E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria po përmbush premtimet për rritjen e pagave

- Pagat e arsimtarëve do të rriten me 14 %, pagat e infermierëve me 15 %, pagat e larta rriten me 4 %, rrogat mesatare rriten me 7 %, ndërsa rrogat e ulëta rriten me 17 %    

Kryeministri Berisha tha sot në mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike se pas rritjes së pensioneve, qeveria do të vendosë për rritjen e rrogave në përputhje të plotë me programin e saj elektoral të tre viteve më parë. 

Në këtë kontekst Kryeministri  u shpreh se rrogat e arsimtarëve rriten me 14 %, rritje kjo që mundëson dyfishimin e plotë vitin e ardhshëm për rrogat e rreth 43 mijë arsimtarëve në mbarë vendin. 
Kryeministri vlerësoi se pavarësisht se kjo rritje krijon një çrregullim të përkohshëm , pasi rrogat e arsimtarëve me këtë rritje sidomos me dyfishimin bëhen të njëjta ose pak më të larta se kategoritë e tjera të punonjësve që normalisht kanë një diferencë në rroga, ky çrregullim do të zgjidhet gjatë viteve në vazhdim.
“Për ne e rëndësishme është të mbajmë premtimin elektoral dhe të dyfishojmë rrogat në vitin 2009”, u shpreh Kryeministri gjatë mbledhjes së Grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Kryeministri theksoi se në të njëjtën masë do të rriten edhe rrogat e 12 mijë infermierëve  dhe 4 mijë mjekëve, pagat e të cilëve do të rriten me 15 % duke përfituar një rritje të ndjeshme në përputhje me premtimin e qeverisë për dyfishimin e rrogave të infermierëve.
“Rrogat e  larta rriten aq sa është indeksi i inflacionit, 4 %. Rrogat e tjera rriten 7%, rrogat e ulëta rriten 17 %. Pra ne kemi ndjekur tërësisht linjat e premtimeve tona, në politikën e pagave, politikë kjo që nuk është se nuk krijon ndonjë deformim, por nga ana tjetër duke patur parasysh aftësinë e jashtëzakonshme të arsimit, ky sektor bëhet i preferueshëm për ata që shkollohen për mësimdhënie dhe po kështu infermierët që kanë një punë jashtëzakonisht të vështirë do të mund të shpërblehen më njerëzisht për punën e tyre shumë të vështirë që bëjnë”, nënvizoi më tej Kryeministri. 

Por  edhe punonjësit e tjerë kanë një rritje, vijoi Kryeministri. “Pagat e ulëta në përputhje me premtimin pësojnë rritjen më të madhe, ato pësojnë një rritje prej 17 %.  Si qeveri e zotuar për të ngushtuar diferencën  brezhnjeviane nga paga të trashëguara  nga paraardhësit tanë, rrogat e larta i rrisim vetëm 4%”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›