E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e nënshkrimit të projektit "Poli Energjetik rajoni i Lezhës"

“Sot përjetojmë një moment të madh, firmosim një akt për një investim rreth 1 miliardë euro, në Parkun Energjetik të Lezhës. Kjo përbën një ngjarje shumë të madhe për Shqipërinë, përbën një hap të madh në vizionin e shndërrimit të saj në një superfuqi të vogël energjetike në rajon. Gjithashtu, kjo përbën në hap të madh në përpjekjen e Shqipërisë për t’u shndërruar në një vend tërheqës për investimet e huaja, përbën një ngjarje të madhe në marrëdhëniet e shkëlqyera e miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve dhe kombeve tona, por ka edhe një simbolikë të madhe për Shqipërinë.

Ky projekt përqendrohet në Lezhë dhe ky rreth, gjeografikisht ndër më të vegjlit në Shqipëri,  ka firmosur në harkun mujor 2 mujor kontrata që arrijnë vlerën 1.5 miliardë euro.  

Në më pak se 4 vjet më parë, unë zhvillova një vizitë në Romë, në një periudhë kur me qindra, në mos me mijëra investitorë italianë, ishin larguar nga Shqipëria. Në takimin e organizuar në mënyrë të shkëlqyer nga Instituti i Tregtisë së Jashtme të Italisë, takim të cilin nuk do ta harroj asnjëherë, unë u zotova para investitorëve italianë se do të bëj çdo përpjekje që ata të ktheheshin sërish në Shqipëri, të ndërtonin ëndrrat e tyre të bukura në vendin tim. Mendoj se duhet të jemi të kënaqur dhe kemi arsye për të qenë të tillë.

Në një hark kohor prej dy muajsh, janë firmosur kontrata konçensionare mes dy vendeve, me vlerë rreth 3.5 miliardë euro. Mendoj se tani mund të flasim për megakontrata, për megainvestime dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme fakti se projekte të tjera prej miliarda euro janë në përgatitje e sipër.  Unë dua të siguroj investitorët italianë, ata shqiptarë dhe të gjithë investitorët, se reformat e ndërmarra nuk do të ndërpriten në të gjitha drejtimet, se nuk do të lemë përpjekje pa bërë që të zbatojmë në këtë vend praktikat më lehtësuese, më transparente dhe më të mira për biznesin e huaj dhe atë vendas.

Dua të falënderoj grupi Marseglia-s për këmbënguljen dhe besimin e madh që ka dëshmuar ndaj Shqipërisë dhe vendosmërinë për realizimin e këtyre projekteve. Dua të falënderoj ambasadën italiane në Tiranë, Ambasadorin D’Elia, i cili, së bashku me stafin e tij, është një promotor i investimeve italiane në Shqipëri. Dua të përgëzoj gjithashtu ministrin Ruli dhe stafin e tij, i cili në një kohë të shkurtër arriti t’i japë vendit një kuadër ligjor rregullator shumë të përshtatshëm për investimet e huaja.

Një falënderim të veçantë dua t’u bëj autoriteteve lokale, deputetit Preç Zogaj, të cilët kanë ditur të mikpresin dhe mirëpresin investitorët, të zgjidhin të gjithë problematikën lokale dhe të inkurajojnë banorët për zhvillimin e rajonit të tyre.

Edhe një herë dua të përshëndes Grupin Marseglia dhe ta siguroj atë se do të ketë mbështetjen e plotë të qeverisë në realizimin e këtij projekti të madh. Kjo, besoj se është përgjigjja më e shkëlqyer antikrizë”.


23/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›