund të pranojnë kurrë aktin tënd, kur Çelsin e Artë të kryeqytetit të tyre, ia vure në gjoks Goranit, njeriut që i thuri himne masakrave mbi shqiptarët e Kosovës.

Dibranet e dibranët nuk i pranojmë asnjë mashtrim tëndin, i dashur shok. Ata janë të vendosur t’i japin më 23 qershor Partisë Demokratike, mandatin e pestë dhe të të japin ty leksionin, të të lënë përjetësisht në autobus. Vazhdo!

Edhe një herë me shumë mirënjohje, ju përshëndes në këtë miting madhështor. Flladi i fitores po vazhdon në mbarë Shqipërinë. Ju bëj thirrje të bëjmë gjithçka këto javë që kanë mbetur, të trokasim në çdo zemër, të trokasim në çdo portë, të paraqesim projektet tona. Ne jemi seriozë në ato që premtojmë. Të bëjmë çdo gjë për Dibrën e zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar, për Dibrën europiane, për Shqipërinë evropiane. Ju premtoj fermerëve të Dibrës se gjatë katër viteve që vijnë do të trefishohen grantet për ta, do të bëjmë gjithçka për zgjerimin  tregjeve për produktet e tyre të mrekullueshme. Ju premtoj pensionistëve punonjësve të administratës, mësuesve, mjekëve se do të vazhdojmë rritjen e rrogave dhe pensioneve pa ndërprerë. Banorëve të Dardhësit, Zalldardhës, Reçit, Lurës, ju premtoj rrugët e urat që i lidhin me Peshkopinë dhe Mirditën.

Edhe një herë gëzuar fitoren më 23 qershor! Votoni 44! Votoni Partinë Demokratike! Votoni fitoren! Rrofshi ju! Rroftë Dibra! Rroftë Shqipëria!


24/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›