Kryeministri Berisha niset për një vizitë dy-ditore në Bruksel
Kryeministri Berisha niset sot për një vizitë dy-ditore në Bruksel, ku do të marrë pjesë në Samitin e nivelit të lartë mbi Ballkanin, i organizuar nga Miqtë e Europës. Samiti drejtohet nga Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Olli Rehn.
Kryeministri Berisha do të jetë një nga referuesit kryesorë në Samit lidhur me rolin e Bashkimit Europian në rajonin e Ballkanit.
Pas Samitit, Kryeministri Berisha do të zhvillojë një takim të veçantë me Komisionerin për Zgjerimin në BE, Olli Rehn, takim që do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp.
Ky Samit i nivelit të lartë mbi rolin e Bashkimit Europian në Ballkan bashkëorganizohet nga Miqtë e Europës, fondacioni gjerman, Konrad Adenauer, Si&Si Group, Instituti për Demokraci Constantinis Karamanlis, Gallup Europe, OECD dhe Pakti i Investimeve për Europën Juglindore.
Samiti është i ndarë në dy sesione, ku do të diskutohet për klimën e biznesit dhe ekonominë në Europën Juglindore. Tryeza e rrumbullakët do të mbledhë përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Europian, të OECD-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, të qeverive të vendeve anëtare të BE-së dhe qeverive të rajonit të Ballkanit, biznesmenë dhe ekspertë të medias për të diskutuar mbi sfidat kryesore dhe për zhvillimet ekonomike në Europën Juglindore. Invetsimet e huaja direkte, sipërmarrja dhe bashkëpunimi rajonal, do të jenë disa nga çështjet që do të diskutohen në këtë samit.
Në këtë samit marrin pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, Kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Europën Juglindore, Doris Pack, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Olli Rehn, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, Ministri i Çështjeve Ekonomike dhe të Punës i Austrisë, Martin Bartestein, Zv/Sekretari i Përgjithshëm i OECD-së, Aart de Geus, kryenegociatori për anëtarësimin e Kroacisë në BE, Vladimir Drobnjak, Këshilltari i Posaçëm i Përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Jonas Jonsson, Sekretari francez i Shtetit për Çështjet Europiane, Jean-Pierre Jouyet, Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, njëkohësisht shef i UNMIK-ut në Kosovë, Joachim Rycker dhe ish-Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Bosnje Hercegovinë, Christian Schwarz-Schilling.
Gjithashtu, diskutantë në tryezën e rrumbullakët do të jenë, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim rajonal, Hido Biscevic, Presidenti i Grupit Si&Si, Vojin Djordjevic, Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanovic, zv/Presidenti i Delta Holding, Milka Forcan, Drejtori dhe menaxheri i Gallup Europe, Robert Manchin, Drejtoresha për Planifikimin Ekonomik në Këshillin e Ministrave dhe ish-ministrave të Financave të Bosnje Hercegovinës, Ljerka Maric, Drejtor i Programit të Investimeve për Europën Juglindore në OECD Anthony O'Sullivan dhe Zv/drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Jan Truszczynski.
“Miqtë e Europës” është një grupim i fuqishëm organizatash për analizat dhe debatet politike në Bashkimin Europian. Ky është një forum jofitimprurës, tërësisht i pavarur dhe nuk ka nuanca të politikave kombëtare. Qëllimi i këtij forumi është nxitja e debatit për të ardhmen e Europës.