Fjala e Kryeministrit Berisha në Peqin, në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”
Në vijim të turit “Shqipëria në NATO”, Kryeministri Berisha u takua sot me banorë të Peqinit, gjatë të cilit u shpreh:
“Së pari, dua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe dua të shpreh së bashku me ju, kënaqësinë e madhe, nderin e veçantë , që me përpjekje të mëdha ia dolëm bashkërisht t’i japim Shqipërisë një emër të ri, prestigj dhe dinjitet të ri që nuk e ka pasur kurrë më parë, të vendosnim flamurin tonë, krahas flamurëve të vendeve më të fuqishme dhe të lira të botës.
3 prilli përbën një nga datat më madhore në tërë historinë tonë kombëtare.
3 prilli shënon rikthimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që nga viti 1468, në familjeve të kombeve të mëdha që u përket.
3 prilli shënon hapjen e dyerve të Aleancës së Atlantikut të Veriut për Shqipërinë dhe shqiptarët, Aleancës më të madhe të lirisë që kohërat kanë.
Kjo ftesë nuk ishte aspak një dhuratë, as rezultat i konjukturave apo gjeostrategjive, por ajo erdhi vetëm e vetëm se ne, së bashku, ndërtuam në këtë vend ato vlera mbi të cilat janë ndërtuar shoqëritë e lira. Kjo erdhi sepse ne, së bashku, ndërtuam ekonominë e tregut dhe e shndërruam vendin në një vend të sigurt.
Për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO një rol të veçantë ka pasur bashkëpunimi i shkëlqyer i Shqipërisë me NATO-n në këto 15 vjet. Kanë qenë reformat e thella e të gjithanshme të qeverisë shqiptare ato, pa të cilat anëtarësia në NATO do të ishte thjeshtë një horizont pas të cilit do të rendnim dhe nuk do ta dinim se kur do ta kapnim. Anëtarësia në NATO nuk mund të realizohej në qoftë se ne nuk deklaronin e zbatonin luftën me zero tolerancë kundër kriminalitetit. Askush nuk na pranonte në NATO në rast se Lushnja, Tropoja, Durrësi, veriu i Tiranës, qytete e komuna të tjera të vendit dominoheshin nga Aldo Baret e banda të tjera kriminale, sepse nuk mund të pranohet si kontributor në siguri një vend që nuk e siguron atë, nuk mund të pranohet në gjirin e Aleancës një vend që nuk ka të sigurtë rrugët dhe rrugicat e qyteteve e fshatrave të tij. Ndaj dhe ne i shpallëm një luftë me zero tolerancë dhe njëra pas tjetrës çmontuam 206 grupe kriminale, kudo që ishin në papafingot e Ankarasë, në shpellat e Alpeve, në hotelet me pesë yje në Itali, Greqi apo vende të tjera. Në një hark kohor prej j1 vit e gjysëm, rreth 900 anëtarë të këtyre e bosëve të tyre janë pas hekurave. Shqipëria sot është ndër vendet më të sigurta dhe ka treguesit e kriminalitetit ndër më të ulëtit, rrugët, rrugicat e sheshet e saj janë ndër më të sigurta. Bijtë e saj janë në Afganistan, në Irak dhe do të jenë kudo ku e kërkon siguria kombëtare. Shqipëria është eksportuese e sigurisë. Shqipëria sot është një Shqipëri tjetër, me imazh të ri dhe jo e rrezikshme siç ishte më parë për qytetarët e saj e të vendeve të tjera. Është një Shqipëri e sigurtë dhe stabile, ku dominon ligji dhe drejta dhe krimi ndëshkohet.
Ftesa për në NATO nuk mund të vinte me sistemin e korrupsionit që mbretëronte në Shqipëri, sepse nuk të pranonte kush në organizatën e tij në rast se t’i vjedh e shpërdoren paratë e taksapaguesve të tu, vendi rrënohet, shkohet nga shkollat e shkatërruara në shkollat e rrëuara, nga ujësjellës të shkatërruar në ujësjellës të rrënuar, nga varfëria në mjerim. Në këtë mënyrë, nuk të pranon njeri. Ndërkombëtarët faktonin se nga taksat e shqiptarëve 1.4 miliard dollarë përfundonin në xhepat e pushtetarëve, kontrabandistëve dhe evazorëve. Ato faktonin se zyrtarët tanë bënin pushimet më luksoze. Ato faktonin se mbi 70 për qind të prokurimeve ishin të drejtpërdrejta. Në këtë mënyrë NATO-ja ishte një horizont, të cilin nuk e kapnin dot. Unë i bëj thirrje çdo qytetari shqiptar të ndalet e të mendojë mbi këtë fenomen, lufta ndaj të cilit është përcaktuese për të ardhmen tonë. Unë ju garantoj se këtë luftë ne do ta fitojmë me siguri dhe do të kemi fitore të shkëlqyer.
Sot, ju dëgjoni qytetarët të ankohen se ka korrupsion. Unë, Kryeministër i vendit u jap atyre plotësisht të drejtë. Ju dëgjoni mediat të deklarojnë për korrupsion. Unë, Kryeministër i vendit e denoncoj korrupsionin dhe falënderoj median për këtë. Por ftoj çdo shqiptar të mos i lejojë vetes t’i errësohet pamja, sepse vërtet ka një perceptim se ka korrupsion, por ka edhe një luftë të fuqishme kundër tij dhe ajo është faktori më përcaktues i të gjitha arritjeve tona. Në qoftë se luftuam bandat dhe krimin, e bëmë këtë sepse luftuam edhe korrupsionit. Një polic i thjeshtë, i pyetur nga një gazetar gjatë vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri se si ia dolën të kapnin bandat, ndërkohë që më parë nuk arrin dot, iu përgjigj se sot nuk i padisin më tek bandat, ashtu siç ndodhte më parë. Ne, i tha ai, niseshim për t’i kapur, por para se t’i kapnin, politikanët e zyrtarët u kishin telefonuar në celular dhe ata na prisnin në pritë. Por tani nuk i njofton më njeri dhe ne shkojmë i kapim.
Ne kemi nxjerrë administratën jashtë konfliktit të interesit. Ka pasur raste që qeveritarët bënin tendera familjarë, ishin ministrat, ata që kishin monopolin e drithërave, grurit ushqimit, naftës, të ndërtimeve. Natyrisht, ai që kishte monopolin e ushqimeve nuk e dinte se ku ishin fushat e Shqipërisë, sepse importi sillte më shumë fitime, sesa prodhimi vendas. Qeveria që unë drejtoj nuk ka ministra me monopole dhe biznesi. I pari ministër apo zyrtarë që do të gjendet me biznese ka vetëm një rrugë, të largohet nga detyra dhe nga qeveria. Dhe e gjithë kjo solli lirinë e tregut. Dua t’ju informoj se, pavarësisht nga tituj e nëntitujt që vihen, raportet më serioze të botës informojnë shqiptarët se qeveria e Sali Berishës nuk ndërhyn direkt apo indirekt në sektorin privat. Natyrisht, ligji është ligj, klientelë nuk ka dhe nuk do të ketë. Ne vendosëm disa kritere që nuk lejojnë Sali Berishën e ministrat e tij, qeveritarët e zyrtarët e tjerë të përdorin paratë tuaja për qëllime private apo personale dhe kjo ka sjellë që institucioni që unë drejtoj funksionon sot me rreth 50 për qind më pak shpenzime, sesa administrata e paraardhësve e mi. Administrata shqiptare në tërësi funksion me 31 për qind më pak shpenzime dhe, në këtë mënyrë, janë kursyer 110 milion euro, të barabarta me dhjetëra e dhjetëra shkolla, me qindra kilometra rrugë dytësore.
Kur ne erdhëm në pushtet, në vend gëlonin me mijëra borde, të cilat si shushunja rëndonin mbi kurrizin tuaj. Bordi mblidhej dhe i përcaktonte pagën drejtorit dhe më pas përcaktonin pagën e tyre si anëtarë të Bordit, si përqindje e rrogës së drejtorit. Nëse drejtorit ia caktonin pagën 4 milion, vetë do të merrnin 1 milion. Kur ne erdhëm në pushtet, gjetëm 2-3 mijë zyrtarë me rroga ministrash, ofiqarë me anëtarësim në 20 a më shumë borde. Tani asnjë zyrtar nuk mund të jetë më shumë se në tre borde dhe asnjë prej tyre nuk mund të marrë më shumë se 25 për qind të rrogës së tij. Ndonëse kemi bërë rritjen më të madhe të rrogave, fondi i pagave nuk është rritur, sepse është zhveshur nga të gjitha abuzimet, përvetësimet dhe shpërdorimet. Me 6 për qind të PBB-së. Ne sot paguajmë administratën shtetërore me 47 për qind më shumë, sesa ajo paguhej në 2005. Ne kemi vendosur shuma të mëdha edhe për pensionet.
Korrupsion të jashtëzakonshëm ka pasur në prokurime. Siç e theksova më lart, 70 për qind e tyre bëheshin direkt. Në 40 për qind të rasteve nuk jepeshin dosjet e tenderave, por u jepeshin vetëm atij që favorizonin. Në vitin 2007, sipas raportit të Bashkimit Europian, thuhet se nuk ka pasur asnjë prokurim direkt, të gjitha prokurimet kanë qenë të hapura. Ky do të jetë viti i prokurimeve elektronike dhe sot është shpallur fituesi i parë i prokurimit elektronik. Në këtë prokurim askush nuk e njeh ofertuesin dhe askush nuk e njeh as vlerësuesin. Kjo është forma më transparente. Ne kemi ulur 20 për qind koston e përgjithshme të prokurimeve. E thashë më sipër se 1.4 miliard dollarë qarkullonin në xhepat e kontrabandistëve, evazorëve e zyrtarëve të tjerë. Ndërsa sot, ne vjelim 1.2 miliard dollarë më shumë. Dhe i vjelim në një kohë kur kemi ulur me 150 për qind tatimin mbi fitimin, kur kemi ulur me 130 për qind taksën mbi të ardhurat personale e 31 për qind sigurimet shoqërore, kemi ulur një seri tarifash në një euro. Megjithatë, çdo verë kemi çuar dhe sërish edhe këtë verë do të çojmë një buxhet të dytë në parlament. Këto janë trungjet e luftës sonë kundër korrupsionit. Dikush mund të thotë se këto janë thjesht shifra, atëherë më lejoni t’i kthej në vepra e ju ftojj t’i ndjekim ato bashkë.
Kujdesi ynë më madhor kanë qenë rrogat e pensionet. Sot, mësuesit e Peqinit e të mbarë Shqipërisë, që janë mbi 40 mijë, marrin 50 për qind më shumë sesa në vitin 2005, sot 12 mijë infermierët në vend marrin mbi 50 për qind se në 2005. Unë ju jap fjalën se nuk ka qeveri në Europë e në botë që të ketë rritur në dy vjet rrogat me 50 për qind, siç kemi bërë ne. Këto para, ne ia morëm korrupsionit. Kam ardhur në pushtet me dy zotime për pensionistët, se në qytet nuk do të ketë pension nën 100 dollarë dhe se pensioni minimal do të dyfishohet. Sot, nuk ka pensionist që merr, madje me kursin e ditës kur ne e premtuam dhe jo me kursin sot, më pak se 110 dollarë. Në fshat, pensioni minimal ishte 34 mijë lekë, sot është 63 mijë lekë. Në rast se qeveritarët para nesh, në 8 vjet kishin vendosur 34 miliard lekë për pagat e pensionet, ne, në tre vjet, kemi vendosur 38 miliard lekë. Ata kanë vendosur 4 miliard në vit, ne kemi vendosur 13 miliard në vit. Këto janë të vërtetat tona dhe të gjitha këto, e theksoj, janë në sajë të luftës kundër korrupsionit. Ne nuk kemi pasur shpërthime pusesh nafte apo gazi, nuk kemi zbuluar miniera floriri, por kemi luftuar korrupsionin dhe lufta kundër tij është miniera më e madhe e floririt. ndaj dhe ne nuk do t’i ndahemi kurrë asaj lufte.
Të dashur qytetare e qytetarë të Peqinit,
Këto para e kanë shndërruar Shqipërinë dhe rrugët e saj në një kantier ndërtimit, nga Konispoli në Valbonë, ndoshta si në asnjë vend tjetër. Janë qindra e qindra kilometra autostrada e superstrada në ndërtim e sipër. Gjatë vizitës në Sarandë, në rrugët kombëtare të Sarandës dhe Delvinës janë në ndërtim 150 kilometra. Në fakt ato janë zonat më turistike të vendit, por edhe në zona të tjera më pak turistike si Hasi e Tropoja, në rrugët kombëtare investohet në rreth 100 kilometra. Kështu është në Shkodër, në Korçë, në Peshkopi, në Lushnje, Fier, Vlorë, kudo. Por ne nuk po merremi vetëm me akset rrugore. Sot, kam vizituar disa komuna këtu e kam gjetur me dhjetëra projekte, që nuk janë njohur kurrë më parë. Vizitova komunën Gjocaj, rruga e asfaltuar lidhte qendrën e saj me autostradën, ujësjellësi në Fshatin Bardhaj furnizonte me ujë 24 orë banorët e tij, në fshatin Përparim inauguruam rrugën që lidh qendrën e tij me komunën, në Pajovë inauguruam rrugën që lidhe këtë fshat me autostradën, po aty inauguruam kanalin e madh vaditës për fushën e Pajovës, në rrethin e Peqinit po ndërtohen një seri shkollash, në fshatrat Hasnije, në Vashaj, Karin. Në rast se më parë ishin investuar 25 milion lekë në ujësjellës, qeveria që unë drejtoj investon 240 milion në bashkinë e Peqinit dhe fshatrat përreth. U takova gjithashtu me fermerët. Qeveria ka subvencionuar 34 ha dru frutorë, po subvencionojmë vaditjen, si dhe do të subvencionojmë mazutin e solarin, kemi vendosur të ndryshojmë rimbursimim për fermerët. Po ashtu do të rrisim ndjeshëm pensionet, si dhe do të kompensojmë qindarkë për qindarkë rritjen e çmimeve, por ne nuk do të marrim kurrë masa që cenojnë interesat e fermerëve të Peqinit dhe të Shqipërisë. Një fermer i mrekullueshëm më tha se nafta u rëndonte shumë. Nga 60 dollarë, nafta sot është bërë 130 dollarë në tregun ndërkombëtar dhe me naftën rriten edhe nënproduktet e saj. Edhe ne nuk ndërhyjmë tek nafta, sepse ka korrupsion. Nëse do të kishte një skemë jo korruptive, ju garantoj se për qeverinë time më e mira dhe më e lehta ishte subvencioni i naftës. Tollonat e saj vetëm tek fermeri nuk shkonte. Ne po qëndrojmë me të gjitha format e tjera. Ne vendosëm TVSH dhe është 60 milion fondi që duhet t’u kthehet fermerëve nga buxheti i shtetit, nga taksat. Bërtasin të heqim taksat për miellin dhe grurin, por ne nuk do ta heqim sepse ju mbetet gruri në fushë. Por ne do të paguajmë rritjen e çmimit të bukës, orizit, misrit etj.. Ne do t’i paguajmë një për një pensionistët, ata në ndihmë ekonomike, rrogëtarët, në mënyrë që tregu të mos ju preket. Ne do të bëjmë shumë përpjekje të mbrojmë prodhimet tuaja. Kam kënaqësi t’ju them se vitin e kaluar, eksporti i prodhimeve bujqësore nga Shqipëria është rritur 15 për qind, autostrada Durrës-Morinë do ta çojë atë në 40 për qind.
Paratë i kemi shndërruar në rroga, autostrada. Vetëm këtë investojmë në rrugët kombëtare të Shqipërisë 1.2 miliard dollarë. Pak ditë më parë, një eksponent i opozitës mashtronte duke thënë se i kemi marrë borxh. Së pari, ne e kemi gjetur borxhin 54 për qind të prodhimit dhe e kemi ulur në 50 ëpr qind të prodhimit sot. Së dyti, neve na e kanë trefishuar shumën e borxhit që mund të marrim, sepse e dinë sepse i përdorim me ndershmëri. Më parë nuk i lejonin, sepse i vidhnin dhe i shpërdoronin paratë. Këtë vit, e ritheksoj, ne investojmë në rrugët e Shqipërisë 1.2 miliard dollarë. Po ashtu investojmë në shkolla. Kudo që shkoj gjej shkolla të reja, rrugë asfaltuara në fshatra, madje edhe më të mira sesa rrugët e qyteteve. Rruga që lidh qendrën e Përparimit me autostradën është rrugë e denjë për çdo qytet, rruga që lidh qendrën e komunës Gjocaj me autostradën është me dy korsi, rruga që lidh Pajovën me autostradën është e standardeve shumë të mira. Unë i përgëzoj kompanitë ndërtuese dhe qeveritarët vendorë që i kanë ndjekur ato dhe i garantoj se qeveria do të financojë çdo projekt për rrethin e Peqinit. Ne nuk prokurojmë tre herë një projekt. Ne e prokurojmë një herë dhe e përfundojmë projektin. Kudo që shkoj gjej dhjetëra projekte. Vetëm në rrethin tuaj janë 22 projekte, kombëtare e lokale, të gjitha të qeverisë qendrore, pa llogaritur investimet e komunave. Gjatë kësaj periudhe, në ujësjellës investohet 10 herë më shumë se më parë. Të njëjtën situatë e gjej në Berat, Lushnje, Korçë, Dibër e kudo. Paraja juaj ka vlerë. Me këtë nuk them se nuk ka shpërdorim, por këto janë realitet.
