E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Integrimi në BE dhe NATO, përbën forcën tërheqëse në zhvillimin e vendeve të rajonit

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në Samitin e nivelit të lartë të politikës europiane mbi Ballkanin, i organizuar nga “Miqtë e Europës”. Ky Samit i përvitshëm nxit debatin mbi situatën politike në rajon, i cili kohët e fundit po njeh një zhvillim shumë të shpejtë. Samiti i këtij viti mbahet pas disa zhvillimeve si zgjedhjet në Serbi dhe Maqedoni, vota kundër Kushtetutës së Bashkimit Europian në Irlandë dhe i ndikuar nga fakti se veçanërisht Presidenca sllovene e BE-së e ka vendosur perspektiven europiane të Ballkanit shumë lart në agjendën e saj. Arsimimi, lufta kundër korrupsionit, mbrojtja dhe përkrahja e minoriteteve dhe procesi i zgjerimit të BE-së ishin katër shtyllat kryesore të diskutimeve në Samit.

Komisioneri europian për zgjerimin Olli Rehn mbajti fjalën e hapjes. Ai u ndal në rëndësinë e mosndaljes së procesit të zgjerimit, në vendosmërinë që duhet të ndjekin të 7 vendet e Ballkanit Perëndimor për të zhvilluar dhe implementuar reformat dhe përmbushur kriteret e Kopenhagenit, si dhe në mbështetjen që BE-ja do të vazhdojë t’i japë këtyre vendeve, të cilat në të ardhmen do të jenë në BE.

Në Samit mori fjalën edhe Kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Europën Juglindore Doris Pack, e cila, në fjalën e saj, u shpreh se çdo zgjerim është një sfidë për të dyja palët, ndaj duhet pasur parasysh se probleme dhe diferenca kanë si vende që aspirojnë të futen në BE, ashtu edhe vendet anëtare të BE-së. Zonja Pack u shpreh se BE-ja nuk është e plotë pa aderimin në të edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.  Ajo theksi se për këto vende, prioritet duhet të jenë veçanërisht investimet në arsim.

Kryeministri Berisha ishte një nga 6 pjesëmarrësit në Panel. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha tha se ajo që i bashkon vendet e rajonit dhe që përbën edhe forcën tërheqëse në zhvillimin e tyre, është pikërisht procesi i integrimit në NATO dhe BE. Këto dy projekte, - tha Kryeministri Berisha - janë projektet e ëndrrave të këtyre vendeve, ndaj dhe ato po bëjnë maksimumin për implementimin e reformave dhe shndërrimin në realitet të këtyre projekteve. Duke u nisur nga fakti se këto vende përbëjnë 1 për qind të GDP-së së  BE-së dhe se ato po punojnë në mënyrë të vrullshme për të fuqizuar reformat dhe forcuar ligjin në vendin e tyre, duke vendosur në rend të parë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, atëherë këto vende duhet të jenë dhe e meritojnë të jenë pjesë e BE-së, u shpreh Kryeministri.  

Më pas, në përgjigje të interesimit të pjesëmarrësve në Samit në lidhje me ecurinë e procesit të privatizimit të operatorit të shpërndarjes së energjisë të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Kryeministri Berisha u shpreh se nuk ka dalë ende fituesi, por procesi i privatizimi është në rrugë të mbarë dhe ai do të jetë një proces i suksesshëm, ashtu siç ishte edhe procesi i privatizimit të kompanisë ARMO. Qeveria shqiptare do të bëjë maksimumin për të qenë një privatizim i suksesshëm, tha Kryeministri, duke theksuar se energjia dhe shfrytëzimi i potencialeve energjetike mbeten prioritet i qeverisë shqiptare.

Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të të pranishmëve edhe për rëndësinë e arsimimit në shoqëritë e vendeve të Ballkanit. Kryeministri u shpreh se arsimi është prioritet i qeverisë shqiptare. Në këtë kontekst, ai u ndal në dyfishimin e  pagave për arsimtarët, dyfishimin e buxhetit për arsimin, dyfishimin e numrit të studentëve, krijimin e Fondit të Ekselencës për thithjen e trurit në vend. Kryeministri tha se është në interesin e zhvillimit dhe fuqizimit të arsimit në vend që sistemi arsimor të hapet ndaj sektorit privat.

Në interes të auditorit, Kryeministri Berisha u ndal edhe në punën që po bën qeveria shqiptare në mbrojtje dhe përkrahje të minoriteteve, duke u shprehur  se ka ende punë për të bërë, por qeveria po ndërmerr hapa të rëndësishëm për krijimin e kushteve për vetëpunësimin e popullsisë rome dhe egjiptiane, për ndërtimin e banesave sociale, ku një numër i madh i tyre do t’u jepen kësaj popullsie, për shkollimin  tyre etj..

Gjithashtu, duke nënvizuar vendosmërinë në luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit, Kryeministri Berisha u shpreh se është në bindjen dhe vendosmërinë e tij t'i themi jo imunitetit. Ky është standardi ynë, - theksoi Kryeministri Berisha - dhe ky standard duhet të shtrihet e ta kenë të gjitha vendet e Ballkanit që duan të integrohen në BE.

“Miqtë e Europës” është një grupim i fuqishëm organizatash për analizat dhe debatet politike në Bashkimin Europian. Qëllimi i këtij forumi është nxitja e debatit për të ardhmen e Europës. 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›