Fjala e Kryeministrit Berisha në Samitin e nivelit të lartë të politikës europiane mbi Ballkanin, në Bruksel
Së pari dua të falenderoj organizatorët për këtë rast për prezantimin e pikëpamjeve dhe opinioneve tona për Shqipërinë dhe për Ballkanin. Ballkani është një rajon, i cili ka kaluar kohë shumë të vështira, por edhe ndryshime konstante ndër më të mëdhatë. Ai është rajoni që ka bërë ndryshimet më të mëdha, nga luftërat drejt integrimit, nga armiqësitë drejt bashkëpunimit. Unë jam thellësisht i bindur se forca vitale e kombeve tona është procesi i integrimit .
Vendet e rajonit përjetuan probleme të mëdha nga regjimet e mëparshme, por edhe pas rënies së Perdes së Hekurt. Megjithatë forca më e gjallë dhe më e fuqishme e këtij rajoni ishte forca për procesin e integrimit. Shpeshherë e kam thënë se integrimi në Bashkimin Europian dhe në NATO ishin projektet e ëndrrave të këtyre vendeve. Për këtë arsye kombet tona mbeten të angazhuara ndaj këtyre projekteve. Unë mendoj se kombet tona po punojnë seriozisht për implementimin e këtyre projekteve, të cilat janë harta e rrugës. Integrimi në NATO provoi se është një proces më i qëndrueshëm pasi NATO-ja nuk u përball me lodhjen e zgjerimit. Megjithatë pas rënies së Perdes së Hekurt, NATO-ja pati dilema të mëdha për vendet kandidate, por nuk shfaqi ndonjë shenjë lodhjeje nga zgjerimi.
Projekti i BE-së ka një plan masash shumë të qartë. Nëse shikon të gjitha fazat, ekziston një plan masash i qartë dhe i shkëlqyeshëm, por kur ndodh diçka brenda tij duket se kthehet në një cështje të madhe. Fatmirësisht ne si rajon përfaqësojmë 1% të GDP-së së BE-së, përfaqësojmë një popullsi që është më pak se gjysma e Polonisë. Unë jam thellësisht i bindur se kriteret e Kopenhagenit, Partneriteti Europian dhe standardet europiane duhet të përmbushen plotësisht në vendet tona në mënyrë që të meritojmë procesin e Stabilizimit , statusin e vendit kandidati dhe procesin e anëtarësimit. Ky është interesi më i mirë në radhë të parë për qytetarët tanë. Në të gjithë këtë proces, shoqëritë dhe qytetarët tanë po bëhen më të lirë dhe kjo është thelbësore për procesin.
Në këtë kontekst qeveria ime po punon me vendosmëri për reformat. Së pari ne kemi rivendosur rendin dhe sigurinë. Bandat dhe organizatat kriminale famëkeqe shqiptare janë shkatërruar. Më shumë se 206 grupe dhe organizata të krimit të organizuar u shkatërruan dhe u vendosën para drejtësisë. Më shumë se 900 drejtues e anëtarë të tyre janë arrestuar. Tani vendi im ka indeksin e kriminalitetit më të ulët se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian, 2.1 vrasje për 1 mijë persona.
Vendi im po përballej me një korrupsion të kthyer në sistem. U premtova shqiptarëve një qeveri të vogël dhe ajo është reduktuar me 33 % , ndërsa nëpunësit civilë me 16 %. Unë u zotova për një qeveri në dietë dhe dua t`ju informoj se shpenzimet operative të administratës janë ulur me 31 %. Ne po punojmë për futjen e shërbimeve elektronike për të gjitha procedurat dhe rezultatet janë spektakulare.
Nëse shihni hartën Shqipëria është një vend i vogël. Eshtë e vërtetë që është një vend i vogël, por ajo ka potenciale të jashtëzakonshme, është një nga vendet më të pasura në botë me minerale, është një vend me pasuri të mëdha hidrike, është një “Norvegji”, e vogël në Mesdhe. Janë më shumë se 20 milionë kilovat/orë për t`u shfrytëzuar dhe një bregdet prej 400 km për t`u zhvilluar.
Pyetje: Cilat janë planet për privatizimin e kompanisë energjetike duke patur parasysh edhe potencialet që ju parashtruat?