Edhe një herë e shfrytëzoj këtë rast për t’ju bërë thirrje që të bëhemi bllok kundër ryshfetit, sepse ky është shërbimi më i madh që mund t’i bëjmë vetes sonë, dinjitetit tonë, fëmijëve tanë. Ai që na merr ryshfet, na poshtëron, ai është një faqezi që meriton vetëm ligjin dhe hekurat, sepse ato janë të drejtat tonë, sepse Kushtetuta i garanton qytetarit shërbim mjekësor falas dhe mjeku bluzë bardhë që merr para është bluzë zi. Por a mundet shteti të jetë kudo? Po. Por kjo ndodh kur qytetari e konsideron këtë, detyrën e parë të tij. Qytetari duhet t’i thotë jo këtyre faqezinjve, t’i thotë jo ryshfetit.
Unë dua t’ju siguroj se Sali Berisha do të qëndrojë dhe mbështesë secilin prej jush në këtë betejë., me një mirënjohje të thellë, duke i bërë kështu shërbimin më të madh vetes, fëmijëve tanë, emrit tonë, Shqipërisë sonë. Janë arrestuar me dhjetëra zyrtarë dhe do të arrestohen të gjithë ata që korruptohen. Nuk arrestohen gjykatës, ndonëse ka prej tyre që janë 10 herë më të zinj se krimineli. Kryetari i Gjykatës së Elbasanit liroi vrasësin. Kjo ngjarje është shumë tronditëse. Motra e viktimës, një vajzë shqiptare, intelektuale, e martuar në Itali, më bëri një letër, një nga letrat më prekëse që kam lexuar, ku më tregonte si iu këput shpirti dhe jeta, sepse dora e zezë i vrau vëllanë tek hynte në derën e shtëpisë. Vrasësi u arrestua, ndërsa gjykatësi kriminel i Elbasanit e liroi nga salla e gjyqit. Natyrisht, mbetem shumë borxhli ndaj motrës dhe familjes së kësaj viktime dhe mbetem jashtëzakonisht i vendosur që të bëj çdo përpjekje që këtë gjykatës kriminel ta vendosim në pranga, në bankën e drejtësisë. I tillë është edhe prokurori faqezi që bën tregëti me dosjet.
3 vjet më parë ishin të paktë ata që besonin se ne do të mund të dilnim nga situate e kriminalitetit. Madje, edhe nga dashakeqësia hapnin opinionin se jemi një shoqëri e mësuar me kriminalitetin, ndërkohë që ne kurrë ne nuk jemi një shoqëri e mësuar me kriminalitetin. Ne jemi një shoqëri me një kod moral shumë të lartë. Kemi vështirësitë dhe problemet tona, por nuk jemi një shoqëri që pajtohemi me krimin. Rrugët e fshatrave dhe qyteteve tona kanë qenë rrugët më të sigurta në Ballkan dhe Europë. Kur e nisëm këtë betejë, në mënyrë të përsëritur më pyesnin, nëse do të ishte një betejë e parikthyeshme dhe unë u përgjigjesha se do të ishte shumë e parikthyeshme. Tashmë, këtë pyetje nuk ma parashtron më njeri, sepse tani të gjithë e panë që kjo është një betejë e parikthyeshme. Të gjithë po shohin trungjet e e luftës kundër korrupsionit. Të gjithë presin nga ne së bashku t’i japim goditjen e fundit atij. Ky është investimi më i madh që bëjmë për veten tonë dhe për Shqipërinë.
Ne jetojmë në një kohë dhe moment shumë të rëndësishëm. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për anëtarësimin sa më të shpejtë të plotë në NATO. Në fillim të muajit qershor, qeveria shqiptare merr pyetësorin nga Bashkimi Europian për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Unë ju jap fjalën se do të bëj gjithçka, do të mobilizoj çdo fond, çdo burim që ato kërkesa të plotësohen një për një, në mënyrë që ju dhe të gjithë shqiptarët të lëvizni të lirë në mbarë Europën. Ndaj, edhe njëherë u përshëndes vëllazërisht dhe ju siguroj se ndryshimet që kemi realizuar së bashku këto 3 vjet janë një bazë e shkëlqyer për ndryshime shumë më të mëdha vitet që vijnë.”