Kryeministri Berisha: Reforma e privatizimit të kompanisë energjetike vazhdon. Një vit e gjysëm më parë kompania IFC u zgjodh si konsulente për qeverinë dhe procesi po vazhdon. Nëse ky proces do të ketë sukses dhe unë jam i bidnur për këtë, në javën e parë të shtatorit parlamenti do të ratifikojë kontratën me fituesin sepse kontrata kalon përmes parlamentit. Ne përfunduam privatizimin e kompanisë së rafinerisë së naftës nëpërmjet një procesi të shkëlqyeshëm. Dua të theksoj dhe një moment për transparencën, e cila është shumë e rëndësishme. Mendoj se çështja e legjislacionit është thelbësore. Nuk duhet të ketë imunitet përsa u përket akuzave për korrupsion. Ky është standard që ne duhet të vendosim në Shqipëri dhe që duhet të vendoset në vendet e rajonit. Mendoj se ne e kemi zgjidhur këtë çështje pas disa vite debatesh opozita pranoi miratimin e kufizimit të imunitetit dhe kjo është shumë e rëndësishme. Gjithashtu do të miratohen edhe ligje të tjera, por rëndësi të veçantë ka kufizimi i imunitetit, pasi ai pengon luftën ndaj korrupsionit.
Pyetje: Cili do të ishte sinjali për Ballkanin Perëndimor, nëse Kroacia nuk anëtarësohet në BE pavarësisht se mund të përmbushë standardet e kërkuara?
Kryeministri Berisha: Do të ishte përfundimisht një sinjal shumë i hidhur për Ballkanin Perëndimor, nëse Kroacia përmbush kriteret dhe standardet dhe lihet ende në listën e pritjes. Për anëtarësimin ky është një alarm, sepse Kroacia ka bërë një progres shumë të madh dhe është shumë e angazhuar.
Pyetje: A mendoni se duhet të vihet më tepër theksi tek arsimi në rajonin e Ballkanit?
Kryeministri Berisha: Arsimi në pikëpamjen time duhet të jetë një nga temat më të rëndësishme. Për këtë arsye qeveria ime ka dyfishuar buxhetin dhe ne po përmbushim zotimin tonë për dyfishimin e pagave të arsimtarëve në mënyrë që të mbajmë njerëz të kualifikuar në sistemin arsimor. Ne kemi dyfishuar numrin e studentëve në një periudhë 3-vjeçare. Ne jemi fokusuar në modernizimin e sistemit tonë arsimor dhe të univeristeteve. Ne kemi përcaktuar Fondin e Ekselencës, i cili është vënë në dispozicion të çdo studiuesi apo studenti për të marrë gradën Master apo Doktoraturë në 10 universitetet më të mira të botës. Megjithatë, arsimi është ende një çështje thelbësore dhe e vështirë. Pa pjesëmarrjen e plotë të sektorit privat në arsim ne do të kemi vështirësi në arritjen e qëllimeve tona. Është me një rëndësi të jashtëzakonshme hapja e sistemit të arsimit ndaj sektorit privat.
Pyetje: Cila është situata e popullsisë rome në Shqipëri dhe çfarë po bën qeveria shqiptare përsa u përket çështjeve të arsimimit dhe strehimit të këtij komuniteti?
Kryeministri Berisha: Përsa i përket komunitetit rom, ka disa probleme serioze, por jo vetëm në Shqipëri, por në shumicën e vendeve europiane. Ky është një problem europian. Çfarë po bëjmë ne? Ne jemi fokusuar në zgjidhjen e kësaj çështje dhe po e bëjmë atë prioritet. Së pari ne po i ndihmojmë ata për t`u vetëpunësuar në biznesin e vogël. Së dyti ne nuk kemi fonde të mjaftueshme për strehimin, por në politikat e strehimit ne jemi përqëndruar veçanërisht tek komuniteti rom. Së treti ne kemi nevojë për më shumë ndihmë nga Komisioni Europian. Kjo është një çështje që ka nevojë për mbështetje në vendin tim dhe në vendet e tjera dhe unë jam plotësisht dakord me ju. Ky është një komunitet që duhet të diskriminohet pozitivisht.
Gjithashtu Kryeministri Berisha u shpreh edhe lidhur me çështjen e Kosovës
Kryeministri Berisha: Ne u kemi kërkuar shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanovc që të marrin pjesë plotësisht në të jetën serbe. Dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë. Nxitja e politikave mbi baza etnike në tre komunat serbe në Mitrovicë është e papranueshme. Në Mitrovicën jugore janë tre komuna, dhe ka më shumë serbë në Mitrovicën jugore se sa në atë Veriore. Ky është paradoks. Ky duhet të jetë testi për qeverinë serbe. Këto tre komuna duhet të lihen të qeta dhe i gjithë rajoni do të jetojë në paqe. UNMIK-u, qeveria e Kosovës, BE dhe Kombet e Bashkuara janë plotësisht të angazhuar për të drejtën e minoriteteve atje për ta bërë Kosovën një shembull të shkëlqyer për respektin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve.